MENU
klinika

Nga Avis Gjyshja

River Bends Park! Një histori amerikane

23.11.2018 - 15:35

-River Bends Park (Parku Kthesat e Lumit), e zbulova krejt rastësisht. Askush nuk më kish folur për të, harta nuk kisha, nuk dija as të flisja apo të pyesja anglisht e as nuk kisha më ndonjë të njohur që të më ndihmonte në njohjen e zonës për rreth kompleksit Eastbrook të apartamenteve në qytetin Warren të Michiganit ku dhe jetonim si qeraxhinj në atë kohë.

Duke u kthyer nga një punë ku më kishin dërguar punëdhënësit e mij të asaj kohe, në jug të urës, aty ku rruga Ryan kalon mbi lumin Clinton, rastësisht pashë një tabelë me një shenjë që tregonte se aty lejohej peshkimi. Dhe as që e dija se në të dy anët e asaj ure, në rreth 15 km gjatësi e 4 apo 5 km gjërësi hapej si në përralla një hapësirë që nuk kishte asgjë të ngjajshme me qytetet. Atëhere unë nuk e dija akoma se kisha gjetur një vend i cili do ndihmonte në mënyrën e vet në jetën time të trishtuar prej emigranti…

…Kisha ikur për fare nga vëndlindja dhe ndjehesha po aq i trishtuar e në faj sa ç’mund të ndjehej dhe një fëmijë i humbur larg shtëpisë prindërore. Ime shoqe Pavlina, përpiqej shumë të mbante lart moralin tim e të fëmijëve.

river bends park-konica.al
river bends park-konica.al

Përveç punëve të përditëshme të shtëpisë ajo punonte dhe në dy punë të tjera – një punë shumë të rëndë e të keqpaguar në turnin e natës në një fabrikë përpunimi metalesh të cilën e shfrytëzonin me qira disa indianë apo pakistanezë dhe një punë të dytë por me orar të kufizuar në një restorant fastfudi jo larg shtëpisë, ku jetonim në atë kohë.

Akoma edhe sot e kësaj dite unë e kujtoj time shoqe me atë çehrenë e përhumbur të mbilodhjes e me sytë që i shkëlqenin nga rraskapitja e pagjumësia. Veçanërisht nuk më hiqen nga mëndja ato këpucët e saj të rënda të punës në fabrikë, me maja hekuri e qafa të gjata si çizme, që se di pse më kujtonin këpucët e të burgosurve të galerave të Francës së kohës së Bonapartit. Më pikonte sikur të ishte fëmija im dhe jo gruaja ime…

Lidhjet me shqiptarët e tjerë pothuajse i kisha prishur fare në atë kohë. Më shumë për fajin tim se sa për fajin e të tjerëve. Nuk e kishja më atë durimin e dikurshëm dhe irritohesha pa ndonjë arësye të dukëshme. Eshtë e çuditëshme por asnjë komunitet tjetër nuk kishte aq shumë kafene sa ne shqiptarët.

river bends park-konica.al
river bends park-konica.al

Shumë shqiptarë, kryesisht ata që punonin në ndërtim i kishin kafenetë si zyra pune ku merrnin e jepnin ndonjë punë nga njëri tjetri.

Ne fillim edhe unë shkoja në ndonjë kafene shqiptare, por shpejt kjo mu bë e lodhëshme nga debatet acaruese për politikë dhe nga thashethemet të cilat mbushnin një pjesë të madhe të asaj kohe që shpenzohej në ato ambjente. Në kafenetë shqiptare flitej pothuajse vetëm shqip dhe shumica e atyre që frekuentonin në mënyrë të përherëshme kafenete, ishin keq ose shumë keq me gjuhën angleze.

Shumë pak prej tyre i kisha njohur që në Shqipëri dhe nja dy apo tre i kujtoja fort mirë edhe kur mbaheshin me të madh, gjasme si amerikanë, gjatë vizitave që bënin tek të afërmit e tyre në qytetin tim.

