MENU
klinika

Stërvitjet e përbashkëta

Program ushtarak mes SHBA e Koresë së Jugut

05.11.2018 - 11:06

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kanë ndërmarrë një stërvitje ushtarake të përbashkët, disa ditë përpara takimit të planifikuar të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, me zyrtarë koreano-veriorë në Nju Jork.

Programi i Marinës koreane për shkëmbim ka qenë pjesë e stërvitjeve të pezulluara në muajin qershor, pasi presidenti amerikan Donald Trump pati premtuar ndalimin e stërvitjeve ushtarake, pas mbajtjes së samitit me kreun koreano-verior Kim Jong-un në Singapor.

Stërvitjet e shkallës së madhe vazhdojnë të jenë të pezulluara, mirëpo Uashingtoni dhe Seuli kanë vazhduar të realizojnë stërvitje të përbashkëta të shkallës më të vogël.

Në stërvitjet e tanishme janë duke marrë pjesë 500 marinsa amerikanë dhe koreano-jugorë, afër qytetit Pohang. Ministri koreano-jugor i Mbrojtjes ka thënë se Seuli dhe Uashingtoni do të vendosin para përfundimit të vitit, nëse do të realizojnë stërvitje masive ushtarake vitin e ardhshëm.

Ndërkohë, Pompeo ka thënë se në ditët e ardhshme do të takohet me homologun e tij koreano-verior, Kim Yong-Chol, për të diskutuar kërkesat amerikane për denuklearizimin e Penianit, si dhe për plane të tjera, duke përfshirë mbajtjen e një samiti të dytë mes udhëheqësve të të dyja shteteve.

Shpresoj se do të arrijmë përparim, duke përfshirë përpjekjet për t’u siguruar se do të ndodhë një samit i dytë mes dy udhëheqësve, ku mund të shtyjmë përpara çështjen e denuklearizimit”, ka shtuar ai.

Trump dhe Kim Jong-Un patën bërë zotime të mëdha në aspektin e denuklearizimit të gadishullit Korean, por që nga mbajtja e samitit është arritur pak përparim.