MENU
klinika

Arti pamor shqiptar

Kristaq Sotiri, mjeshtri i fotos që fiksoi jetë njerëzore

08.11.2018 - 14:14

Korça është një qytet i veçantë që dallohet për shumëllojshmërinë e kulturës. Ajo është një përfaqësuese e denjë në lëmin e trashëgimisë kulturore që vjen falë shumë faktorëve socialë në vite.

 

Një nga këto elementë të kësaj trashëgimie është edhe fotografia dhe vjen si një përsosje midis kujdesit të njeriut për imazhin, pejizazhin, dëshminë e së vërtetës në artin pamor.

Kristaq Sotiri lindi në një periudhë të ndryshimeve të mëdha, në vitin 1883 në fshatin Mborje. Emigroi në SHBA dhe kishte një interes të veçantë dhe talent në fushën e fotografisë. Më pas ai punon  në një studio me fotografin e shquar George Steckel. Aty ai përvetëson artin e fotografisë.

 

Kur kthehet në Korçë në bashkëpunim me piktorin e famshëm Vangjush Mion, ai hap studion e tij private ‘’Studio Sotiri’’.

Dy dëshirat e tij ishin të fiksonte natyrën në aparatin e tij dhe qenien njerëzore me gjithë ngjyresat e tij. Mendohet nga studiuesit se ka me mijëra fotografi të ruajtura.  Studiuesi dhe historiani Nedai Thëllimi shkruan se janë ruajtur 15.000 negativë, pllaka xham dhe celuloid si dhe 1.700 fotografi. Mendohet se janë 13.726 negativë.

Ndër shumë portrete të njohura është dhe portreti i këngëtares së famshme Tefta Tashko Koço nëpërmjet  fotove.

Kristaq Sotiri e kaloi jetën duke fiksuar jetë njerëzore në celuloid dhe duke iu dhënë atyre jetë përtej jetëve të tyre që vijnë në ditët sot si një pasuri e jashtzakonshme për ta njohur atë kontekst të ngjarjeve, emocioneve, tipologjisë së karaktereve. Ai rreshtohet bashkë me Kel Marubin në esencën e fotografisë shqiptare, si një zë i rëndësishëm i imazhit në Shqipëri të shekullit të XX.

Imazhe të njerëzve të veshur me veshje tradicionale shqiptare, por edhe të atyre që janë veshur me rroba moderne të kohës, janë ato që shihen në fotografitë e tij.

Ai ka dokumentuar ndryshimin rrënjësor të shoqërisë shqiptare nga epoka e Perandorisë Osmane deri në krijimin e shtetit shqiptar e më tej.

Karriera e nisur me një autoportret në Amerikë vazhdon me portretin e nënës së tij, më pas me portrete të njerëzve të tjerë. Në fokus të tij kanë qenë shumë gra, muslimane apo të krishtera, moderne e përparimtare apo tradicionale deri te portretet e prostitutave.

Nga ana tjetër nuk la pas portretin mashkullor, nisur nga lypsarët, endacakët, shumë herë dhëndurë e nuse të reja ditën e martesës, njerëzit e thjeshtë dhe deri te shtresat e larta të shoqërisë.

Dashuria e dytë e tij për imazhin ishte pejizazhi. Ndër këto futesh dashuria për  Korçën, shtëpitë, sokaqet, pazari i famshëm i Korçës e deri tek rrugët e mbuluara me borë, spitalin, malet, barinjtë, bostanxhinjtë, poçarët, shitësen e shoshave etj. Kjo jetë e të fiksuarit në aparat vazhdon si një karrierë 40 vjeçare. Ai vazhdon të fotografojë deri në vitin 1952.

Përveçse Korçës dhe qytetit të Pogradecit me liqenin e tij të bukur, ai ka një arkiv të pasur edhe të fotove në Europë, të shndërrimit të Perandorisë Osmane, në SHBA.

ëNë formën e vet, në dorën e Kristaq Sotirit fotografia ka qenë art, përveçse jetesë, dhe dëshmi përveçse realizëm, si dhe mbrujtje e personalitetit të tij në lidhje me jetën profesionale, por dhe një element i rëndësishëm i identitetit të trashëgimisë kulturore në lidhje me vendin.

Ai ndërthuret në jetën e tij midis disa qytetërimeve, atë më  të zhvilluar të kohës, qytetërimin amerikan, evropian, e më pas qytetërimin në vdekje, atë osman, si dhe një qytetërim shqiptar që do të merrte jetë të re pas 1912 në periudhën kur ai lëvronte objektivin. Sigurisht edhe e imta vinte si pjesë e  mjerimit që ai e shprehte aq bukur në portrete si lypësi në detajet e tij.

Ai është një dëshmtiar i paepur për këto ndryshime që ndodhin në karakterin e njeriut për të shprehur sa më mirë ndjesitë dhe perceptimet e njerëzve, gëzimin, rishtimin, seriozitetin, çiltërsinë si dhe madhështinë  e  natyrës.

Kjo është vënë re edhe në studiuesit francezë Loic Chauvin dhe Christin Raby të cilët janë të dashuruar me teknikën dhe pasurinë e fotografëve shqiptarë e në mes tyre me Kristaq Sotiri. Kanë dëshirë t’i vendosin në panteonin ndërkombëtar të kësaj disipline të artit pamor. Ata e kanë cilësuar Sotirin si një pionier të fotografisë moderne. Pavarësisht se nuk mund të krahasohet me fondin e Marubit, ai është nga më të rëndësishmit dhe një figurë e madhe e artit pamor.

Ai ka qenë i talentuar në përdorimin shumë të sofistikuar të variacionit të thellësisë së sfondit për kushtet e asaj kohe.

‘’Shumë kohë para se të shpikej Photoshop, ai praktikoi retushimin e sofistikuar deri mbi vetë negativat. Përshembull në autoportretin e tij me cigare: hija s’është rezultat i ndriçimit në studio. Ai e krijoi atë me anë të pikturimit në sfondin e negativit”, thonë dy studiuesit për mediat.

Fotografitë e tij kanë qenë pjesë e shumë ekspozitave në Shqipëri, në Kosovë e gjetkë dhe ai është një pasuri e pamatë e kulturës shqiptare.

Ai ishte, sa dëshmitar, dhe aktor i gëzimeve dhe tragjedive që përshkronte jeta e vështirë shqiptare  midis luftrave dhe kulturës, si në ngritje, dhe në shkatërrim. Për këtë ai u mundua të fiksonte sa më shumë ngjarje. Nuk është dhe aq e lehtë të jesh dëshmitar dhe njëkohësisht aktor dhe të fiksosh jetë në pikën e saj më të ndjeshme nëpërmjet gëzimit, trishtimit, mburrjes, lëngimit, seriozitetit duhet mjeshtëri. Aty botët njerëzore japin jetën e tyre të fiksuar në një moment. Aty dëshmohet historia.

Në moshën 87-vjeçare në 1970 ai mbyll sytë e tij mjeshtërorë duke lënë një pasuri që duhet vlerësuar më shumë se harruar.

Historia e njerëzve të përkushtuar ngrihet në piedestalin e veprave të tyre.

Nga Eugent Kllapi

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!