Ajo që më çoi tek kafenetë e shqiptarëve ishte mungesa e madhe për gjithkçka që kishim lënë prapa në vëndlindje, por pavarësisht kësaj, shpejt kuptova që këto lokale, të paktën për mua ishin një humbje e tmerrshme kohe dhe ambjentet e tyre filluan të më krijonin një lloj ndjenjë angushtie e paniku që më kujtonte diçka të përzjerë midis “Mërgatës së qyqeve” të një autori shqiptar dhe “Pavionit të gjashtë” të Çehovit!

river bends park-konica.al
river bends park-konica.al

Pa shkuar një javë pasi mbërrita në USA, fati e pruri që të filloja punë si teknik elektronik në një kompani që njihej me inicialet ARS dhe që punonte për llogari të Kompanive të mëdha të Siguracioneve në Shtetet e Bashkuara e më gjërë.

Është e pamundur që të përshkruaj këtu vështirësitë e ditëve të para, ndrojtjen e njëfarë turpi për faktin që nuk dija të flisja si dhe për gjithkça tjetër që tek unë në atë kohë ishte dukshëm ndryshe nga ajo që ata ishin mësuar të shihnin dhe dëgjonin. Edhe sot e kësaj dite unë ju jam shumë mirënjohës pronarëve të asaj kompanie si dhe ish kolegëve të mij të asaj kohe atje, për gjithë çfarë ata bënë për të më suportuar e ndihmuar në atë fillim aq të vështirë.

Dukej që ishin tejet të kënaqur me punën time por për fat të keq jo njëlloj të kënaqur për komunikimin tim me ta. Në atë kohë ata punësuan dhe një tjetër shqiptar të cilit i duhej të bënte edhe përkthyesin tim.

Po me shpenzimet e kompanisë ata paguanin dhe një mësuese private të gjuhës angleze e cila siç pashë më vonë, kishte marrë përsipër të më mësonte mua gramatikën dhe idiomat e asaj gjuhe.

river bends park-konica.al
river bends park-konica.al

 

Miss Patricia –n, do ta mbaj mënd si një beqare rreth të shtatëdhjetave, që e thërriste vehten dhe shoqet e saj akoma me emrin “vajza” e që me mënyrën se si vishej e frikërat e pareshtura ndaj zjarreve më kujtonte Miss Betsey Trotwood tek “David Copperfield” i Charles Dickens. Tre ditë në javë, herët në mëngjez, në ambjentet e kompanisë, akoma pa ardhur të tjerët për punë, Patricia jepte e merrte me mua nxënësin e saj të keq, kokëfortë e nerva shkatërruar.

Edhe sot kujtoj që sa herë dëgjohej ndonjë sirenë policie apo zjarrfiksesh, Patricia ngrihej menjëherë në këmbë dhe duke parë nga unë tërë ankth e frikë, thosh – “Oh my gosh… It’s a fire! Don’t say no! It’s a fire!”

.. Dimri i vitit 2001-2002 qe jashtëzakonisht shumë i ashpër dhe shumë i lodhëshëm për ne. Pavlina vazhdonte dy punë ndërsa unë çdo mëngjez duhet të çoja fëmijët në dy shkolla të ndryshme e pastaj të shkoja në punë para orës tetë.

river bends park-konica.al
river bends park-konica.al

Për gjashtë muaj rresht bora mbuloi gjithçka dhe temperaturat për muaj të tëra nuk dolën dot për asnjë moment mbi pikën e ngrirjes. Akujt mbuluan lumenj e liqene dhe unë gjatë atij dimri të pashoq ndiqja vetëm rutinën shtëpi -punë- shtëpi. Ishte një kohë kur nuk kishim as kompjutera e as celularë.

Shqiptarë takoja shumë rrallë dhe pothuaj vetëm kur ftonim ndonjëherë për darka ndonjë çift familjarësh të tjerë në shtëpinë tonë, ndërsa amerikanëve, për arsye të një kompleksi inferioriteti që më vinte si pasojë e pamundësisë për të folur (dhe që akoma më mundon edhe sot), unë mundohesha gjithmonë që t’ju shmangesha.

Megjithatë duhet thënë se deri në fillim të pranverës, ca në sajë të punës time, e ca nga puna e Miss Patricia-s, unë kisha bërë përparime të dukëshme në gjuhën angleze. Aty nga mesi i marsit, duke e quajtur të përfunduar punën e saj, iku dhe Patricia bashkë me frikërat e saj nga zjarret, duke shpëtuar njëherë e mirë dhe nga unë, nxënësi i saj i lodhshëm e i keq….
…………………….

river bends park-konica.al
river bends park-konica.al

-Për herë të parë unë u futa në River Bends Park në një mbasdite të ftohtë të fillim prillit 2002. Pylli kish akoma fytyrën e dimrit dhe mua parku në atë herë të parë, mu duk po aq i trishtuar sa ç’ishja dhe unë. Shpejt do të mësoja se River Bends Park nuk ishte gjë tjetër përveç se një pylli natyral në të dy anët e një lumi.

Lëkurëkuqtë e Amerikës dikur e kishin thirrur këtë lumë me emrin Huron, por nga viti 1827, të bardhët që kishin pushtuar vendin ja ndërruan emrin në Clinton River. E tëra kjo ishte bërë për nder të DeWitt Clinton, guvernator i atëhershëm i New York, prej dhe ku erdhën edhe të bardhët e parë që shpallën pronësinë mbi këto troje që sot i përkasin shtetit të Michiganit.

Brenda parkut kishte dhe vënde historike siç ishte një ish bazë raketash bërthamore e kohës së Luftës së Ftohtë ose mbetjet e një projekti të hershëm për një kanal të lundrueshëm për kajakë e mjete të vogla lundrimi që përdoreshin në vitet tetëqind nga tregëtarët e lëkurave.

river bends park-konica.al
river bends park-konica.al

 

Ishte quajtur Clinton–Kalamazoo Canal dhe kishte në projekt një gjatësi prej rreth 348 km duke tentuar të lidhte rrjedhat e dy lumejve të pjesës së poshtëme të Michiganit- atë të Clinton River në lindje me atë të Kalamazoo River në perëndim, me plan që të realizonte kështu një kanal të lundrueshëm ujor midis dy liqeneve të mëdha siç ishin Michigan Lake në perëndim dhe St. Clair Lake në lindje.

Zbatimi i projektit kishte filluar me shumë zhurmë e celebrime më 1838, por shpejt si rezultat i konkurencës nga hekurudhat dhe i shumë faktorëve të tjerë projekti kish dështuar në mënyrën më të keqe të mundëshme.

Më 1943, kur kishin përfunduar vetëm rreth 21 km kanal, punimet qenë ndërprerë përfundimisht dhe sot si një dëshmi historie, një pjesë e këtyre mbetjeve të këtij projekti duken edhe brënda territoreve të River Bends Park.

river bends park-konica.al
river bends park-konica.al

Përveç këtyre, parku kishte dhe ambjente për pikniqe familjare, kishte një hapësirë që përveç të tjerave përdoret edhe për një lloj loje golfi që luhet me ca disqe si pjata e që quhet disk-golf , kishte një fushë futbolli për të rritur ku kujtoj që luanin kryesisht emigrantë të rinj të ardhur nga Europa, kishte një fushë bejsbolli, kishte vënd për qitje sportive me armë gjahu dhe patjetër kënde lojrash për fëmijë por sigurisht që pjesa më e madhe e tij i ishte lënë në dorë natyrës së egër.

Që herën e parë që shkela atje pashë ca shtergë gri e këmbëgjatë që ecnin mendueshëm nëpër anët e lumit i cili akoma nuk ishte liruar mirë nga akujt ndërsa më tutje ca tufa rosash kokëjeshile që s’di pse nxitonin e ziheshin aq shumë.

Më vonë do të mësoja se një koloni e madhe nga këto lloj shtergësh që iknin në dimër në jugun e ngrohtë dhe që vëndasit i quanin Blue Herons, kishin foletë brënda parkut, në pemët e larta të një moçali që gjëndej pak më në veri të urës së rrugës Ryan dhe ku ndalohej të hyje për të mos shqetësuar shpendët gjatë kohës së shumimit.

river bends park-konica.al
river bends park-konica.al

Në ato ditë të ftohta shumë rrallë mund të shihje ndonjë njeri që ecte rrugëzave të pyllit, ndërsa qielli megjithëse i pa re, dukej sikur largohej edhe më shumë si për të mos u pëzjerë në shejtërinë e privatësisë së asaj natyre të patrazuar.

Rrallë mund të shihje dhe drerë që pothuaj gjithmonë preferonin të qëndronin përgjithësisht larg njerëzve e që prej andej të shihnin ngultasi e gjithë dyshim me ata sytë e tyre të mëdhenj e të ndritshëm. Ndërsa më në thellësi të pyllit, veshi të kapte zhurmën e ketrave që vraponin e ziheshin nëpër gjethishtet e thata…

Eca gjatë nëpër park atë mbasdite të parë prilli. Kur u ktheva të ikja, dielli ishte gati në perëndim, dhe tutje matanë drurëve të xhveshur nga gjethet dukej një qiell i manushaqtë që se kisha parë kurrë më parë në jetën time.

Ca gjurmë avionash vijëzonin qiellin e iknin s’di për ku, duke më kujtuar njerëzit e mij në anën tjetër të botës, ndërsa zogjtë fillonin ti shtonin poteret e sherreve të para gjumit nëpër gëmushat e dëndura të shkurreve.

river bends park-konica.al
river bends park-konica.al

…Dalë ngadalë ditët filluan të zgjaten. Temperaturat filluan të ngriheshin, akujt po shkrinin e vargjet e patave e të rosave filluan të mbushnin qiejt në kthimet e tyre drejt veriut.

Por më e rëndësishmja ishte se bashkë me pranverën po rikthehej dhe optimizmi im. Po bindja vehten se nuk kisha bërë ndonjë faj vërtet aq të madh që ika dhe e lashë vëndin tim dhe se fundja nuk ishja vetëm unë ai që kisha bërë diçka të tillë.

…Mu bë si traditë dhe pothuaj për çdo ditë pushimi unë shkoja në River Bends Park. Rrallë ka vënde në botë ku gjelbërimi i pranverës është aq shpërthyes sa në pyjet e Amerikës së Veriut. Duket sikur ai dimër aq i egër që sapo kish shkuar nuk kish të bënte fare me këtë vend.

Në ditët me diell, gryka e lumit oshëtinte nga sherret e patave e rosave të egra, kajakët sportive ecnin përgjatë rrjedhës ndërsa vetë lumi shkëlqente si pasqyrë poshtë degëve të shelgjeve e plepave. Kastorët- të fundit që dilnin nga foletë e tyre të nën ujit, dëgjoheshin që larg kur rrihnin ujin me bishtat e tyre si lopata ndërsa në brigjet e lumit kishin filluar të dukeshin gjithnjë e më njerëz me grepa në duar.

Më vonë do të mësoja se në Clinton River jetonin rreth 60 lloje të ndryshme peshqish ndërsa në pyjet e parkut jetonin më shumë se 30 lloje kafshësh e mbi 100 lloje zogjsh.

river bends park-konica.al
river bends park-konica.al

Kur moti u ngroh, bashkë me mua filluan të vijnë edhe fëmijët me Pavlinën. Gëzimet e fëmijëve s’kishin të sosur kur vraponin lëndinave të River Bends Park. Por kishte dhe ditë që për arësye të ndryshme shkoja vetëm. Pothuaj gjithmonë kohën e lirë e ndaja midis peshkimit e mësimit të anglishtes.

Kur nuk peshkoja, futesha midis ca shkurreve shtroja një batanije nën të e llomotisja anglisht duke dhënë e marrë me një fjalor elektronik që më kish rënë në duar në ato kohë.

Dhe fati e desh që nuk ndodhi që dikush të futej aq thellë midis shkurreve e të llahtarisej duke parë një njeri që “bërtiste” duke dashur të mësonte anglisht midis ferrave të atij parku.

Se çfarë ishte të përzjeje peshkimin me librat, këtë, besoj e dija që nga fëminija ime kur përveç kallamave, kur shkonim për peshkim me tim atë, unë merrja gjithmonë dhe libra, dhe im atë, megjithëse zija më shumë peshk se ai, më thosh gjithmonë se unë nuk ishja për atë punë. Babai im do arrinte të jetonte dhe në Amerikë bashkë me mua, do të peshkonim të dy në Clinton River e në të tjera ujra të kësaj ane dhe prapë do të ziheshim pa asnjë arësye serioze si një herë e një kohë në peshkimet tona në Shqipëri.

