MENU
klinika

Në Muzeun Historik Kombëtar

Miti i Skënderbeut shpërthen në telajo piktorësh

29.11.2018 - 20:26

Nga Eugent Kllapi/

Tirana flakëron kuq e zi po dhe mbretëron nën hijen e heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut në këtë përvjetor të tij. Jo vetëm Skënderbeu madhështor që të afrohet në zhurmën lumëmadhe të sheshit të ri, po në një ekspozitë me 60 telajo në Muzeun Historik Kombëtar.

Kjo ekspozitë sjell piktorë mjaft të talentuar dhe vijnë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia për këtë vit të Skënderbeut, të organizuar vetë sipas tyre dhe pa asnjë ndihmë nga shteti, përkundrazi, siç shprehet kuratori shteti sikur do të na pengojë.

Kjo është fatkeqësi të bësh art, përkundrazi shteti duhet t’i ndihmonte me gjithçka që njerëzit e këtij shteti mos të ngelen në stadin e barbarisë kolektive por të shohin e të mendojnë art. Këta artsitë që nderojnë Muzeun Historik Kombëtar janë:

Abdi Bajrami, Adriana Puleshi, Adrian Çene, Adrian Devolli, Agim Kadillari, Agim Sulaj, Agron Dine, Agron Mulliqi, Agron Polovina, Albert Pina, Anastas Kostandini, Anila Zajmi, Arsen Kurti, Arsim Kajtazi, Azem Kuçana, Bardha Buza, Bujana Kurti, Çaush Varthi, dashamir Gurabardhi, Eshref Qahili, Edmond Kojani, Ergys Demo, Fatmir Carkanji, Gani Sadiku, Genti Proko,

Guri Madhi, Gjergj Simoni, Hysen Devolli, Idriz Berisha, Jordan Findiku, Liridon Gashi, Luan Boriçi, Naim Spahiu, Nasuf Myftari, Nerjada Dado, Nazmi Maja, Nikolin Ivanaj, Parid Dule, Pashk Përvathi, Pëllumb Bylyku, Qamil Prizreni, Rajmonda Mato, Refki Gollopeni, Rikarda Nova, Romeo Kallço, Sadik Kasa, Sali Shkupolli, Spiro Panariti, Vangjel Gjikondi, Vangjo Vasili, Veli Blakçori, Viktor Bejkosalaj, Xheneta Kadillari, Zaim Elezi,

Skënderbeu është një mit dhe nder për t’u pikturuar, një mit për të cilin nuk është asnjëherë shteruese të krijosh shprehet piktori Qamil Prizreni.

Një mit që duhet krijuar si njerëzor me madhështinë e vet sipas piktorit të njohur Kujtimi Buza për të udhëhequr. Ai akoma nuk është cekur, figura e tij është e jashtzakonshme shprehet ai. Njëkohësisht për Skënderbeun ka shumë për të bërë e për t’u lartësuar.

Qëllimi është dhe ka qenë më tepër ana e pikturës sesa heroi vetë, kështu që ajo del vetvetiu nga kërkimi artistik shprehen piktorë të tjerë, dhe piktori Pëllumb Bylyku shprehet se ky identikit sigurisht që ka një prapavije të një tradite të tërë të ndjekesve të pikturës në një shkollë profesionale, si ajo e ndjekjes së skluptorit të popullit Odise Paskali.

Në po këto ditë, një tjetër Skënderbe po kaq madhështor dhe mendues shprehet në ekspozitën personale të piktorit Agim Sulaj që nuk mungon edhe këtu me Skënderbeun e vet.

Në hapjen e ekspozitës Irena Toçi botuese është shprehur se, ‘’Jemi shumë të lumtur që iu bashkuam inisiativës sonë puna dhe vepra e të gjithë këtyre piktorëve që jetojnë në ditët tona.’’

Dëgjon njerëz që shprehen që duhet të jetë i tillë siç ka qenë, sa më diplomat dhe njerëzor. Në vrullin e këtyre shprehjeve dhe në aktiviteteve të shumta për nder të figurës kombëtare sa dhe festive të ditëpasditshme ka një dyndje dhe interesim të njerëzve për të parë pikturat e Skënderbeut dhe Krujës, heroit të tyre personal, por Skënderbeu nuk mërzitet, i pret të gjithë te holli.

‘’Pëllumb Bylyku shpreh se çdo artist ka indetitetin e vet nga ky shprehet stili për Skënderbeun, e lindur kjo domosdo në një traditë të tërë aktorësh dhe idesh dhe vetvetja, ndryshe nga kohët sot.’’

