MENU
klinika

Detajet

Mbledhja e qeverive, shkëmbim mjekësh mes dy vendeve

26.11.2018 - 14:53

Një nga 9 marrëveshjet e nënshkruara në mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës në Pejë është edhe shkëmbimi i mjekëve mes dy vendeve. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Ministri i Shëndetësisë së Kosovës Uran Ismaili nënshkruan marrëveshjen 3-vjeçare në fushën e Shëndetësisë.

Sipas marrëveshjes, në zonat kufitare, mjekët e Republikës së Kosovës do të ofrojnë shërbim të specializuar në Republikën e Shqipërisë, aty ku është e nevojshme, me marrëveshjen e re të nënshkruar sot në Pejë, mes Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Ministrit të Shëndetësisë së Kosovës Uran Ismaili, gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Marrëveshja e re e firmosur sot në Pejë të Kosovës, parashikon shkëmbimin e mjekëve në funskion të përmirësimit të strukturave shëndetësore të dy vendeve tona. Kjo pikë e re e marrëveshjes, së bashku me ofrimin e shërbimit në zonat kufitare, forcon bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë mes dy vendeve tona. Marrëveshja parashikon gjithashtu bashkëpunimin në fushën e shëndetit publik, farmaceutikës, trajnimeve të profesionistëve të shëndetit, etj.

Në zbatim të kësaj marrëveshjeje, palët do të ndërmarrin plane veprimi për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë dhe shkencave mjekësore, të cilët do të përmbajnë aktivitetet e parashikuara në marrëveshje. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë dhe Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, bazuar në këtë marrëveshje, do të ngrenë një Komitet të Përbashkët Monitorimi dhe Koordinimi, me qëllim vlerësimin e prioriteteve, në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve. Marrëveshja mes Ministrive të Shëndetësisë të dy vendeve tona është e vlefshme për 3 vite.