“Edhe nga këndvështrimi im është shumë me rëndësi që Kosova të vazhdojë dialogun me Serbinë me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian dhe të shtyjë përpara normalizimin e marrëdhënieve. Debatin rreth ndryshimit të kufijve edhe unë, sikurse ju po e përcjell me brengosje të madhe”.
Kështu i ka shkruar kancelarja gjermane Angela Merkel në një letër kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Sipas deklaratës të shpërndarë për media nga LDK, Merkel falenderon kryetarin e kesaj force politike, për shkresën e datës 28 shtator 2018, me të cilën e kishte njoftuar lidhur me qëndrimet e tij rreth dialogut në mes të Serbisë dhe Kosovës.
Në letrën drejtuar Mustafës, Merkel është ndalur edhe në liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Unë jam e vetëdijshme sa e rëndësishme është arritja e udhëtimeve pa viza për qëllime turizmi për vendin tuaj. Thelbësore për Gjermaninë në këtë rast është plotësimi pa përjashtim i të gjitha kritereve, para se mund të jepet liberalizimi i vizave. Konsultimet e shteteve anëtare të BE-së rreth kësaj çështjeje janë duke vazhduar” –shkruan Merkel
Në shtator të këtij viti kreu i LDK-së, Isa Mustafa iu drejtua përmes një letre kancelares Merkel lidhur me qëndrimet e LDK-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.