MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Rishikimi i historisë apo pajtim i vonuar nga Rama dhe jo nga Hoxha?

13.11.2018 - 12:16

Nga Mentor Nazarko/

Pas zhvarrimit në New York sot po bëhet riatdhesimi në Tiranë i eshtrave të njërit prej figurave më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë në shekullin e XX-të, Mit’hat Frashërit.

Djali i Abdyl Frashërit, njërit prej rilindasve të Shqipërisë, Mit’hat Frashëri ishte gjithashtu një protagonist i historisë së Shqipërisë së shekullit të XX-të në role të ndryshme. Qoftë si kryetar i Kongresit të Manastirit, qoftë si firmëtar i Pavarësisë, qoftë si ambasador I Shqipërisë në Greqi gjatë periudhë së zhvendosjeve të mëdha të shqiptarëve, sqoftë si udhëheqës i Ballit Kombëtar, qoftë si udhëheqës i rezistencës anti-komuniste të diasporës shqiptare, apo qoftë si autor veprash të cilat kanë rëndësinë e tyre. E më në fund qoftë edhe për testamentin e tij të pasur, të dhurimit të bibliotekës së tij Lumo Skëndo, që tashmë i ka mbetur Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Mbetej pa u përmbushur pjesa e testamentit të tij që të varrosej në Shqipëri, varrosjen në oborrin e Institutit të Albanologjisë, siç e kishte theksuar ai, por kjo pjesë e amanetit mesa duket do të përmbushet pjesërisht pasi sipas Mit’hat Frashëri do të rivarroset te parku i Liqenit Artificial pranë vëllezërve Frashëri dhe Faik Konicës.

Është një akt i mbushur me domethënie historike, me simbolikë historike, por që sigurisht ka edhe një vlerë aktuale.

Këtë akt po e ndërmerr kryetari i Partisë Socialiste, i trashëgimtares së Partisë Komuniste, e cila e la pa atdhe Mit’hat Frashërin, partia e cila e përndoqi atë si kriminel lufte dhe që me gjasë ka ndikuar supozohet në vrasjen e tij me helmim në 1949-tën në një hotel të Neë York-ut.

Pra është një akt që vjen nga kryeministri Rama, në 2018-tën, në shekullin e XXI-të, atëherë kur Lufta e Dytë Botërore në të cilën figura e Mit’hat Frashërit kontestohet ka 73 vjet që ka përfunduar. Kur të mbijetuarit e saj si protagonistë janë fare të paktë dhe në këtë kuptim, rivarrimi nuk do të ketë spektatorë të mbijetuar nga kundërshtarët e tij politikë, por do të ketë spektatorë të brezit të mesëm, apo do të ketë të rinj të cilët mund të jenë kurioz për domethënien e këtij akti.

Gjithsesi kjo nuk e bën më pak të rëndësishme këtë veprim të kryeministrit Rama, i cili e ka ndjekur të gjithë operacionin e zhvarrimit dhe që me siguri do të gostitë publikun me ndonjë fjalim të rastit.

1.Duket sikur është një gjest pajtimi i vonuar, i kryer pra prej udhëheqësit të Partisë Socialiste, që në fakt është trashëgimtarja numër një e Partisë Komuniste ndonëse trashëgimtarët e saj komunistë kanë kaluar nëpër të gjithë partitë politike, por më së shumti mbeten në Partinë Socialiste. Në këtë kuptim është një gjest për tu përshëndetur, por sigurisht që gjithashtu shprehet keqardhje që ky pajtim nuk ka ndodhur më përpara, por po ndodh kur përkujtohet 100 vjetori i përfundimit të Luftës së Parë Botërore, aty ku Franca dhe Gjermania, dy palët ndërluftuese janë bashkë pasi janë pajtuar nëpërmjet dy presidentëve të kohës të vendeve respektive. që luftuan edhe në Luftën e Parë Botërore, edhe në Luftën e Dytë Botërore kundër njëra-tjetrës. Ky proces pajtimi do duhej të kishte ndodhur më parë në Shqipëri. Përshembull në fund të viteve 80’-të, ish çetnikët (ish ballistët) e ish-Jugosllavisë, kishin kampe pushimi verore pajtimi, ku takoheshin çdo verë me ish-partizanët. Ish-Jugosllavia ishte një vend i cili kishte zhvilluar një luftë të tmerrshme civile me një numër të madh të vrarësh nga të dyja palët. Në këtë kuptim është keqardhje pra që ky veprim pajtues i kryeministrit, ndodh shumë vite me vonesë, sepse pajtimi mes palëve të një lufte e cila kishte dimensionet e një lufte civile gjatë Luftës së Dytë Botërore duhet të kishte ndodhur. Pajtimin do duhet ta kishte bërë Enver Hoxha.

2.Ky akt në stilin e kryeministrit Rama, ka karakter relativizues të historisë dhe ideologjisë, por me gjasë i frymëzuar dhe elektoralisht, përsa kohë që Rama ka bërë disa veprime të ngjashme kundrejt së djathtës, sipas parimit: mbi të majtën dhe të djathtën. Ai ka përshpejtuar ritmet e dhënies së kompensimit për ish të përndjekurit politikë, ka organizuar një komision për gjetjen dhe identifikimin e mbi 4 mijë të zhdukurve nga periudha e diktaturës komuniste, ka miratuar një ligj për hapjen e dosjeve si dhe ka krijuar një autoritet për hapjen e tyre. Rama po përpiqet dhe ka miratuar një ligj i cili tenton gjithashtu që të zgjidhë çështjen e kompensimit të pronave, pasi ligji ekzistues është një ligj i cili i mundëson kompensimin e tyre vetëm pas qindra vjetësh, sepse fondi I kompensimit fizik është tretur. Në momentin kur pronat shtetërore janë tashmë të shpërndara dhe shteti nuk ka mundësi që të bëjë kompensimin fizik të tyre, kjo qeveri e majtë, ka ofruar një mundësi kompensimi nëpërmjet kompensimit financiar me vlerën që ka patur prona në kohën e shpronësimit, duke marrë parasysh kontributin shoqëror apo shtetëror që është prej momentit të shpronësimit, që nënkupton periudhën nga fundi i Luftës së Dytë Botërore e deri në ditët e sotme. Pra janë të gjitha këto hapa që kanë karakter të djathtë, por të kryer nga një qeverisje e majtë.

midhat frasheri
midhat frasheri

Në këtë veprim të Ramës gjithashtu ka edhe një moment kontradiktor. Rama është i vetëdijshëm për momentin pajtues që mbart një veprim i tillë për një parti, ku gjithsesi ka ende ndonjë të mbijetuar partizan ndonëse janë shumë të pakët në numër, kryesisht bij ish-partizanësh, udhëheqësish apo drejtuesish ish-komunist. Në këtë kuptim, Rama tenton që të jetë tërheqës në kushtet e relativizimit historik dhe për atë pjesë të elektoratit që ka lidhje me të djathtën e përfaqësuar nga Mit’hat Frashëri. Në këtë veprim të tij mund të shquash tre kontradikta.

E para, Rama nuk ka bërë të njëjtën gjë përkundrejt një figure siç është ajo e Ahmet Zogut. Zogu, mbreti i Shqipërisë, ishte një figurë e cila të paktën në aktet ndërkombëtare përshkruhet si dikush që organizoi rezistencë ndaj pushtimit fashist. Trupat e xhandarmërisë mbretërore bënë një rezistencë, ku u vranë dhjetra dhe qindra ushtarë italianë. Pati të vrarë edhe nga trupat e xhandarmërisë shqiptare si Mujo Ulqinaku, etj. Për këta heronj të rënë kundër fashistëve ka në ditët e sotme monumente përkujtuese. Një hero tjetër i kësaj rezistence nga Ushtria Nacional Çlirimtare, ishte Abaz Kupi, por Rama nuk e ka quajtur të udhës që të bëjë një gjest, apo një deklaratë që ta vlerësojë kontributin edhe të kësaj figure. Rama nuk mori pjesë as në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të Ahmet Zogut!!

Momenti i dytë kontradiktor, është se Rama apo paraardhësit e tij nuk kanë kryer një proces nderimi as për themeluesit e të majtës shqiptare, si Sejfulla Malëshova, Zef Mala, etj.

Momenti i tretë qëndron te fakti se pse ky akt nuk u bë më herët nga paraardhësi i Ramës, nga Berisha duke qenë se ai drejtonte edhe një qeveri të djathtë.

Në këtë akt të Ramës me gjasë ka ndikim edhe adhurimi për kontributin letrar, krijues të Mit’hat Frashërit. Pavarësisht motiveve që e shfrytëzojnë këtë veprim të vonuar të shtetit shqiptar, ky është një akt i duhur, i cili jo vetëm që përmbush, por do duhet supozuar që edhe do të nxisë leximin e historisë reale të Luftës së Dytë Botërore, një moment kyç i historisë tonë i cili nuk është përshkruar apo nuk përkujtohet ashtu siç duhet me ngjyrat që e karakterizojnë atë, por përkujtohet gjithmonë bardhë e zi.

Enver Hoxha dhe Mithat Frashëri

Në këtë rast ka patur shkrime të ndryshme që kanë përkujtuar rivalitetin apo antagonizmin e Enver Hoxhës me figura të tilla. Një gazetar kujtonte një përplasje personale që ka ekzistuar midis Enver Hoxhës dhe Mid’hat Frashërit, në Tiranën e gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sipas Enver Hoxhës, i cili e kishte shpallur kriminel lufte Mit’hat Frashërin, ky i fundit i kishte thënë që: “Përpiqu që t’i ngjash xhaxhait tënd, Hysen Hoxhës”, i cili realisht ishte një nga luftëtarët e Lëvizjes për Pavarësi, dhe Enver Hoxha ia kishte kthyer që do t’i ngjante atij me çdo kusht.

Mbrapa kësaj përplasjeje qëndronte me siguri një përbuzje që elita shqiptare, elita e djathtë e rreshtuar kryesisht mbrapa Mit’hat Frashërit dhe Ballit Kombëtar, kishin për Enver Hoxhën apo për një pjesë të drejtuesve të luftës Nacional-Çlirimtare. Ishte një përbuzje jo klasore, por përbuzje intelektuale që Enver Hoxha e reflektoi deri në fund të jetës së vet, nëpërmjet egërsisë në të cilën e luftoi jo thjesht këtë elitë, por edhe trashëgimtarët e tyre. Ja pse pajtimin nuk e bëri ai, por Rama që drejton sot partinë trashëgimtare të partisë komuniste.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN