MENU
klinika

Nga New York Times

Lufta është për të dobëtit…

27.11.2018 - 14:48

Pranë kufirit të Gazës më parë këtë muaj shpërtheu dhuna kur luftëtarët e Hamasit zbuluan një njësi ushtarake izraelite elitare që vepronte fshehtazi në Gaza. Pas kësaj pati një betejë. Shtatë luftëtarë palestinezë u vranë dhe Hamasi u përgjigj duke hedhur raketa në Izrael.

Por pastaj gjërat morën një kthesë të paparashikueshme kur Hamasi filloi një sulm tjetër dhe pastaj një tjetër, e me radhë. Qindra raketa u hodhën në Izrael. Shtëpitë u sulmuan, dhe ka patur njerëz të plagosur, madje edhe një të vrarë.

Izraelitët nisën të kërkonin të merreshin masa kundër Hamasit. Ministri i mbrojtjes, Avigdor Lieberman, kërkoi që qeveria të miratojë bombardime të rënda dhe ndoshta edhe përdorimin e forcave tokësore për t’i dhënë udhëheqësve të Hamasit një mësim. Kryeministri Benjamin Netanjahu nuk e pranoi këtë. Në vend të kësaj, ai bëri armëpushim.

Në sytë e shumë izraelitëve, zgjedhja e zotit Netanjahu ishte poshtëruese dhe e rrezikshme. Sondazhet pas armëpushimit treguan se më shumë se 70 përqind e izraelitëve nuk ishin dakord me zgjedhjen e Netanyahut.

Ministri Lieberman ishte tërësisht i pakënaqur dhe e la punën si ministër i mbrojtjes dhe largoi partinë e tij nga koalicioni qeverisës, duke lëkundur themelet e një prej qeverive më të gjata të Izraelit.

Nuk ndodh çdo ditë që politikanët të dalin kundër popullit. Dhe megjithatë, Netanjahu bëri pikërisht këtë. Ai argumentoi se kishte fakte që nuk mund ti shfaqte në publik. Netanjahu e krahasoi veten me David Ben-Gurion, kryeministrin e parë izraelit, duke thënë  “Ben-Gurion mori vendime fatale. Ndonjëherë ai e bëri këtë në kundërshtim me mendimin e popullit, por me kalimin e kohës, këto vendime dolën të sakta,”.

Nëse është ende në detyrë këtë pranverë, Netanyahu do ta tejkalojë Ben-Gurionin, duke u bërë kryeministri izraelit që ka udhëhequr për më sumë kohë që nga lindja e Izraelit. Netanjahu ka treguar se është politikan i aftë. Dhe aftësitë u dukën edhe kur vendosi për armëpushim në Gaza, pavarësisht provokimeve të Hamasit dhe ankesave të Lieberman.

Kur hidhen raketa ose shpërthejnë sulmet terroriste, nisja e operacioneve të mëdha ushtarake, madje edhe lufta, është vendimi që mund të merret më lehtë nga politikanët izraelitë. Kjo për shkak se gjatë shumë viteve, izraelitët kanë mësuar të mos e besojnë diplomacinë por të besojnë ushtrinë izraelite.

Kjo është arsyeja pse përdorimi i forcës është ajo që kryeministrat relativisht të dobët tentojnë të zgjedhin. Historia e ka treguar këtë: Në vitin 2000, me kryeministrin Ehud Barak, në vitin 2006 me kryeministrin Ehud Olmert që nisi një luftë në Liban, në përgjigje të sulmeve të Hezbollahut në kufirin verior të Izraelit.

Udhëheqësit më të fortë, nga ana tjetër, kërkojnë kohë për të gjetur zgjidhjen e duhur.

Kryeministri Yitzhak Shamir, i cili udhëhoqi një nga koalicionet e krahut të djathtë në historinë e Izraelit, i rezistoi presionit për t’u përgjigjur ushtarakisht ndaj sulmeve raketore gjatë luftës së Gjirit Persik. Sharon, priti më shumë se një vit, pastaj filloi një kundërsulm në Bregun Perëndimor për të penguar Intifadën e Dytë.

Dhe tani, është koha që Netanyahu të përmbahet. Dhe durimi i tij nuk do të jetë as për shkak të frikës nga lufta, as për shkak të frikës nga pasojat politike.

Populli nuk mund të dijë përse një kryeministër bën atë që bën, çfarë planesh ka, etj.  Publiku duhet të besojë se kryeministri është personi i duhur që do e zgjidhë situatën.

Netanjahu duket se kupton diçka që disa nga kolegët e tij, si Lieberman, nuk arrijnë të kuptojnë: Një udhëheqës izraelit duhet të fitojë besimin e njerëzve dhe ai duhet ta bëjë këtë duke demonstruar se ai është i kujdesshëm dhe i vëmendshëm. Kjo është pikërisht ajo që bëri Netanyahu duke mos nxituar për nisjen e  një konflikti të ri në Gaza.

Shmuel Rosner është redaktor në The Jewish Journal, një anëtar i lartë në Institutin e Politikave Popullore Hebraike dhe shkrimtar.

New York Times

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN