MENU
klinika

Metalet e rënda

Kujdes helmimin nga këta përbërës!

18.11.2018 - 14:03

Akumulimi i shumë metaleve të caktuara në trup mund të çojë në simptoma të rrezikshme.

Ky akumulim që shkakton edhe helmim, ndodh përmes ushqimit, ujit, kimikateve industriale ose burimeve të tjera.
Trupat tanë kanë nevojë për sasi të vogla të disa metaleve të rënda , të tilla si zinku, bakri, kromi, hekuri dhe mangani dhe nëse merren më shumë seç duhet ato kthehen në toksike dhe janë shumë të dëmshme për organizmin.

Nëse indet e buta të trupit tuaj grumbullojnë shumë metale të rënda, helmimi mund të shkaktojë dëme serioze.
Plumbi, merkuri, arseniku dhe kadmiumi janë metalet më të zakonshme të lidhura me helmimin e metaleve të rënda.

Burrat dhe gratë janë njësoj të ndjeshëm ndaj helmimit të metaleve të rënda nëse ekspozohen në të njëjtën mënyrë.
Ndërsa fëmijët janë ende më të prirur për të marrë helmim nga plumbi, se sa të rriturit.

Numri i fëmijëve me nivele të dëmshme të plumbit në gjak ka rënë 85 për qind gjatë 20 viteve të fundit, sipas Organizatës Kombëtare për Çrregullime të Rralla. Helmimi i merkurit është shumë i rrallë tek fëmijët.

Helmimi i metaleve të rënda mund të shkaktohet nga:

• Ekspozimi industrial;

• Ndotja e ajrit ose e ujit;

• Ushqimet;

• Barnat;

• Enë, pjata dhe enë gatimi të papërpunuara;

• Gëlltitja e bojërave me bazë plumbi.

Simptomat e helmimit me metal të rëndë varen nga lloji i metalit që shkakton toksicitet. 

Nëse keni helmim akut të metaleve të rënda, do të thotë që jeni ekspozuar ndaj një sasie të madhe metali në të njëjtën kohë (për shembull, duke gëlltitur një lodër) dhe në këtë rast simptomat janë:

• Mpirje;

• Të përziera;

• Të vjella;

• Rënia në koma.

Ekspozimi afatgjatë ose kronik ndaj metaleve të rënda mund të shkaktojë simptomat e mëposhtme:

• Dhimbje koke;

• Dobësi;

• Lodhje;

• Dhimbje të muskujve;

• Dhimbje të përgjithshme;

• Kapsllëk.

Trajtimi i helmimit me metale të rënda

Mjeku juaj mund të rekomandojë që të bëni analizën e urinës ose gjakut për të zbuluar nëse keni helmim të metaleve të rënda. Nëse analiza tregon që ju keni helmim të metaleve të rënda, hapi i parë i trajtimit është eliminimi i ekspozimit.

Forma të tjera të trajtimit mund të përfshijnë:

  • Agjentë Chelating të tilla si: Chemet (succimer), të cilat lidhen me metalin dhe pastaj dalin nëpërmjet urinës;
  • Thithja e stomakut për të hequr disa metale të prekura;
  • Një diuretik i quajtur manitol, barna kortikosteroide, ose monitorim intrakranial për ënjtje të trurit;
  • Hemodializa ose trajtime të tjera të veçanta nëse ndodh mosfunksionimi i veshkave.

Parandalimi i helmimit nga metalet e rënda

Këshillat e mëposhtme mund të ju ndihmojnë të parandaloni helmimin me metale të rënda:

• Vishni maska dhe veshje mbrojtëse nëse punoni rreth metaleve të rënda;

• Meqë shumë metale grumbullohen në pluhur dhe papastërti, mundohuni të mos ekspozoheni në ambiente të tilla;

• Kujdes nga produktet që përdorni, lexoni etiketat;

• Të informoheni dhe të tregoni kujdes të vazhdueshëm se cilat janë burimet potenciale të rrezikshme të metaleve të rënda dhe ekspozimi ndaj tyre.