Për nga rëndësia Skënderbeu është figura më e madhe që finalizohet për kombin shqiptar si hero, kjo e paharruar në shekuj dhe e përforcuar në romantizmin shqiptar nëpërmjet nacionalizmit të shekullit të 18 dhe 19 e cila vjen më e fortë se kurrë në ditët sot në Muzeun Historik Kombëtar.

Skënderbeu në shesh nuk është vetëm, prej disa ditësh Skënderbenj të tjerë kanë pushtuar Muzeun Historik Kombëtar.

Pikturat Në ekspozitë porsi Skënderbeu në shesh rrinë rëndë-rëndë, në dritën e neoneve dhe hollit të madh të hyrjes kryesore të muzeut.

Rëndë, por të gjithë ndryshe nga njeri-tjetri, ndryshe në forma, në volume, në ngjyra, në tone, në mënyrën se si pozicionohen në kuadrat dhe në mënyrën sesi shpallin ideologji nëpërmjet 54 artistëve profesionistë shqiptarë, në mënyrën e kompozimit.

Po si i sjellin piktorët Skënderbeun me Krujën dhe çfarë dallon në telajot e tyre?

Ka variante të ndryshme të ndërtimit të figurës tonë kombëtare të Skënderbeut sipas tyre, por shumica kanë si identikit Skënderbeun e Odise Paskalit që jep një hije krenarie sa pompoziteti, largpamësie, duket sikur do të lëvizë i tëri krenar me shpatën e tij e të marrë gjithë horrllëqet e sheshit të ri, bashkë me hipokrizinë e njerëzve që bëjnë sikur i shkojnë anash, por nuk e vështrojnë. I vërteti kryelartë shikon serbes po aq sa kali përpiqet të lërë përshtypje.

Rikthehemi në holl, aty ku na presin skënderbejtë tanë. Ata përveç natyrës së tyre me një referencë fizionomie nga një e kaluar e një skluptori të popullit kanë seriozitetin, por kanë dhe stilin e tyre, kanë dhe mendimet ndryshe e sigurisht.

Brenda së njëjtës thotë një fjalë e urtë kineze ka shumë ndryshueshmëri brenda.

Pikërisht kjo ide të del në sy kur viziton të gjitha pikturat një e nga një.

Ky seriozitet shpallet të të gjithë pikturat e Skënderbeut dhe jo pa qëllim. Mitet dhe legjendat gjithmonë janë hijerëndë dhe me namuz. Në të mblidhen ajka e mendimit të një shoqërie se si do e donte veten e saj.

Ndërthurja e pikturave së Skënderbeut me pikturat e Krujës janë vendosur hijshëm, po aq sa dhe ambienti i bollshëm që kërkon më shumë njerëz dhe pritet me respekt të veçantë për njerëzit nga kuratori dhe piktorët e saj.

Piktorët në hapjen e ekspozitës kanë munduar të gërshetojnë bukur vende-vende nuancat. Ngjyrat, llojin e pikturës dhe pozicionin.

Formatet e pikturave janë të ndryshme, por dhe Skënderbeu ka pamje të rrugëtimit të tij jetësor. Nga djalë i ri, i paepur për luftra, në plak e hijerëndë porsi një i urtë tempulli.

Një Skënderbe gjithmonë pompoz, fuqiplotë, një njeri që bën historinë dhe sigurisht kjo figurë mitike duhet të bëjë medoemos historinë edhe po të mos të ishte i tillë dhe të ishte me difekte.

Figurat legjendare nuk kanë si të jenë me difekte. Ato janë shprehje e shoqërisë, dhe si shoqëri që do të identifikohet me të arrirën zbresin në stadin e narcizmit ku figura identikit ose ‘’arketipi’’ i saj është, sa individual dhe shoqëror, sa i ndryshëm dhe i njëjtë në simbolikën e tij, sa normale në sytë e ndonjë vizitori aq edhe madhështor.

Narcizmi shoqëror vuan nga aftësia për të gjykuar, pra ka pamjaftueshmëri të realitetit, po pse vallë duhet të ketë logjikë e të mos përfshihet gjithsecili në emocione kundrejt figurës më të lartë kombëtare?

Kënga nuk do logjikë më shumë se emocion të lartë, ndjenjë që përshkruhet i tëri në trup, edhe leximi i librave të mbërthen nga emocioni pa e lexon, në fund të fundit ato gërshetohen me njëra-tjetrën sepse logjika nuk mund të kuptohet pa emocionin, dhe në raste imazhologjie kombëtare do të lartësohet.

