Më 15 dhjetor, Partia Demokratike, do të mbledhë Kuvendin Kombëtar, me qëllimin për t’ju hapur rrugë zgjedhjeve në të gjithë strukturën bazë.
Ky takim do të shërbejë gjithashtu për të përcaktuar ekipin me të cilin Lulzim Basha synon fitoren e zgjedhjeve lokale dhe rikthimin e së djathtës në pushtet.
Procesi i ristrukturimit nisi në shtator ndërkohë që në të gjitha degët janë zhvilluar zgjedhjet për seksionet dhe grup seksionesh.
Të shtunën dhe të dielën do të mbahen zgjedhjet në degë ku do të përzgjidhen dhe kryetarët e rinj.
Pjesa më e madhe e të deleguarve për procesin e ristrukturimit kanë sjellë në selinë qëndrore të PD-së emrat e kandidatëve.
Në shtator Kuvendit Kombëtar i ka përfunduar mandati ndërsa nënrkyetarët dhe sekretariati ka mandat deri në fund të nëntorit.
Kuvendi kombëtar do të jetë vetëm zgjedhor pasi muaj më parë u bënë ndryshime statutore dhe nga ky forum do të dalë Këshilli i ri kombëtar i cili do të zgjedhë kryesinë e PD-së, nr 2 të partisë, sekretarin e përgjithshëm, nënkryetarët dhe sekretariatin.
Ethet e garës tashmë po ndihen në selinë e PD-së ndërsa mbetet për tu parë kush do të jetë ekipi i ri i Lulzim Bashës për betejën e zgjedhjeve lokale të qershorit dhe betejat e tjera elektorale.