Ministria e Brendshme u kërkon të gjitha subjekteve tregtare që të ndërpresin importin, magazinimin dhe tregtimin e të gjitha lëndëve plasëse, mjeteve shpërthyese dhe piroteknike me efekt të tillë, të cilat i drejtohen tregut të gjerë.
Gjithashtu nxitet të ndërpritet menjëherë tregtimi dhe të dorëzohen produktet me këtë përmbajtje, duke lajmëruar sa më parë Komisariatin pranë.
“Kushdo që do të kapet me këtë produkt apo do të disponojë individualisht të tilla lëndë do të ndalohet e ndëshkohet” thuhet në njoftimin e ministrisë së Brendshme.
Në prag të festave të fundvitit, Ministria e Brendshme u bën thirrje prindërve, familjarëve dhe kujdestarëve që të mos inkurajojnë dhe të mos lejojnë përdorimin e mjeteve të sipërpërmendura nga fëmijët apo të rriturit.
Mësohet se në ditët në vijim, qeveria shqiptare do të rishikojë kriteret dhe standardet e licencimit të subjekteve që importojnë, magazinojnë apo tregtojnë lëndë të rrezikshme. Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera shtetërore do të intensifikojnë kontrollet dhe do të marrin të gjitha masat e nevojshme për të eliminuar rrezikun për sigurinë publike që buron nga përdorimi i mjeteve të rrezikshme.
Iniciativa vjen pas protestës së 22 nentorit ku nga shpërthimi i kapsollës efektivja e policisë humbi dy gishtat e dorës. Nga një eksperiment i bërë nga ky institucion rezulton se mjetet e sekuestruara janë në gjendje të shkatërrojnë jo vetëm materiale apo inde të buta, por edhe materiale të forta si eshtrat apo edhe metalet.
“Në protestën e datës 22 nëntor 2018 u përdoren mjetet shpërthyese që u panë në videon e mësipërme. Nga njëri prej tyre u gjymtua punonjësja 24-vjeçare e Policisë së Shtetit, Ina Nuka. Por nëse ne lejojmë përdorimin e mëtejshëm të tyre, pasojat e marrëzisë dhe papërgjegjshmërisë do të vijojnë. Ministria e Brendshme u kërkon të gjithëve bashkëpunim për të mbyllur këtë burim shqetësues rreziku për sigurinë e të gjithëve”.