Mitikja nuk mund të kuptohet pa realitetin, dhe realiteti nxjerr një projeksion të mendimeve shumëpalëshe në epyrë për ta mbrujtur në telajo mendime.

Por Skënderbeu shihet edhe normal si qenie, por kjo qenie vjen si reference nostaligjie, morali dhe subkoshience të një figure sa njerëzore dhe mbinjerëzore, sa frut i traditës, aq edhe i përfoljeve, sa legjendar aq dhe strateg, sepse figurat kombëtare e kanë shprehur veten me veprat e tyre, nuk ka rëndësi bukuria e fytyrës apo e trupit, por madhështia që ata bëjnë ua lezetojnë të gjitha konstruktet e fizikut, edhe pa qenë, ai është tashmë shoqërisht dhe nuk mund të kundërshtohet.

Nuk mund të ketë papërsosshmëri te miti dhe legjenda pasi aty ka gjithmonë kundërveprime të forta dhe brutale, artistët e ndjejnë këtë peshë në mendimet e tyre, po fundja edhe artistët këtu janë krijuar, në gjirin e një shoqërie që ngre mite.

Asnjëherë shoqëria nuk mund të jetojë dot pa mit. Dhe neglizhenca e një miti ka hakmarrje të forta. Për simbiozën e individit dhe shoqërisë për mitin një psikolog si Fromm shprehet:

‘’Në aktin e nënshtrimit para prijësit të tërëfuqishëm individi zhvendos tek ai narcizmin e vet. Sa më i rëndësishëm të jetë prijësi, aq më i rëndësishëm është pasuesi i tij ‘’

Fundja aty përmblidhet në një, festa dhe idhulli, ideali, sepse njeriu e ka një tabu ku do të nderojë vetveten e tij të paplotësuar.

Nuk mund dot ta tejkalojë këtë, sepse i shkatërrohet e ardhmja dhe ëndrra, për këtë arsye mitet duhet të jenë gjithmonë në shoqëri dhe kanë jetuar që në kohën kur ato kanë lindur.

Edhe në qoftë se rrëzon këto mite e ngre mitin e vet, do ketë gjithmonë një tabu sipër saj që do e ndrydhë më fort, si kundërpërgjigje e rrëzimit të identikitit të tij të vjetër.

Pikturat e Skënderbeut me volume që janë të qarta për një Skënderbe që sa është ndryshe, nxjerr dhe figurën e njëjtë të Odise Paskalit.

Edhe ai identikit i skulptorit u gatua në famën e madhe të shoqërisë postnacionaliste dhe të një nacionalizmi proletar, dhe të një arene ndërkombëtare që shikonte te ai prijës për idealet e veta. Nuk numërohen veprat e Skënderbeut po dhe pikturat ndaj tij.

Ai e tejkalon figurën kombëtare dhe vjen edhe si mit ndërkombëtar për ta ndjekur në shekuj edhe modern i kohës.

Nga ana tjetër ky mit gërshetohet me nuancat dhe stilet e piktorëve, dikush përdor dysimbolikën e shprehjes së imazhit të tij me përkrenaren, shtizat, kalanë të futur në një, nëpërmjet nëvijëzimeve shprehëse.

Në këtë simbolikë gjeomotrike që nuk duket aq fort sa Skënderbeu, shprehet po ai Skënderbe me të gjithë arsenalin e jetës së tij, dhe kjo vjen si një jetë ndërgjegjeje e një artisti si Bylyku në një parzmore mendimesh dhe idesh sa nga koshinetja aq dhe nga subkoshienca.

Por arti në vetvete nuk do më shumë sedër sesa shpërthim narrativ dhe vrull ‘të marri’ që lejohet në këtë univers kulture. Sa më i mirë të jesh artistikisht, aq më njerëzor je për të ardhmen e shoqërisë. Duhet sublimja që nuk vjen si zakonisht, do kohën dhe mendimin e saj.

 

Dikush i ngjesh më fort rrumbullaksinë e volumeve dhe ngjyrën e bardhë, dikush aty përdor të kuqen, dikush ngjyrën e tullës, po nuk mungon dhe e hirta e zënë pothuajse në zhdukje, nuk ngelet pas e verdha e ndezur qe jep impresion.

Nën madhëstinë e një faqeje të kuqe të projektuar me forma gjeometrike sikur shpallet luftë dhe gjysma tjetër e faqes sikur shpreh krenari të zbehtë në vetullën që ngrihet sipër vetes si një prepotencë e dytë, po aq sa vetë Skënderbeu për të mbajtur përkrenaren.

