MENU
klinika

Detajet

Personaliteti i Skënder Luarasit nuk lejon të keqpërdoret

03.11.2018 - 10:13

Skender Luarsi ka theksuar: ”Me “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, nis udha e romanit modern shqiptar”. Ne disa media jane publikuar shkrime mbi debatin e S.Luarasit ne mbrojtje te ”Gjeneralit” te Kadarese, ku tjetersohet e verteta me thashetheme dhe fantazi, diku shkruhet se kinse eshte grindur edhe me Fatmir Gjaten kur debatoi per ”Gjeneralin”, kur ne fakt kjo ka ndodhur ne nje vend dhe per teme krejt tjeter… Dhe kjo sajohet meqe F.Gjata e ka kritikuar dikur Kadarene. Nderkohe, njeri prej deshmitareve, S.Kelliçi ka shkruar:” Befas në podium u shfaq Skënder Luarasi, profesor i letërsisë angleze në Universitetin e Tiranës, përkthyes i njohur e studiues, sidomos i veprës së Migjenit.

Pasi foli për vlerat e mëdha të romanit, mbaj mend se përfshiu sallën me vështrim domethënës, e pastaj, pa më të voglin ngurrim, shqiptoi: “Me këtë vepër nis romani shqiptar!…” ( Ne fakt Luarasi ka thene ”NIS RRUGA E ROMANIT MODERN SHQIPTAR” Shen. i Petro Luarasit). Salla menjëherë u mbulua nga mërmërima. Ata që ndodheshin në presidium, shkrimtarë të njohur mbetën nga ky përcaktim. Edhe Fiqrete Shehu, e shoqja e kryeministrit “të hekurt”, pranë tij, u topit. Doemos që atyre nuk u pëlqeu një vlerësim kaq kategorik, aq më tepër që dilte nga goja e një njeriu, i cili shquhej për shprehje të acikta e pa kompromis, të cilat zor se do të kishte guximin t’i thoshte dikush tjetër.

Domethënia e kësaj shprehjeje ishte e madhe, madje tronditëse. Skënder Luarasi dëshmonte hapur se romanet që ishin shkruar deri atëherë, kishin vlera të kufizuara. Dhe në këtë mes përfshiheshin romani “Çlirimtarët” i Dhimitër Shuteriqit në dy vëllime, i cili për hir të së vërtetës, duhet thënë se kishte mbetur i papërfunduar, romani “Para agimit”, i Shefqet Musarajit, romani “Ata nuk ishin vetëm”, i Sterjo Spases, “Hasta la vista” i Petro Markos, (këto dy të fundit ishin vepra të vlerësuara nga lexuesi dhe kritika), e romane të tjera që nuk kishin lënë gjurmë. Pra, duke vlerësuar kështu “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, Skënder Luarasi mohonte në një farë mënyre romanin e deriatëhershëm shqiptar.

Mos ishte ndonjë kokëkrisje marroke?

Jo, Skënder Luarasi ishte burrë tepër i kulturuar, për më tepër, siç e thamë më lart, njohës i shkëlqyer i letërsisë angleze,gjermane dhe botërore. Si pasojë, atij nuk i pëlqente qorrsokaku në të cilin ishte hedhur letërsia shqiptare e ndrydhur në kanunet primitive të realizmit socialist. Duke u shprehur në këtë mënyrë, ai nuk mohoi aftësitë e shkrimtarëve, por, tërthorazi, këtë metodë që i shtynte ata të shkruanin vepra, të cilat i nënshtroheshin kësaj metode, e si pasojë ishin skematike. Mirëpo kjo shprehje tingëllonte doemos nihiliste, për të mos thënë… armiqësore. Skënder Luarasi u thoshte hapur shkrimtarëve, edhe prapa tyre, edhe zyrtarëve komunistë, se ja një vepër e tillë si “Gjenerali…”, shkruar nga një djalosh 26-vjeçar, një vepër moderne, me stil të përkryer, jashtë artificiales e shabllonizmave që ishin parë deri atëherë në prozën tonë, duhej të bëhej shembull për ta në të ardhmen.Sfida e madhe dhe nuk mund të kapërdihej lehtë.”

