MENU
klinika

Platforma e opozitës

Maliq/ Basha takim me banorët: Duhet rotacion politik

06.11.2018 - 12:49

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pati një takim me banorët e Maliqit në Korçë, me të cilët bashkëbisedoi për platformën e opozitës në rivitalizimin e sektorit bujqësor, e cila mbështetet në 3 shtylla: subvencionet direkte, Investimet në infrastrukturë dhe mbrojtja e prodhimit vendas. 

Në rastin e bujqësisë nuk ka nevojë të shpikim rrotën. Politikat për të mbështetur bujqësinë funksionojnë njësoj, si në Europë, edhe të fqinjët tanë, Maqedonia dhe Kosova. Buxheti ynë për subvencionet vitin e parë do të jetë 150 milion euro dhe do të vazhdojë duke u rritur sipas projeksionit tonë, siç do të vazhdojë të rritet edhe prodhimi i bujqësisë shqiptare.“- tha Basha.

Duke bërë një krahasim me fondet që parashikon buxheti 2019 vetëm për një grusht koncesionesh korruptive në pronësi të klientëve të qeverisë , Basha tregoi edhe burimin e financimit për ringritjen e bujqësisë.

100 milion euro do të harxhojë vitin e ardhshëm, po e lamë, vetëm për 10 oligarkë Edi Rama. Vetëm për tre inceneratorët, që janë makina të prodhimit të parave, Arben Ahmetaj do të marrë 22 milion euro për veten e tij, t’i fusë në xhepat e tij. Ne do t’i japim fund koncensioneve korruptive që na e kanë çuar kilometrin e rrugëve në 25 milionë euro.”- tha kryetari i Partisë Demokratike në takimin me banorët e Maliqit.

Sipas Bashës, pjesë e alternativës së opozitës është edhe rritja e pensioneve, para të cilat do të dalin nga dhënia fund e abuzimit të qeverisë me tenderat, ku llogariten se vetëm në vitin e fundit ka qenë rreth 500 milionë euro.

Ne do të nisim që prej ditës tonë të parë në pushtet, rritjen e pensioneve. Rritja e parë do të jetë në nivelin e 200 mijë lekëve dhe deri në fund të mandatit, pensioni minimal në Shqipëri do të jetë 250 mijë lek të vjetra për pensionist.” – u shpreh Basha.

Kryetari i opozitës i ftoi banorët e Maliqit t’i bashkohen opozitës, dhe projekteve të tyre konkrete për zhvillimin e vendit.

“Asgjë prej këtyre nuk mund të vijë pa një rotacion politik, pa një transformim total, që është po aq i nevojshëm sot sa para 30 vitesh. Para 30 vitesh kishim 13 anëtarë të Byrosë Politike që nuk mendonin për njerëzit, por mendonin vetëm për veten e tyre. Edhe sot kemi 5 banditë, 5 oligarkë dhe 5 politikanë që mendojnë vetëm për veten e tyre. Para 30 vitesh ata e kishin bërë Shqipërinë kopësht zoologjik të stalinizmit. Edhe sot këta 15 Banditë e oligarkë e konsiderojnë gjithë Shqipërinë çifligun e tyre.”- u shpreh kreu i PD-së, Basha.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN