MENU
klinika

Albert Çaçi

Rusi-Japoni, tentativë për kompromis

18.11.2018 - 11:43

Këtë javë në samitin e vendeve të ASEAN, në Singapor, kryeministri i Japonisë Abe takoi përsëri Putinin. Ishte takimi i 21-të që kur Abe erdhi në pushtet në 2006. Një rast i paprecedent në historinë protokollare diplomatike japoneze. Abe kaq takime  nuk i ka bërë  as me presidentët amerikanë që janë  aleati kryesor strategjik i Japonisë dhe as me atë kinez që është partneri më i rëndësishëm ekonomik. 

Dy vendet nuk janë aleatë, por përkundrazi kanë marrëdhënie pothuajse të ngrira dhe, Rusia është partneri i 15 i huaj ekonomik, ku shkëmbimet tregtare midis dy vendeve  janë  vetëm  22 miliard dollarë në vit.

Por përse Abe nuk lë rast pa takuar Putinin?

Gjithcka lidhet me situatën  e re gjeopolitike që po krijohet në Azi. Rritja e peshës  ekonomike të Azizë duke u bërë qendra e ekonomisë botërore, rritja e pandalshme e dy gjigandëve ekonomik, Kinës dhe Indisë që tashmë e kanë kaluar ekonomikisht Japoninë  në termat e GDP dhe  po shprehin hapur gjithmonë e më tepër ambicie gjeopolitike, konflikti  që po përvijohet për dominimin e Paqësorit midis Kinës dhe SHBA dhe që nuk mund te lënë pa përfshirë vetë atë, alenca strategjike midis Kinës dhe Rusisë  që po konsolidohet përditë, rreziku real i Koresë së Veriut, e kanë bërë Japoninë të jetë shumë vurnerabël dhe  aktive duke dalë nga një politikë  relativisht e mbyllur tradicionale ishullore.

 Japonia ka vendosur kështu të luajë një rol gjeopolitik shumë  më aktiv se deri tani dhe jo vetëm si një aktore i dorës së parë ekonomike.

Në kuadrin gjeopolitik krijimi i një aleance politike ushtarake midis Kinës dhe Russisë konsiderohet si rreziku kryesor për Japoninë. Bashkimi në një aleancë të tillë i Kinës, fuqisë më të madhe ekonomike te Azizë që shumë shpejt do të jetë ekonomia më e fuqishme e botës dhe Rusisë, fuqisë më të madhe ushtarake të Azizë  është e frikshme për Japoninë dhe mund të çojë në izolimin e saj nga kontinenti.

Nga ana tjetër Japonia është një vend i varfër në burime natyrore, megjithëse sot është ekonomia e tretë e botës  dhe nevoja e  saj për burimet  e pafundme të Rusisë do të jetë shumë më e madhe në të ardhmen. Japonia importon  99,5% të burimeve energjetike, kryesisht  nga Lindja e Mesme 8000 km larg kur burimet ruse  janë vetëm 80 km larg dhe kushtojne 30% më lirë.

Natyrisht që kjo  nuk është ndonjë politikë e zgjuar ekonomike dhe nuk mund të vazhdojë për një kohë të gjatë. Shpërthimi i Fukushimës dhe reduktimi që po bëhet për prodhimin e energjise atomike duke shtuar energjinë nga qymyri, pasiguria e ngushticës së Malakës dhe mundësia e një konflikti në Detin e Kinës Jugore  ku kalon gjithë furnizimi energjetik i Japonise, po e bën imperative importimet  nga Russia. Nisja e projektit  të ndërtimit të gazsjellsit Sahalin-Hokaido është iminent tashmë.

Por Japonia dhe Russia kanë një problem të madh të pazgjidhur midis tyre që vazhdon të bllokojë që prej 73 vjetësh marrëdhënien dypalëshe. Problemi janë ishujt Kurile.

Ishujt Kurile (Chishima në japonisht) janë një arqipelag vullkanik prej 56 ishujsh me një sipërfaqe prej 15 600 km katrore dhe 19 000 banorë që shtihen në një gjatësi prej 1300 km nga Hokaido Japoni deri në Kamchatka në veri,  Rusi.

Aktualisht ishujt i zotëron Rusia  por Japonia rivendikon 4 ishujt e fundit  jugorë, Iturup, Kunashir, Shikotan dhe Hobomai, ky i fundit vetëm 8 km larg bregut verior japonez  të Hokaidos.

4 ishujt e kontestuar kanë një rëndësi strategjike ushtarake pasi mbyllin hyrjen në detin Okhotsk dhe sigurojnë për rusët lundrimin në portin e tyre jetik të Paqësorit, Vladivostokun.

