Për vendimet e fundit të maxhorancës, miratimin e dekretit të Presidentit Ilir Meta për shkarkimin e Fatmir Xhafajt si dhe emërimin e Sandër Lleshit zëvendës ministër i Brendshëm, kryeministri Edi Rama ka reaguar në “Twitter”.
“Dakordësi e plotë në Grupin Parlamentar. Kuvendi do të miratojë nesër dekretin e Presidentit për shkarkimin e ish-ministrit të brendshëm. Sandër Lleshi do të marrë drejtimin e MB si zëvendës ministër. Por nuk mbaron me kaq. Për më shumë do t’i drejtohem Kuvendit nesër në 10.00”, shkruan kryeministri.
Kryeministri Rama është takuar paraditen e djeshme me Presidentin Meta, i cili nuk e dekretoi Sandër Lleshin Ministër të Brendshëm. Por edhe pas refuzimit, Rama nuk ka hequr dorë nga emërimi i Lleshit në një formë tjetër.
Në mbledhjen e sotme të grupit të PS u mor vendimi që gjeneral Lleshi të emërohet në postin e zv/ministrit të brendshëm, por do të gëzojë kompetencat e ministrit.
Për këtë arsye parlamenti do të mblidhet ditën e martë në një seancë të jashtëzakonshme në orën 10:00.