Kroçiera më e madhe në botë mbërriti këtë fundjavë në Miami, pasi kaloi verën në Detin Mesdhe duke argëtuar pasagjerët e saj fatlumë me udhëtime luksoze në Spanjë, Francë dhe Itali.
Anija që ka kushtuar 1,35 miliardë dollarë mund të mbajë në bord 6680 persona, duke përjashtuar ekuipazhin, të cilët mund të kalojnë orët dhe ditët duke shijuar një nga 22 restorantet dhe 40 baret të ndërtuar aty, ku në njërin shërben edhe një barist robot.
Sigurisht që nuk mungojnë pishinat – janë 23 të tilla – por edhe një pistë patinazhi, fushë minigolfi, simulatorë për sërf dhe një fushë basketbolli. Madje mund të bëni një shëtitje edhe në Central Park, një kopsht i modeluar sipas parkut të famshëm në zemër të Manhattanit.
Anija është 362 metra e gjatë (më e gjatë se Kulla Eiffel) dhe 62 e gjerë, ndërsa ngrihet mbi 30 metra e lartë.
Mbrëmjen mund ta kaloni në një teatër modern të stilit të Broadway-t, ose mund të provoni fatin në kazino. Për të shijuar eksperiencën maksimale, këshillohet suita familjare dykatëshe, e përshtatur edhe për fëmijët.
Pasi mbërriti të premten në Miami, Simfonia e Detit u nis për në Meksikë ku do të qëndrojë për tri ditë për të bërë më pasnjë tur të Karaibeve.