Perandoria Cariste doli në Paqësor në shekullin e 17-të, pasi zbuluesi rus Vladimir Atlasov zbuloi  Kurilet veriore më 1697. Katerina e II e Rusisë i shpalli territor rus në 1799 dhe  populli Ainu, vendasit e Kurileve, iu bashkangjitën Perandorisë  ruse. Japonia e asaj kohe zbatonte politikën ” Sakoku”  të mbylljes totale të ishullit të vendosur nga Tokugawa në 1641 dhe që zgjati deri në vitin 1853.

Kontaktet e para  diplomatike midis Rusisë dhe Japonisë datohen në vitin 1855 në traktatin e Shimodës  kur u vendos që ishulli Sahalin do të administrohej nga të dy vendet ndërsa 4 ishujt e fundit jugorë të Kurileve  do ti kalonin Japonisë.

Më vonë në mënyrë paqësore të dy vendet ranë dakord në Traktatin e Shën Petërsburgut më 1875 që Rusia do të merrte sovranittin e Sahalinit dhe Japonia do të merrte gjithë ishujt Kurile.

Mbas disfatës ruse  në luftën ruso-japoneze 1904-1905, në Traktatin e Portsmuthit  Japonia rimorri gjysmën e Sahalinit dhe konfirmoi gjithë ishujt Kurile.

Në takimin e Jaltës  Stalini u angazhua që mbas eleminimit të Gjermanise naziste do të hynte në luftë me Japoninë. Kështu në gusht- shtator 1945 Ushtria e Kuqe ndërmori një sulm kundër Japonisë. Mbasi përzuri japonezët nga Mancuria e Kinës  rusët pushtuan gjithë Sahalinin dhe  ishujt Kurile dhe po përgatiteshin për të marrë Hokaidon, ishullin verior të Japonisë.  Një nga arsyet që Perandori japonez nënshkroi kapitullimin më 15 gusht 1945, nuk qenë vetëm bombat e Hiroshimës dhe Nagasakit, pasi trupat amerikanë nuk kishin zbarkuar  akoma në Japoni, por ishte frika se mund të përfitonte Ushtia e Kuqe që mund të pushtonte Japoninë nga veriu dhe të vendoste komunizmin siç bëri në Korenë e Veriut. Në  konferencën e Jaltës në 11 shkurt 1945 u  sanksionua kalimi i gjithë Sahalinit dhe gjithë ishujve Kurile në sovranitet të BRSS.

Traktatin e mbarimit të luftës me Japoninë në San Francisko më 1951 Rusia nuk e firmosi pasi në të nuk u morën parasysh angazhimet që u morën në Konferncën e Jaltës dhe Potsdamit   për sovranitetin rus mbi Sahalin dhe Kurile. Por Traktati që Japonia e firmosi e detyruar nga SHBA, vendosi që Japonia e humbte sovranitetin mbi Kurile por në një klausolë, katër ishujt e kontestuar i konsideronte gjeografikisht  pjesë të Hokaidos (ose të Territoreve të Veriut siç i quajnë japonezët) dhe la të hapur mundësinë e  një rikthimi të tyre Japonisë.

Japonia  e interpreton që në Jaltë u vendos për heqje dorë nga sovraniteti japonez  mbi Kurile por nuk i njohu të drejtën Rusisë kështu që  duhet të ngelet në fuqi Traktati i Shimodës i vitit 1855. Këtu janë bllokuar  të dy vendet nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare.

Ky pozicion bëri që midis dy vendeve të mos firmoset një Traktat paqeje, që nuk ekziston as sot  ndërkohë  që Japonia e nënshkroi me të gjithë palët në konfliktin botëror. Mbas shumë përpjekjeve diplomatike në vitin 1956, Hrushovi në Deklaratën e përbashkët ruso-japoneze të Moskës pranoi të jepte dy ishujt jug-lindorë Habomai dhe Shikotan  në këmbim të firmosjes së Traktatin të paqes dhe normalizimin e marëdhënieve . Japonia pranoi ta nënshkruante,  por SHBA  që e kishte të qartë se Lufta e Ftohtë ishte në prag,  nëpërmjet ministrit të jashtëm Allen Dulles kërcënoi Japoninë me të ashtuquajturit “‘Ultimatumi Dulles”  se po ta nënshkruante Traktatin, SHBA  nuk do t’i kthente Japonisë ishujt  e Okinavës që deri në atë kohë mbaheshin të pushtuar nga amerikanët. Kështu ky Traktat dështoi dhe më tej filloi Lufta e Ftohtë gati 30 vjecare ku Japonia u reshtua kundër BRSS.