Në një Skënderbe tjetër është dhe një klerik po që të dy nuk shihen, duhet të tregohet mesazhi që janë bashkë më shumë se fytyra që ndjell krenari.

Por Skënderbeu shihet edhe me popull, me luftëtarë të thjeshtë që të kujton se ai është më shumë se mit njeri, dhe nuk do mitizuar por do nderuar për veprën e tij.

Në një Skënderbe kalon nëpërmjet simetrive të vijëzimeve dhe të një koloriti të fortë të kuqe nëpërmjet kompozimit sa dhe Skënderbe që shpall urtësi me flokët e tij të bardhë që sikur tregojnë jetëgjatësinë në Beteja.

Në të gjitha këto volume të qarta ka dhe Skënderbe gjasme të shtrirë që shpallin supermaci si dhe me shpatë që shpallin kryelartësim në beteja.

Në fund të fundit të gjithë Skënderbejtë janë tanët, janë shoqërorja jonë e shtrydhur nëpërmjet hijedritave të artistëve që kanë nderuar Muzeun Kombëtar me profesionalizmin e tyre.

Nuk ngopesh me Skënderbeun, sepse me mitin nuk mund dot të ngopësh. Simboli në një figurë ndjell gjithmonë dëshirë për të pasur, në qoftë se kjo ikonë nuk flet gjithmonë atëherë konotacioni i kuptimit kthehet pa domethënie, pa kuptim, në arbritaritet.

Dhe simboli duhet të shprehë gjithmonë legjendën domethënien, konotacionin që të jetë art.

Megjithë mundimet shumëvjeçare të një realizmi socialist që kishte konture të caktuara të zbatimit të ideologjisë piktorët shikonin një lloj hapësire për t’u realizuar shpirtërisht dhe mjaft profesionalisht.

28 vjet është vuajtur shumë për krijimin e një vlere moderne edhe në art, një hardisje dhe mërzimi duke livadhosur në forma arti pa art, në amatorizëm deficience që shpie në amortizim mendimi, ku i gjithë populli siç ka qënë ushtar do të bëhet artist apo gazetar, por artistët janë të një tjetër brumi, artistët vijnë nga dramat shoqërore, dhe, sa më tepër dramat të jenë të fuqishme, aq më tepër janë të realizuar shpirtërisht nëpërmjet penelave.

Ndjenja nuk ka logjikë dhe marketing, ndjenja lind me njeriun, brendësinë e tij, filozofinë e mendimit dhe kjo shpreh art. Arti është një lëm që jo të gjithë e kapin, të gjithë e duan dhe të gjithë e përjashtojnë për aq kohë sa ta kuptojnë, e bukura ka pafundësi brenda pafundësisë së saj të mendimit.

Kjo duket fare mirë te Skënderbeu që shëtit nga Kruja në Krujë nëpër telajo dhe sa vjen fundi i pikturave me dëshirë të madhe do t’i rikthehesh edhe një herë për të bërë selfie me piktorin e dëshiruar dhe Skënderbeun tënd, ashtu si do e doje ti, me ato tipare të artistit tënd të preferuar, një Skënderbe ndryshe vetëm për ty.

Ai gjithashtu trajtësohet në tjetërsim deri në fund dhe sa del nga holli lartësohet në gur përballë teje, por më shumë se guri të duket sikur do ta nisësh ekspozitën nga e para.

Pasuria më e madhe është shpirti i artistit që gdhendet në art, por po të shitet një Skënderbe i tillë përfundon si thonë piktorët aty si ‘’Kokoshi një thelë’’, dhe arti përqesh xhepat e blerësve.

Por piktorët përbëhen nga ky shpirt, pjesa tjetër është një e zakonshme e një njeriu normal, të padallueshëm me të tjerët. Ai është gjithë projeksioni i një shembëlltyre të dredhive shoqërore, veçse atij nuk i shkasin këto aq lehtë dhe shkrihen në punën e tij.

Skënderbeu qëndron aty në shumë trajta e mendime, në shumë forma e profesionalizëm, ai të pret në këtë vit të tij, është madhështor sa njerëzor, diplomat sa strateg, në hollin e Muzeut Historik Kombëtar. Mos ngurroni ta vizitoni deri në 6 dhjetor, nuk do të bëheni pishman!

Selfiet bëhen shumë bukur me një dashnor të përjetshëm, Skënderbeun.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN