Nga Luan Rama
“Cohen vdiq… kënga dhe poezia e tij ishte padyshim një frymëzim më vete për këdo. Pak muaj më parë duke dëgjuar këngën e tij Danse Me to the end of Love, kënga e tij më frymëzoi të shkruaj një poezi për një mikun tim… Cohen shkoi, bashkë me dy kuajt e tij, këngën e poezinë, dhe ne për shumë kohë do t’i dëgjojmë këngët e tij, shkrofëtimat e kuajve të tij… ”
Më vallzo deri në fund të dashurisë- Leonard Cohen ( teksti i këngës)
Kërce gjer në fund të dashurisë
Kërce sot e dashur,
edhe pse syte e mi janë shuar në eklipsin e madh,
unë të shoh përsëri,
të bukur, me sytë e tu të ëmbël dhe buzët vermej,
ti, dashuria ime, veshur me dentelat e pranverës,
ti që kërcen për mua gjer në dehje
mbi sytë e mi të shuar,
të shoh ende e dashur
me qerpikët e lagur nga dhimbja e gëzimi,
të shoh me hapat e tua të lehtë
rrugëve të dashurisë së botës,
sa e bukur je,
ashtu siç të kam njohur gjithnjë,
si në pushtimet e netëve të gjata
dhe çmenduritë e ëmbla,
kërce e dashur, le të jetë vonë,
dhe gotat le të thyhen,
le të mos kem më sy për të parë,
ti je gjithnjë në kristalinën e syve të mi,
edhe pse sytë e mi janë shuar,
të ndjej ende si një prush të vjetër që shpirtin më ngroh,
kërce e dashur, e di që kjo dashuri kurrë s’të ka lodhur,
atëherë mbi sytë e mi kërce ende
sepse dhe pak do të vijë agimi
dhe bota do të zgjohet të vazhdojë dansin tënd,
për mua, të verbërin e botës,
që të mund të të shoh sërrish
gjer në errësirën e madhe që do n’a pushtojë…