MENU
klinika

Gazeta Atdheu

1945/ Çfarë zbulojnë letrat e Mit’hat Frashërit

21.11.2018 - 09:26

Nga Sulejman Gjana

Para dy vitesh, më 14 prill 2016, në numrin 7/2016 të gazetës Atdheu (organ zyrtar i PLL që patëm rifilluar ta nxjerrnim në treg) publikuam artikullin “Legaliteti dhe Balli, vëllezërit siamezë të kombëtarizmit dhe antikomunizmit” ku edhe botuam pjesërisht disa letra të Mit’hat Frashërit drejtuar Mbretit Zog në vitin 1945.

Duke marrë shkas nga kthimi në atdhe i eshtrave të Mit’hat Frashërit dhe akuzat boshe, bajate dhe patetike që, këto ditë, disa historianë-jetimë të diktaturës dhe peng të origjinës tyre kanë (ri)shfaqur në media, më poshtë gjeni artikullin në fjalë, ku në fund botojmë pjesërisht letrat e sipër-përmendura.

Në këtë korrespondencë, përveç frymës atdhetare vihet re edhe qëndrimi zyrtar i Mit’hat Frashërit dhe Ballit Kombëtar në raport me okupatorin dhe forcat e tjera, kryesisht Legalitetin.
Sipas Mit’hat Frashërit:

• Balli Kombëtar që në fillim ka pasur si princip të shkojë mirë me gjithë Shqiptarët, parti ose grupe qofshin, që ndodhen në Shqipëri, pa dyshim, veç trathtarëvet që thirrën Italinë.

• Balli dhe Zogistët janë si një degë e një trungu me dy çatalle të vegjël në majë, pra në princip nuk kanë asnjë ndryshim.

Legaliteti dhe Balli, vëllezërit siamezë të kombëtarizmit dhe antikomunizmit
(Gazeta Atdheu – Nr 7 – Fq. 14 – 14 Prill 2016)

Gjetja e këtyre letrave të shkruara nga Mit’hat Frashëri për kolonel Hysen Selmanin dhe për dijeni edhe për Mbretin Zog, që dëshmon lidhjen e ngushtë dhe miqësinë e thellë midis dy korifejve të kombëtarizmit shqiptar, Mit’hat Frashërit dhe Abaz Kupit, pavarësisht diferencës në bindjet republikane dhe monarkiste, ishte një befasi e madhe për redaksinë e gazetës “Atdheu”.

Por gjithashtu ishte befasi edhe për faktin se për nga mjeshtëria e të shkruarit ky letërkëmbim i pjesshëm është një kryevepër e publicistikës epistolare të njërit nga mendimtarët më të mëdhenj rilindës të mbramë të shekullit të kaluar, sikundër ishte i madhi Mit’hat Frashëri.

Miqësia e thellë midis Frashërit dhe Kupit buronte para së gjithash prej rolit madhor të sejcilit për çështjen kombëtare dhe për fatet e Kombit. Kauza që këta dy kolosë përplotësues të njëri-tjetrit i mbronin dhe i përfaqësonin, duke qenë njëherazi edhe kryetarë të partive kombëtariste që drejtonin, dhe me ndikim të madh në popull dhe në politikën e kohës.

Mbi të gjitha, respekti i Kupit për Frashërlliun virtuoz të kulturës dhe mendimit, buronte edhe nga fakti i origjinës së tij të shkëlqyer, si bir i Abdylit të madh të Lidhjes së Prizrenit dhe si nip i të mëdhejnve Sami e Naim, ndër Rilindasit më të ndritur të Shqipërisë.

Fati e deshi që, ndërsa Kupi pas rezistencës së 7 dhe 8 Prillit u detyrua të largohej jashtë shtetit ku u muar me përgatitjen e rezistencës antifashiste, Mit’hati në qershor të vitit 1939 krijoi organizatën e Ballit Kombëtar në shtëpinë e tij, në Tiranë.