Tani që ai ka ikur mbrapsh në Shqipëri, e për arsye të moshës së shtyrë nuk vjen dot më, mua më dërmon malli e më mbyt pendesa për ato lloj zënkash të pakuptimta prej peshkatarësh…

river bends park-konica.al
river bends park-konica.al

…. Do kalonte shumë kohë dhe shumë gjëra do të ndryshonin për më mirë. Nje ditë, unë do ta lija ARS dhe do ikja nga ata njerëz të mirë që më ndihmuan aq shumë në fillimet e mija të Amerikës. Me emrin APEK që e kisha aq shumë për zemër dhe që e kisha prurë me vehte që nga Shqipëria, duke “vjedhur” modelin e ARS, do të hapja kompaninë time ku për klientët tanë sigurisht që unë do të ishja presidenti, por jashtë syve të tyre unë do të ishja gjithkush tjetër që puna kërkonte.

Natën ishja roje objekti ndërsa ditën ishja shofer, pastrues, teknik e gjithçka tjetër që duhej. I vetmi ndihmës i imi i atij fillimi ishte vajza ime, akoma fëmijë e që i duhej të bënte sekretaren e kompanisë së asaj kohe. Por kjo është një histori tjetër.

Më vonë aty nga viti 2005 ne do të blinim edhe shtëpinë në të cilën vazhdojmë e jetojmë edhe sot e kesaj dite duke zgjedhur që dhe ajo të ishte në një zonë të pyllëzuar e ngjitur me një tjetër park më të madh e më të njohur se sa River Bends. Por River Bends Park kish bërë vënd përgjithmonë në zemrën time dhe pavarësisht motit apo sezonit vajtjet e mija atje nuk u ndërprenë asnjëherë…

…Edhe sot unë shkoj ndonjëherë e ulem në ndonjë dru në brigjet e heshtura të Clinton River. E dua shumë vjeshtën e vonë e dimrin e tij. Atë kohë kur të tjerët rrallë shkojnë atje e mua më duket sikur jemi vetëm ne të dy: – unë dhe lumi.

Sigurisht që lumi nuk flet por mua më duket sikur ai më ndjen që jam atje, më duket si një shok i vjetër e shumë i dashur për mua, një shok që i dinte e i mbante të gjitha sekretet e mija të trishtuara të atyre fillimeve. Kujtoj kur ecja me grepa në duar brigjeve të tij, mërdhifur e mbytur në dhëmbjet e asaj kohe dhe ai me atë pagojësinë e tij të heshtur sikur më thosh -Duro or mik!

river bends park-konica.al
river bends park-konica.al

Shoh ujrat lodhura të lumit që ecin ngadalë e pa zhurmë drejt jugut, dëgjoj heshtjen e tij të përjetëshme e tërë legjenda dhe më duket sikur e ndjej pse-në e trishtuar të Reshpjes kur shkruante:

“…Dua që të vdes në një ditë vjeshte
Dhe nje tufë me pata të ikin mbi mua
Një tufë me pata tërë hir legjende.”
……
Në një park fqinjë këtu afër, gjëndet një zonë e madhe dhe e ruajtur pylli në hyrje të së cilës gjëndet një tabelë e vjetër dhe e shtrëmbëruar druri ku është shkruar “Remove nothing” dhe që në shqip do të thotë “Mos lëviz asgjë!” Më duket sikur ajo tabelë është gdhëndur dhe në portën e kujtimeve të mia.

…Fëmijët tanë tani kanë krijuar familjet e tyre dhe kanë ikur nga shtëpia prindërore. Prindërit tanë po ashtu kanë ikur në Shqipëri e nuk vijnë dot më për arësye të moshave të shtyra. E kur ikin dhe mbesat e nipi atëhere shtëpia duket më bosh se kurrë. Ndoshta duhet ndërruar me një më të vogël, por historitë e saj na dhimben.

I dëgjoj shpesh fëmijët që flasin për të lëvizur për në Kalifornia apo Florida por mua nuk më ndahet dot zëmra nga veriu.

Këtu ku jetojmë ne është dhe Clinton River, këtu APEK nisi rrugën e tij, këtu erdhën dhe jetuan dhe prindërit tanë, këtu u rritën e u martuan fëmijët tanë, këtu lindën mbesat e nipi jonë dhe këtu po plakemi edhe ne.

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët