MENU
klinika

Detajet

‘Lleshi’/ Meta ‘ia pason topin’ edhe Ruçit: Bashkëpunim i 3 institucioneve

10.11.2018 - 14:51

Vjen reagimi nga Presidenca, një ditë pasi kryeministri Edi Rama propozoi emrin e Sandër Lleshit për postin e ministrit të Brendshëm. 

Përmes zëdhënësit të tij, mësohet se presidenti “ka nisur procesin e bashkëpunimit me institucionet përgjegjëse për të marrë përgjigje të qarta, të plota dhe shteruese ndaj të gjitha çështjeve për të cilat Presidenti nuk mundi të sqarohej herën e parë, pavarësisht nga përpjekjet e tij të vazhdueshme për bashkëpunim”, duke lënë të nënkuptuar kështu edhe faktin se këtë herë ka më shumë shanse për dekretimin e Lleshit.

Reagimi i Presidencës

Reagim i Zëdhënësit të Presidentit të Republikës, z.Tedi Blushi në lidhje me propozimin e ri për emërimin e z.Sandër Lleshaj si Ministër i Brendshëm

Prej ditës së djeshme, pas mbërritjes së propozimit, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka nisur procesin e bashkëpunimit me institucionet përgjegjëse për të marrë përgjigje të qarta, të plota dhe shteruese ndaj të gjitha çështjeve për të cilat Presidenti nuk mundi të sqarohej herën e parë, pavarësisht nga përpjekjet e tij të vazhdueshme për bashkëpunim.

Lidhur me këtë proces të ri, Presidenti ka vendosur të informojë mbi kërkesat e tij edhe Kryetarin e Kuvendit, pasi procedura e emërimit të një ministri është proces bashkëpunimi i detyrueshëm e kushtetues midis tre institucioneve (Kryeministri, Presidenti, Kuvendi).

Presidenti Meta është i vendosur të përmbushë përgjegjësitë e tij kushtetuese me rigorozitet dhe brenda afateve kushtetuese, vetëm në interes të respektimit të Kushtetutës dhe forcimit të sigurisë kombëtare ku Ministria e Brendshme ka një rol kyç.