MENU

Nga Mentor Nazarko

Pas Gruevskit, do ketë arrestime apo arratisje në Ballkan?

17.11.2018 - 16:08

Arratisja e Gruevskit nga Maqedonia, jo thjesht prej vendeve se nga ka kaluar, është një ngjarje e cila nuk ka implikime vetëm maqedonase, por implikime ballkanike dhe më gjerë se kaq. Gruevski, ish-kryeministri më jetëgjatë i Maqedonisë, u largua pasi Gjykata e apelit e konfirmoi dënimin dy vjeçar për rastin ‘Titaniku’.

Pra për favorizim të një kompanie që i shiti qeverisë maqedonase një makinë Benz 600 mijë euroshe të blinduar. Gruevski iku vetëm pasi pa të konfirmuar dënimin, pasi patën dështuar negociatat e fshehta, që ai mos ta bënte këtë dënim.

Sipas këtyre negociatave ai kërkonte shtyrjen e dënimit, dhe jepte në këmbim heqjen e pengesave, ose mobilizimit që ai kishte krijuar me partinë e vet për të penguar jetësimin e Marrëveshjes së Prespës. Politikanët në Shkup besonin, ose bënin sikur besonin se për shkak të kontrollit që ushtronte Ministria e Brendshme mbi lëvizjet e Gruevskit, ikja e tij, arratisja e tij nuk do të ishte e mundur. Mirëpo Gruevski nuk u dorëzua. Prokuroria Speciale, vijoi me arrestime ku :

ka arrestuar ish-ministrin e Transportit, ish-sekretarin e përgjithshëm të qeverisë së Gruevskit dhe priten edhe arrestime të tjera. Në fillim u supozua se ai ka ikur me makinë diplomatike me targa serbe drejt Hungarisë, mirëpo më pas u konfirmua se ka kaluar nga Maqedonia, në Shqipëri, në Mal të Zi, Serbi dhe pastaj drejt Hungarisë, një vend në të cilin Gruevski kishte marrëdhënie të shkëlqyera.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, kishte marrë pjesë në fushatën elektorale për zgjedhjet lokale në 2017, kishte kundërshtuar Marrëveshjen e Prespës; kapitali hungarez është i pranishëm edhe me blerjen e mediave maqedonase apo në biznese të tjera. Kësisoj gjërat u sqaruan.

Kështu që në këtë kuptim, ikja e Gruevskit në Hungari, krijon një lloj loje gjeopolitike. Së pari krijon në mënyrë natyrale një presion të Bashkimit Europian mbi Hungarinë, që është vend anëtar i saj, sepse në përgjithësi legjislacioni i azilit është relativisht i unifikuar dhe në këtë kuptim presioni i BE-së mbi Hungarinë, do të synojë që ky vend problematik të gjejë një zgjidhje që të respektojë sovranitetin e Maqedonisë, por edhe që do të ishte në unison me politikat e vendeve të tjera europiane. Bashkimi Europian do të njohë një tjetë krize autoriteti, dinjiteti dhe uniteti, prej Orbanit problematik.

Së dyti është një rebus: krijohet një novelë e verdhë gjeopolitike për shkak se Gruevski në këtë moment mund të jetë subjekt edhe i një ikjeje nga Hungaria për të shkuar në një vend tjetër. Disa flasin për Turqinë, disa flasin për Rusinë, dhe kriza e Bashkimit Europian thellohet. Thellohet gjithashtu sepse autoriteti i tij në Maqedoni do cënohet sadopak.

Arrestimi i Gruevskit mendohej si lëvizje e cila përveç se do të garantonte zhvillimin normal të miratimit të Marrëveshjes së Prespës, të miratimit të ndryshimeve kushtetuese, por jo vetëm. Besohet se do të shënonte gjithashtu një goditje për atë nomenklaturë që bashkë me Gruevskin, siç rezulton edhe nga përgjimet, ka bërë abuzime të mëdha, duke u përfshirë në afera të mëdha korruptive.

Për këtë arsye Prokuroria Speciale e udhëhequr kryesisht nga amerikanët, nën ndikim e tyre dhe të kryeministrit Zaev, kishte filluar çmontimin e atij grupi të madh pushteti që përfaqësohej nga lidhjet midis oligarkëve, përfituesve të privatizimit, tenderave publikë dhe ministrave të palëvizshëm prej 4 mandatesh rresht, që kishin Gruevskin si garantues të tyre kryesor. Ndaj arratia e Gruevskit është një lloj sfide për Bashkimin Europian, i cili ndërsa ka nxitur aksionin e Prokurorisë speciale, ndihet e pafuqishme përballë Hungarisë, apo ndonjë vendi tjetër nëse Gruevski do të lëvizë prej Hungarisë.

Së treti, do duhet imagjinuar që arrestimi i Gruevskit megjithë specifikat që ka Maqedonia do rrezatojë dhe në Ballkan, në vende të cilat vuajnë nga një problematikë e ngjashme: mungesa e qarkullimit të elitave, që kontrollojnë pushtetin prej disa mandatesh. E veçanta është që qeveria e re është në pushtet prej një kohe të shkurtër dhe për këtë shkak do arrestoheshin ish ministrat! Ministrat maqedonas nuk kanë ende keqbërje të dokumentuara, ndërkohë në vendet e tjera, kemi të njëjtat shumica që qeverisin prej një kohe të gjatë.

Së katërti, efektet e reformës në drejtësi, në Maqedoni janë shumë të forta, madje pa kundërvënie të forta si dukej në fillim. Nuk ka reagime popullore në mbështetje të Gruevskit, madje as mbështetje serbe, ruse, apo turke, si imagjinohej. Nuk ka destabilizim. Për më shumë Prokuroria Speciale maqedonase po vepron mbi bazën e kuadrit ligjor të vjetër, pa ndryshime të mëdha kushtetuese, ndonëse mbi bazën e një marrëveshje politike. Për më shumë ajo është themeluar mbi bazën e përgjimeve që publikoi Zaev, dhe që prej kësaj prokurorie konsiderohen si prova, ndërkohë që në vendet e tjera si Shqipëria, Kosova përgjimet e paautorizuara nuk janë të ligjshme.

Ikja e Gruevskit në kaq shumë vende – Maqedoni-Shqipëri-Mal të Zi-Serbi-Hungari ngjan e pamundur të mos jetë zbuluar pa lënë gjurmë nga shërbimet e vendeve si SHBA, apo vende të tjera europiane, diçka që nxit fantazinë për versione konspirativiste.

Perëndimi nuk ka dashur të destabilizojë më tej këtë vend të vogël, apo nuk ka dashur të poshtërojë një njeri që ka udhëhequr kaq gjatë Maqedoninë duke e arrestuar për blerjen e një makine? Sido që jetë apo sido që të ishte: arrestim apo arratisje, shembulli i Gruevskit, krijon një precedent për Ballkanin. Do ketë politikanë të nivelit të tij, që ose do arrestohen, ose do arratisen. Me leje, apo pa leje.

Jo të gjithë do të veprojnë si kolegët e Gruevskit, që si thonë në Shkup, preferojnë të bëjnë ca vite burg,dhe të hanë qetësisht paratë që vodhën.  

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kërkesa për azil politik

KE flet rreth arratisjes së Gruevskit