Ministri Kosovar i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, së bashku me ministrin shqiptar të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, kanë nënshkruar Marrëveshjen për heqje të tarifave të roamingut në mes Kosovës dhe Shqipërisë, sipas të cilit nga 1 qershori 2019, qytetarët e dyja vendeve do të flasin dhe do të përdorin internetin sikurse brenda vendit.
Një ndër elementet kryesore të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe shkëmbimit të shërbimeve dhe mallrave janë edhe komunikimet elektronike e në veçanti shërbimet telefonike në mes të vendeve kudo që ato ndodhen.
“Marrë parasysh interesin e përbashkët në promovimin e lidhjeve të ngushta në fushën e komunikimeve elektronike, veçanërisht potencialit për tregti intensive ndërmjet dy vendeve, si dhe duke synuar rritjen e nivelit të bashkëpunimit në të gjitha sferat e jetës si: ekonomike, kulturore, turizmit, etj., duke marrë për bazë para së gjithash interesat e shfrytëzuesve por edhe bizneseve. Dy Qeveritë tona kemi harmonizuar marrëveshjen për heqjen e çmimeve të shërbimeve roaming për rrjetet publike të komunikimeve telefonike”, u shpreh ministri Lluka.
Në këtë rast janë marrë për bazë modeli Roaming Like At Home (RLAH) dhe modeli i draft-marrëveshjes së roamingut të Vendeve të Ballkanit Perëndimor, por duke synuar një dinamikë shumë më të shpejtë drejt RLAH-it të plotë. /Konica.al/