MENU
klinika

Nga Igli Tola

PPP-ja, parë ndryshe

20.11.2018 - 18:32

Të premten e javës së kaluar, përfaqësuesit e FMN-së në një takim me ne studentët e Fakultetit Ekonomik diskutuan lidhur me çështjet dhe risqet më kruciale me të cilët përballet ekonomia jonë.

Përpos temave klasike që kanë të bëjnë me fiskalitetin, vlerësimin e sektorit të jashtëm dhe riskun e ndikimit të mjedisit ndërkombëtarë në ekonominë lokale, një çështje e elaboruar detajisht nga Armine Khachatryan lidhej me eksperiencën e PPP-ve.

Ekspertët e Fondit risollën në fokus problematikat më kryesore në lidhje me trajtimin e PPP:

ppp-konica.al
ppp-konica.al

• kontabilizimi i ‘cash-flow’ (flukseve të parasë) të lidhura me projektet duhet të bëhet në buxhetin afat-mesëm, sipas modelit të Kilit.

• prioritizim e projekteve, në varësi të nevojave të shoqërisë dhe kushteve tekniko-financiare të kontratave

• stopimin e praktikës së ‘Ofertave të Pakërkuara’ që në 100% të rasteve shpallen fituese falë pikëve bonus që përfitojnë.

Duket se FMN-ja mundohet të neutralizoj dhe relativizoj njëjkohësisht opinionin publik në vend, duke u ndodhur përballë në një situatë tejet dypolariste, ku pushteti i konsideron PPP-të si model suksesi të zhvillimit, kurse opozita dhe një pjesë e ekspertëve e krahason ndërtimin e rrugëve përmes PPP-ve me një katastrofë të ngjashme me ‘firmat piramidale’.

Kujtojmë gazetari Gjergj Erebara në një debatë përballë ministrit Gjiknuri deklaroi:

“Kjo është një katastrofë e ngjashme me firmat piramidale.

Themel që rrëzon demokracinë. Ky është shkatërrim social, jo ekonomi. 1.2 miliardë lekë janë dy herë më shumë se paratë që vendi ka humbur në ‘firmat piramidale’. Skema më e madhe piramidale në historinë e Shqipërisë.”

Duke dashur të qëndrojmë në ‘ujëra’ neutrale dhe objektive shoh se këto koncesione nuk janë asgjë tjetër përveçse konsum i së ardhmes.

Në optikën time dobësia kryesore e PPP-ve është kostoja e lartë që ato u ngarkojnë taksapaguesve. Kosto shumë më të larta se praktika standarte e prokurimit (tenderimit) falë disa zërave thelbësorë:

• Të parat qëndrojnë kostot e kapitalit. Kur një rrugë, ose çfarëdo lloj verpre tjetër publike ndërtohet me PPP, koncesionari privat merr hua në bankë, pasi nuk ka biznes në Shqipëri, ose botë që ka kapital likuid prej 200 milion eurosh, a më shumë.

Në këtë mënyrë, përvec kostos reale së ndërtimit të rrugës, i ngarkohet qeverisë edhe kostoja e interesave, por për shkak se entitetet private kanë risk më të madh, interesat me të cilat bankat u japin borxh atyre janë shumë më të larta se sa ato me të cilat kreditojnë qeverinë.

Shtuar këtu edhe afatin kohor, që varion mbi 10-12 vjet, kjo e rrit drastikisht riskun e kreditit, që më pas impakton norma interesi edhe më të larta.

• Së dyti janë kostot e ndërtimit. Për këtë mjafton të hedhim sytë në eksperincën europiane.

Një analizë empirike që krahasoi çmimet e ndërtimit të 277 rrugëve në Europë gjeti se vlera e tenderuar e ndërtimit për segmentet me PPP ishte mesatarisht deri në 24 për qind më e lartë se sa vlera e tenderuar e projekteve me tender publik, duke mbajtur të gjithë faktorët e tjerë të pandryshuar.

• Së treti, kontratat me PPP kanë dhe një tjetër kosto shtesë, që është norma e kthimit.

Kompanitë private që marrin një koncesion kanë vetëm një qëllim, të realizojnë fitim.

Kompani të ndryshme punojnë me norma të fitimi, po zakonisht ky si sektor lëviz mesatarisht te 12-15% fitimi mbi vlerën finale të projektit.

Ky fitim do të financohet nga taksapaguesit duke rritur koston totale të projektit. Mos të përmendim kostot e ‘fshehura’ si mungesa e konkurrëcës, detyrimet e kontigjencës etj

Këto detaje në mënyrë indirekte i pranojnë edhe dikasteret qeverisëse si Ministria e Financave.

Sipas të dhënave të publikuara nga vetë kjo ministri, angazhimet që buxheti ka marrë nga PPP-të e miratuara deri më tani kanë arritur në 253 miliardë lekë ose rreth 2 miliardë euro.

Këto para duhet të shlyhen brenda 13 viteve të ardhshme dhe tani që kontratat janë nënshkruar buxhetit i duhet të bëjë llogaritë me faturën.

Për të financuar këtë faturë ‘të majme’ prej 2 miliardë euro të koncesioneve në 13 vitet e ardhshme, qeveria ka dy rrugë; ose të rrisë taksat me gati 200 euro në vit për çdo familje ose të shkurtojë shpenzimet publike me rreth 150 milionë euro në vit duke i hequr këto para nga shërbimet utilitare si: shëndetësia, arsimi apo shërbimet e tjera publike.

E pikërisht ky është motivi pse i konsiderova në hyrje koncesionet si konsum i së ardhmes, pasi mundësia për ta suportuar këtë faturë përmes të ardhurave tatimore është gati e pamunduar.

Të ardhurat tatimore të programuara në projekt-buxhetin e 2019 janë 447.2 miliard lekë, me një rritje 28 miliard ose +6.65 % krahasuar me vitin 2018.

Të ardhurat nga Tatimet, Doganat dhe Sigurimet janë 425.5 miliard lekë, me një rritje 26.6 miliard lekë, ose +6.7 % krahasuar me vitin 2018.

Ky parashikim rritje prej afro 7% edhe sikur të presupozojmë që do të realizohet, është I pamjaftueshëm për të përballuar faturën e PPP-ve.

Ndaj, pritet që së paku dekanën e ardhshme të përballemi me ‘tkurrje’ drastike të shpenzimeve dhe investimeve publike.

Për akse si “Thumanë – Kashar”, rrugë fushore as 21 km, por me një kosto të frikshme, plot 337 milionë euro ; apo projekte në prag konkludimi si “Kashar – Rrogozhinë” e gjatë 44 kilometra dhe që pritet të kushtojë 15.2 milionë euro për kilometër, pra 670 milionë euro në total, do të na duhet të sakrifikojmë shumë investime.

Sa të gatshëm për të ndërmarë këto ‘sakrifica’ për më pak shkolla, çerdhe etj nuk e dimë, pasi nuk na është shtuar asnjëherë kjo pyetje. E vetmja gjë që dimë me siguri është vullneti i qeverisë për të vijuar me këto projekte.