MENU
klinika

Strategjia e ministrit Majko

Një bankë për diasporën?

26.11.2018 - 15:29

Strategjia për Diasporën 2018-2024 parashikon nxitjen e promovimit të produkteve specifike bankare për diasporën dhe të politikave bankare të veçanta apo krijimin e Bankës për Diasporën. Ajo inkurajon sistemin bankar të ndërmarrë një reformë për sa u përket normave të interesit, të cilat do të nxisin diasporën të shkojë një hap më larg se sa transferimi i pagesave në vendin e origjinës.

Sipas strategjisë, fondet e depozituara nga migrantët mund të përdoren për dhënien e kredive lokale. Kursimet e diasporës mund të kthehen në kredi më të lira, të cilat do të përkrahin bizneset vendore. Më tej, ajo nxit krijimin e një platforme, e cila do të ofrojë fonde për mikrokredi për diasporën dhe migrantët. Kjo mund të bëhet edhe përmes institucioneve ekzistuese mikrofinanciare.

“Shoqatat lokale mund të transformohen në kooperativa ekonomike, përmes qasjes në kredi të financuara nga diaspora, si dhe ndihmës teknike që ofrohet nga projektet. Kështu, diaspora mund të preferojë kanalizimin e fondeve drejt bizneseve të një kreditori të panjohur e jo një të afërmi me lidhje familjare, pasi kjo rrit mundësinë e kthimit të kredisë. Pagesat për familjen apo miqtë mund t’i ekspozohen rrezikut që të kuptohen më shumë si “dhurata” e jo si huamarrje,” thuhet në strategji.

Investimet e diasporës, sipas projektit,  do të orientohen drejt bizneseve kolektive, të cilat do të vlerësohen me rëndësi për komunitetet e diasporës. Në këto raste, migrantët do të kenë pjesën e tyre të drejtpërdrejtë në biznese. Strategjia parashikon se kjo do të bëhet përmes përkrahjes ndaj iniciativave kolektive apo bizneseve private, për shembull, duke zgjedhur një sektor të caktuar ekonomik me rëndësi më të madhe për komunitetet lokale.

Në fund, sa i përket përfshirjes së diasporës në ekonomik, strategjia parashikon se ajo do të inkurajohet të marrë pjesë me përparësi në projekte të partneritetit publik-privat dhe të investojë në projekte infrastrukturore.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dossier/ Tregu i punës

Gjermania hedh sytë në Shqipëri