Ndersa Elena Kadare, e ka pershkruar ne 3 faqe kete ngjarje te bujshme. (Elena Kadare, Kohe e mjaftueshme, f.120-123)

Me tej ju ftoj te lexoni kujtimet e S.Luarasit per kete teme: “Në atë mbledhje në seancën e parë folën Trim Gjata dhe Kudret Velça. Që të dy edhe se pse dhanë mendime të ndryshme, qortuan autorin për atë pjesë tek e cila i zoti i shtëpisë ku bëhej dasma e priti mirë me nderime gjeneralin e Ushtrisë së vdekur… dhe …”do të bënte mirë ta vriste dhe atë”. Punë për ta. Musaraj që kryesonte mbledhjen, gjatë pushimit më pyeti mua ndë do të thosha edhe unë nja dy fjalë. Pyetja u duk sikur m’u bë në një formë lutëse, dhe ju përgjegja se mund të jepja edhe unë mendimin për këtë roman, por nga fundi i bisedave. Kur u çel seanca e dytë, kryesonjësi (Shefqet Musaraj) u ngrit e tha: “Tani do të flasë Skënder Luarasi”. “Po mirë”. Thashë: “Ky roman më pëlqeu shumë. E lexova me një frymë brenda 24 orëve. Një natë të tërë nuk fjeta… Shtova se me “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, nis udha e romanit modern shqiptar… Në stilin e tij duke menduar sipas atyre pak romaneve të huaj që kam lexuar, Ismail Kadareja më duket se qëndron më afër Heminguejt…”. Pse jo Shollohovit?”, më pyeti Ibrahim Uruçi.

“Nuk e njoh Shollohovin”, iu përgjigja. “Pse nuk e njeh”, më tha ai. “Ja nje znaju paruski”. (Nuk di rusisht) “Pse s’e ke lexuar në përkthimin shqip?” ma ktheu ai. “Nuk më pëlqen ta lexojë një vepër letrare nga përkthimi i përkthimit të përkthimit. “Donin e qetë” e ka lexuar në bibliotekën e Brigadave Internacionaliste në Albaceta të Spanjës. Por ju lutem, a s’më thoni, pse më ndërprisni fjalën në mes?” Dhe vazhdova… Më shumë u përqëndrova në përshkrimin e dasmës, mbrojta mikpritjen e fisnikërisë së babait të dhëndrit, lëvdova zotësinë artistike të shkrimtarit q’e ka shpëtuar gjeneralin nga ndonjë krim (duke e patur vënë atë në dispozicion gjatë luftës) dhe karakterin e mrekullueshëm të gjeneralit dhe të priftit që e shoqëronte. Nga gjithë episodet e bukura “thashë” më mahniti qëndrimi i plakës Nicë dhe humanzimi i saj i lartë kur ua përplasi gjeneralit dhe priftit thesin me kockat e kolonelit: “Merri të mallkuarat, se edhe këto kockat e birit të një nëne janë!”. Përshkrimi im qe i shkurtër dhe e mbarova me fjalët:

“Kur mbarova së lexuari këtë roman, më kapi malli e më erdhi keq që nuk u ndodha në atdhenë tonë gjatë Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, se do të kisha njohur Shqipërinë duke ecur në gjurmët e partizanëve”. Sa ndenja shesh, u ngrit kryesonjësi i mbledhjes, e përballë 200-300 vetëve, më tha: “Ti po të kishe qenë këtu gjatë lëvizjes sonë, do të kishim dhënë një plumb prapa kurrizit!”. Për të parën herë në jetën time ndjeva me çfarë shpejtësie vetëtime veprojnë shqiast e njeriut për vetë-mbrojtje. Ndërsa ktheva sytë ndër të mëngjër për të vënë re përshtypjen që bënë ato fjalë të mallkuara në fytyrën e dëgjonjësve (dhe vura re me kënaqësi se ato fjalë i çuditnë si një rrufe në një qiell të kaltër) veshët më zunë në të djathtë fjalët e Fadil Paçramit, i cili rrinte në fronin në të djathtën time, që tha: “Ja çasti”. Në atë sekondë kur sytë më panë atë nënshtypje, e veshët më dëgjuan këto dy fjalë dhe me vete mendoja si do të filloja përgjigjien që do t’i jepja Shefqet Musarajt, e Koço Vasili përveshi llërët dhe m’u drejtua me fjalët: “Në ç’brimë miu ishte futur ti kur ne luftonim!… Në ato çaste një personalitet u ngrit në këmbë dhe doli jashtë sallës, dhe pas tij edhe të tjerë… Milto Sotir Gura më zuri për krahu dhe më tha të shkonim. Kështu mori fund mbledhja. ” Të nesërmen e diskutimit më lajmëruan se për qëndrim “të papajtueshëm…”, përjashtohesha nga Klubi i Lidhjes së Shkrimtarëve”, thuhet në kujtimet e Luarasit, gjë e cila ndodhi pasi ai mbrojti “Gjeneralin” e Kadaresë dhe debateve që pati.

Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!