MENU
klinika

I treti tremujor në rënie

Pse po bien fondet e investimit?

20.11.2018 - 13:50

Tregu i fondeve të investimit ka rënë për të tretin tremujor radhazi gjatë këtij viti. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, vlera e aseteve neto në fund të shtatorit ishte 65.6 miliardë lekë, në rënie me 9.7% që nga fillimi i vitit. Tregu po pëson rënie jo vetëm në volume, por edhe në numër anëtarësh. Në fund të qershorit, numri i anëtarëve ra në më pak se 29 mijë, nga 31 mijë që ishte në fund të vitit të kaluar.

Rënia e tregut i detyrohet një tendence reduktimi të përmasave të dy fondeve më të mëdha, që menaxhohen nga Raiffeisen. Fondi në lekë, Raiffeisen Prestigj pësoi rënie të aseteve neto me 13%, ndërsa fondi në euro Raiffeisen Invest ra akoma më shumë me 21%. Fondi më i ri Raiffeisen Vizion, ka arritur rreth 2.6 miliardë lekë aktive, por kjo nuk kompenson rënien e thellë të fondeve më të hershëm që administrohen nga banka e grupit vienez.

Në rritje është fondi i investimeve Credins Premium, që i ka zgjeruar asetet me 67% që nga fillimi i vitit. Megjithatë, pjesa e tregut e fondit kryesor konkurrent të Raiffeisen ngelet ende mjaft e ulët, me 2.3% të aktiveve neto të tregut.

Megjithëse në dy vitet e fundit në treg kanë hyrë aktorë të rinj, tregu i fondeve të investimit duket në një cikël rënës.  Kjo mund të lidhet me një shtrëngim të kuafrit rregullator, por ndoshta edhe me një lloj maturimi të tregut dhe me mungesën e alternativave të investimit. Këto fonde investojnë kryesisht në obligacione dhe bono të qeverisë shqiptare. Për të mbështetur rritjen e mëtejshme, tregu ka nevojë për instrumente të reja dhe potencialet janë të mëdha, sidomos për obligacionet e korporatave.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mbajnë 15.88% të borxhit të brendshëm

Individët po investojnë më shumë në bono dhe obligacione