Numri i lejeve të ndërtimit u rrit sërish në tremujorin e tretë të vitit. Instat raporton se në të gjithë vendin u miratuan 343 leje, në rritje me 11% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar.
Lejet e ndërtimit kanë arritur shifra rekord sidomos për qarkun e Tiranës. Në vetëm tre muaj, janë miratuar 104 leje ndërtimi, 60% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky është numri më i madh i lejeve të miratuara në Tiranë gjatë një tremujori, për të paktën katër vitet e fundit. Për nëntë muaj, në qarkun e Tiranës janë miratuar 268 leje ndërtimi, ndërsa për të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin miratuar vetëm 42 leje.
Rritja me afro shtatë herë e numrit të lejeve të ndërtimit dëshmon kthimin e vrullit të ndërtimeve në kryeqytet, çka është e dukshme edhe nga numri i shumtë i kantiereve që po hapen.
Megjithatë, duhet theksuar se vetëm një pjesë e vogël e lejeve të dhëna janë për pallate. Sipas Instat, nga 343 leje të dhëna në tremujorin e tretë, vetëm 10% e tyre janë për ndërtesa banimi me më shumë se tre kate.
Pjesa tjetër janë leje të dhëna për ndërtime tregtare dhe industriale, si edhe për banesa me më pak se dy kate. Nga kjo mund të kuptohet se rritja e lejeve të ndërtimi lidhet edhe me frenimin e fenomenit të ndërtimeve pa leje, si edhe me rritjen e investimeve në sturktura biznesi, si hotele apo ndërtesa prodhimi dhe shërbimesh.