MENU
klinika

Kujdesuni për nënat e reja!

Pse nënat kalojnë në psikozë pas lindjes?

15.11.2018 - 21:17

Disa nënave të reja përjetojnë mendime shqetësuese dhe një gjendje të rënduar emocionale që sinjalizojnë psikozën e paslindjes.

Psikoza pas lindjes është një sëmundje e rëndë mendore e karakterizuar nga vështirësi ekstreme në reagimin emocional me foshnjën e porsalindur. Kjo gjendje mund të përfshijë edhe mendime për të dëmtuar fëmijën e porsalindur.

Gjendja është e ndryshme nga depresioni i paslindjes, edhe pse të dyja kushtet mund të ndodhin së bashku.
“Kjo zakonisht përfaqëson një çrregullim bipolar, jo vetëm një çrregullim depresiv”, thotë psikiatri Charlotte Ladd, MD, Profesor i Asociuar i Psikiatrisë në Universitetin e Wisconsin në Madison.

Në fakt, Dr. Ladd kualifikon psikozën postpartum (paslindjeje) si një “emergjencë psikiatrike”, për shkak të potencialit për dëmtim të foshnjës ose nënës së re.

Kush preket nga psikoza postpartum?

Psikoza pas lindjes është një kusht relativisht i rrallë. Është vlerësuar se 1-2 në çdo 1000 nëna të reja përballen me psikozën e paslindjes, sipas një raporti të publikuar në janar të vitit 2014 në Psychiatric Times.

Përafërsisht gjysma e nënave me psikozë postpartum gjithashtu kanë një histori të sëmundjes mendore, që do të thotë se gjysma tjetër nuk ka arsye të dyshojë.

Shkaqet e psikozës postpartum nuk kuptohen mirë. Është e mundur që ndryshimi i menjëhershëm në hormonet pas lindjes mund të shkaktojë këtë gjendje. Dhe disa studime sugjerojnë se të qenit një nënë e madhe në moshë mund të rrisë rrezikun.

Ndërsa depresioni i paslindjes ka më shumë gjasa të shfaqet në tre muajt pas lindjes (por mund të shfaqet brenda vitit të parë të jetës së fëmijës), një nga shenjat dalluese të psikozës pas lindjes është fillimi i saj i hershëm, shpesh në 1-4 javët e para pas lindjes së foshnjës.

Simptomat shkojnë përtej atyre që lidhen me depresionin pas lindjes.

Këtu janë disa shenja:

Mendime të papritura për ta hedhur fëmijën ose për ta dëmtuar atë në një farë mënyre;

• Deluzione;

• Halucinacione (duke parë ose duke dëgjuar gjëra që nuk janë aty);

• Vështirësi e gjumit;

• Ndryshimet në oreks;

• Nervozizëm;

• Agjitacion;

• Një paaftësi për t’u lidhur me fëmijën;

• Mendime për vetëvrasje, ose besimi se fëmija ose familja do të ishte më mirë pa nënën.

Në situata ekstreme, një grua me psikozë pas lindjes mund të shfaqë sjellje të tilla, si:

• Acarim pa arsye;

• Pëshpëritje me vete;

• Refuzimi për të ngrënë ose dhënia e deklaratave në dukje të paarsyeshme.

Trajtimi i psikozës postpartum

Nëna ka të ngjarë se nuk mund ta kuptojë se ka një problem, ajo nuk mund të kërkojë ndihmë ose trajtim për psikozën e paslindjes. “Mendimet ndërhyrëse për të hedhur një fëmijë nga dritarja ose i duket sikur flasin të gjithë për të – thotë Ladd.

Gratë mund t’i mbajnë këto mendime me vete, sepse kanë frikë se mjekët ose anëtarët e familjes do ta largojnë foshnjën prej saj dhe kjo mosgatishmëri për të folur lë gratë me psikozë pas lindjes duke i bërë të ndihen shumë të vetmuara.

“Nëse dikush ka psikozë, është e rëndësishme t’i çoni menjëherë në një institucion psikiatrik dhe të ndajë nënën nga foshnja gjatë periudhës së vlerësimit”, thonë mjekët.

Kjo ndarje nuk do të thotë se fëmija do të hiqet përgjithmonë nga kujdesi i nënës. Qëllimi është që të bëjnë këtë lëvizje për siguri të të dyja palëve, nënës dhe foshnjës, deri në momentin që të bëhet vlerësimi i gjendjes dhe trajtimi i duhur mjekësor.

Trajtimi për psikozën postpartum përgjithësisht përfshin:

• Shtrimin në spital;

• Medikamentet antipsikotike;

• Barnat kundër depresionit;

• Terapia elektrokonvulsive (ECT);

• Këshillim me një psikiatër, psikolog ose një profesionist tjetër të kualifikuar të shëndetit mendor.