Pas kthimit në atdhe të Kupit në 1941 dhe kalimit të tij në mal ngaqë ndiqej prej fashistëve, fati i ndihu të takoheshin në male, pasi edhe Frashëri kaloi në ilegalitet pas krijimit të Partisë Balli Kombëtar, në nëntor 1942. Tashmë i pikasur nga fashistët dhe i spiunuar nga komunistët, të cilët e urrenin! Dhe kishin arsye, sepse me fuqinë e mendimit dhe të ideve socialdemokrate europiane, e më pas me Dekalogun e famshëm, Frashëri hidhte në erë propagandën boshe komuniste…

E cila në mungesë të “proletariatit” broçkulliste në mënyrë qesharake parulla alla “socialdemokrate”, duke i huazuar dhe interpretuar në mënyrë groteske parimet e barazisë dhe frymës së lirisë e të drejtësisë shoqërore, të vjedhura nga programet e Ballit, të hartuara këto nga Mit’hati, duke u “rivalizuar” kësisoj politikisht me një kolos mendimi dhe nga aradheja e intelektualëve mendjendritur që e pasonin.

Por në fakt shkaku kryesor i urrejtjes së komunistëve ndaj Mit’hatit buronte nga urrejtja e serbëve që kryesonin PKSH-në, ndaj autorit të librit brilant “Shqiptarë dhe sllavë”, që ishte manual i kombëtarizmës antiserbe të shqiptarëve.

Shkak tjetër i urrejtjes së komunistëve kundër Frashërlliut të madh ishte inferioriteti kulturor, intelektual dhe ai i origjinës familjare të tyre, krahasuar me “bijtë e opingës” që popullonin PKSH.

Mbi të gjitha serbët e PKSH nuk mund t’ia falnin Mit’hatit, por as Kupit, stilemat e flamurit kuqezi me shqiponjën dykrerëshe dhe atë të “Shqipërisë Etnike”, që mbronin dhe përfaqësonin që të dy kolosët-miq, teksa Kupi për më tepër përfaqësonte edhe armikun institucional të serbëve, bash “Mbretin e Shqiptarëve…”.

Një arsye tjetër e urrejtjes së komunistëve kundër Frashërit dhe Kupit ishte konsiderata e lartë dhe ndihma konkrete që shefat e lartë të misioneve britanike si Bill Maklini, Xhulian Emeri, Dejvid Smajli dhe Piter Kemp-i kishin për këta dy kolosë, tek të cilët përveç konsideratës reciproke superlative kishin mbështetur edhe shpresat për rezistencën e armatosur të kombëtaristëve shqiptarë, ballistë e zogistë, gjatë LDB.

Por përveç Frashërit, Kupi kishte marrëdhënie të shkëlqyera edhe me miqtë dhe bashkëpunëtorët më të afërt të tij, Hasan Dostin (me të cilin më pas pinjollët e tij lidhën edhe krushqi familjare), dhe me Abaz Ermenin, me të cilin, në vjeshtën e vitit 1944 Kupi kreu mjaft aksione të përbashkëta në zonat e Ishmit, Prezës, Borizanës, Fushë Kuqes, Gjoles, Milotit, etj., aksione në të cilat morën pjesë edhe miqtë e tyre britanikë e për të cilat u shpreh me superlativa edhe “Radio Londra”.

Por mbi të gjitha, këta dy kolosë, por edhe ballistët e legalistët, i bashkonin deri në vdekje Tapiza dhe Mukja, në të cilat ata ishin protagonistë të marrëveshjeve atdhetare (që rezultuan në krijimin e Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë Etnike), që tmerruan serbët, Titon dhe komunistët shqiptarë vegla të tyre.

Në Mbledhjen Kombëtare të Tapizës, mbajtur më 26 korrik 1943, në shtëpinë e Ihsan Toptanit, u mblodh delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacional-çlirimtar, i përbërë nga major Abaz Kupi, Myslim Peza, Ymer Dishnica, Kamber Qafmolla e Mustafa Gjinishi, dhe delegacioni i “Balli Kombëtar”, i përbërë prej Mit’hat Frashërit, Hasan Dostit dhe Faik Qukut, e ku, me vendim të përbashkët u zgjodh Mit’hat Frashëri si kryetar i mbledhjes dhe Mustafa Gjinishi si sekretar.

Dhe më pas në Mukje, në datat 1-2 dhe 3 gusht 1943 u mbajt mbledhja e dytë e delegacioneve të Ballit Kombëtar dhe të “Nacional-Çlirimtares”, e ku në krye të pjesëmarrësve ishin sërish Frashëri, Kupi, Dosti, Dishica, Gjinishi, Orollogaj, Skënder Muço, Hysni Lepenica, Kadri Cakrani, Isuf Luzaj, Vasil Andoni, etj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN