MENU
klinika

Kërkon libra teologjikë

Monstra i Selenicës refuzohet edhe nga të dënuarit

02.11.2018 - 19:47

Ritvan Zykaj, i akuzuar për masakrën në Resulaj në Selenicë, ku mbetën të vrarë tetë kushërinjtë e tij, do të gjykohet në Gjykatën e Vlorës.

Por aktualisht, Prokuroria e këtij rrethi po pret raportin e ekspertimit psikiatrik, raport i cili do të jetë edhe përcaktues me procedurat e mëtejshme me të riun.

24- vjeçari, i cili u arrestua më 11 gusht, një ditë pas masakrës, është braktisur nga familja pasi askush prej tyre nuk është paraqitur për ta takuar. Gjithashtu, i riu refuzohet dhe nga të burgosurit e tjerë. 24-vjeçari është në pritje të seancës së radhës gjyqësore, pasi Gjykata e Vlorës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg”, dy ditë pas arrestimit. I riu u dorëzua një ditë pas masakrës, ndërsa për shumë orë qëndroi i fshehur.

Çështja e tij tashmë po hetohet nga Prokuroria e Vlorës. Ndërkaq, Prokuroria është ende në pritje të aktit të ekspertimit psikiatrik të Ritvan Zykajt, pasi ky raport mund të ndryshojë krejtësisht procesin ndaj tij. 24-vjeçari ka qëndruar për rreth një javë në Tiranë për kryerjen e këtij ekspertimi, ku do të përcaktohet nëse është person i përgjegjshëm ose jo mendërisht.

Përveç kësaj, Prokuroria është në pritje edhe të rezultateve të laboratorit të Policisë Shkencore që kanë këqyrur vendin e ngjarjes dhe të kufomave, mes të cilëve ishin gjashtë persona të rritur dhe dy fëmijë. Pas përfundimit të ekspertizës, Prokuroria e Vlorës pritet të kërkojë dënim maksimal për 24-vjeçarin, që në vendin tonë është dënimi i përjetshëm.

Ngjarja e rëndë në fshatin Resulaj ndodhi më 10 gusht. Ritvan Zykaj, pas një dreke familjare qëlloi me kallashnikov familjen e vëllait të gjyshit të tij. I riu u fsheh pas krimit, ndërsa u vu në pranga nga forcat e FNSH-së vetëm një ditë më pas. Shkak për ngjarjen u bënë akuzat e shpeshta që ata i bënin 24- vjeçarit për vjedhje.

Zykaj mësohet se qëndron i izoluar në qelinë e paraburgimit në Vlorë. Mësohet se daljet e tij për ajrim janë të rralla. Ajo që u ka bërë përshtypje punonjësve të sigurisë ka qenë kërkesa e 24-vjeçarit për libra, ku ndër to janë dhe libra teologjikë. Nga ana tjetër, Zykaj nuk ka shfaqur shenja agresiviteti apo probleme të tjera, ndërsa nuk e refuzon ushqimin apo rrobat që i afrohen nga punonjësit e paraburgimit.

Deri tani askush prej familjarëve dhe të afërmve të tij nuk janë paraqitur për ta vizituar. Ngjarja e rëndë dyshohet se ka ardhur pasi i riu është prekur nga akuzat e herëpashershme që i bëheshin si autor i vjedhjeve në banesat e viktimave. Për pasojë, ai ka marrë një armë kallashnikov dhe ka vrarë të gjithë personat që gjendeshin në dy banesat e kushërinjve të tij.

Demir Zykaj, vëllain e gjyshit të tij, bashkëshorten e tij, Perri Zykaj, si dhe dy djemtë e tij, njëri prej të cilëve bashkë me dy fëmijët 8 dhe 15 vjeç. Albi Zykaj është i vetmi i mbijetuar i familjes së viktimave të tjera, Besim dhe Vasilika Zykaj. Kurse dy djemtë e Asimit dhe Afërditës nuk ndodheshin në shtëpi ditën e ngjarjes, pasi njëri ishte në Greqi dhe tjetri në punë.

Pak ditë pas ngjarjes, dy prindërit e Ritvanit janë larguar nga banesa, duke lënë aty vetëm gjyshërit e 24-vjeçarit. Krenar Zykaj, 51 vjeç, është i vetmi që ndodhej në banesë dhe që arriti t’i shpëtonte masakrës. Ai nuk dëgjonte dhe për rrjedhojë nuk i ka dëgjuar të shtënat, teksa ka qenë në gjumë.