Nga Andreas Dushi/
Po ta krahasojmë me shkruesit e tjerë të hershëm të gjuhës shqipe, shohim se për Pjetër Budin jemi më të qartë se për çdonjërin prej tyre. Si duket, rasti i tij është i kundërt me atë të Gjon Buzukut për të cilin dimë fare pak.
Disa të dhëna të thjeshta biografike për të na tregojnë se Budi lindi në vitin 1566 në Gur të Bardhë. Qysh kur u rrit pak, deri në moshën 21 vjeçare, si xhakon shërbeu pranë disa ipeshkvinjëve shqiptarë deri sa, në vitin 1587 u dorëzua prift.
Shërbimin meshtarak e ushtroi për plot 29 vjet në trevat shqiptare të Kosovës e Maqedonisë, 12 prej të cilave si meshtar i thjeshtë dhe pjesën tjetër si vikar (mëkëmbës) i Ipeshkvisë së Tivarit. Pastaj u dërgua në Romë ku mes viteve 1616 – 1622 shtypi mjaft libra në gjuhën shqipe dhe kërkoi mbështetje nga jashtë për qëndresat shqiptare ndaj turqve.
Ishte data 10 korrik e vitit 1621 kur Budi, akoma në Romë, u emërua Ipeshkëv i Zadrimës, shërbesë që do e kryente vetëm gjatë një viti pasi në fund të 1622 vdes duke u mbytur në lumin Drin ndërkohë që kalonte mbi një urë për të shkuar në një fshat.
Këto të dhëna na vijnë nga parathëniet dhe mbasthëniet e veprave të Budit, nga korespondencat e vazhdueshme me kardinalin Gocadini si dhe nga shënimi i Fralatit në “Iliricum Sacrum”.
Ndonëse Budi, sikurse cek në dy raste në letërkëmbimet me kardinal Gacodinin, nuk kishte një arsim të plotë dhe të mirë, falë studimeve të kryera edhe gjatë shërbimit meshtarak dhe ipeshkvnor, ja doli të formohej aq mirë sa të bëhej një ndër autorët më me vlerë të periudhës kur jetoi dhe një ndër udhërrëfyesit e shqiptarëve të sotshëm në errësirën e prapambetjes së mesjetës.
Vepra e tij ishte fillimisht ishte me karakter diadktik katolik (katekistik), pra synonte t’u mësonte katolikëve disa baza e themele mbi atë në çfarë besonin. Sipas studiuesit Selman Riza, gjatë 17 vjetësh, e pikërisht qysh prej vitit 1599 deri në vitin 1616, Pjetër Budi veproi vijanos si ndriçues fetar katolik në gjuhën amtare shqiptare.
Selman Riza, i pari nga e djathta
Gjithashtu, ai ishte një poet i zoti i cili, me mënyrën e vjershërimit vendosi disa baza që vlejtën për shekuj me radhë mbi të cilat, në disa kultura e kontekste, ndërtohej vetë krijimtaria letrare.
Vepra e Budit ishte në dorëshkrim dhe një pjesë e saj, e shtypur, por mjerisht sot mund të flitet fare pak për atë që jetën e kaloi në dorëshkrim, pasi në fare pak kohë, humbi plotësisht. Për veprën e shtypur që është një visar i çmuar i letërsisë tonë, mbetet të flasim një herë tjetër.