Mbas Luftës së Ftohtë dhe rënies së komunizmit Jelcini ishte i gatshëm t’i linte 4 ishujt për forcimin e marrëdhënieve me Japoninë, por  lidershipi i tij i dobët  dhe gjendja kaotike e Rusisë jelciniane  nuk e bënë të mundur zgjidhjen e problemit.

Ardhja e Putinit e  komplikoi zgjidhjen e problemit. “Ne nuk shesim, vetëm blejmë” – deklaroi ai për ishujt.

Por Abe mendon se Putini është njeriu i duhur për të prerë nyjen gordiane. Ai ka një pushtet absolut në Rusi dhe  kështu që çdo zgjidhje që ai do jepte për Kurilet, do të mirëkuptohej nga rusët.

Abe mbeti i impresionuar nga zgjidhja që i bëri Putini kontraditave territoriale me Kinën për ishullin  Tabarov  mbi lumin Amur pranë Chabarovskit. Putin i dha kinezëve 170 km katror territor dhe i lumturoi ata, duke  gjykuar që nuk mund të mbahen të bllokuara marrëdhëniet strategjike  me Kinën dhe gjithë prespektiva e investimeve kineze në  Lindjes e Largët ruse për disa kilometra tokë. Dhe rusët e mirëkuptuan.

Për një zgjidhje të tillë  po punonte Abe, dhe po i shkonte shumë afër, por ndodhi Maidani në Ukrainë  dhe Putini gllabëroi Krimenë dhe gjërat u komplikuan për Japoninë. Megjithëse kryeministri japonez ishte i vetmi lider perëndimor që shkoi në inagurimin e lojrave të Sochit, që Putini i kishte shumë për zemër,  Japonia u detyrua nga SHBA t’i bashkohej sanksioneve kundër Rusisë dhe marrëdhëniet kaluan prapë në pikën zero.

Sanksioneve japoneze Putini iu kundërpërgjigjet me manovra ushtarake që nuk janë zhvilluar që nga Lufta e Ftohtë si ato detare ne 2015 dhe sidomos Vostok-2018 që u konsideruan si manovrat më të mëdha që Rusia ka bërë në historinë e saj në Azi  duke përfshirë edhe periudhën sovjetike. Gjithashtu ulja e dy Su-35-E në marsin e shkuar në ishullin e kontestuar Iturup  u quajt një provokim shumë i rëndë  nga japonezët.

Këto  manovra ruse  janë  një test  shumë i madh për mbrojtjen japoneze pasi ajo është shumë e impenjuar në lëvizjet e Korese së Kimit dhe provokimeve kineze për Senkaku dhe një përpjekje për të kontrolluar flotën ruse të Paqësorit të kombinuar me flotën kineze janë një impenjim shumë i madh, jashtë kapaciteteve të tyre luftarake.

Megjithatë ky moment kaloi dhe Abe nuk i ndërpreu asnjëherë kontaktet me Putinin, përkundrazi i shtoi ato. Në fakt Japonia ka vendosur sanksione pothuasje formale ndaj Rusisë pasi  nuk kërkon acarimin e saj.

Nga të katër shtetet  që ajo  ka kufi detar, me  Kinën dhe 2 Koretë vetëm  me Rusinë nuk ka problemet e krimeve të Luftës së Dytë, që kanë lënë gjurmë të mëdha midis Japonisë dhe kontinentit. Thjesht pasi  Japonia nuk hyri në territorin rus. Mjafton të shikosh marrëdhëniet e Japonisë me Korenë e Jugut që janë në një nivel politik minimal dhe nuk kanë zgjidhur akoma kufirin detar. Pa folur për marëdhëniet me Kinën ku ka çështjen e sovranitetit të   ishujve Senkaku në jug të Okinavës dhe në veri të Taiwanit dhe disa herë kanë qenë pranë konflikteve të armatosura.  Marrëdhëniet me Korenë e Veriut  nuk kanë nevojë për koment.

Prandaj Japonia po synon me  çdo kusht të zgjidhë problemin me Rusinë pasi do të ketë mundësi të luajë më mirë në skakierën gjeopolitike të Azisë.

Po gjithashtu  ekonomia e tretë e botës nuk mund të lejojë Kinën të futet dhe investojë në gjithë Lindjen e Largët  ruse   dhe Siberi, duke shtënë në dorë gjithë burimet e pafund të saj dhe të konsolidojë një alencë të fuqishme  me Rusinë që herët a vonë do t’i kthehet kundër vetë Japonisë.

Nga ana tjetër edhe  Putini ka disa problem, megjithëse ai është një njeri i plotfuqishëm në Rusi.

Gjeneralët e tij i konsiderojnë ishujt mjaft të rëndësishëm  nga ana strategjike  pasi ata janë vetëm 8 km larg Hokaidos.  Në radhë të parë japin thellësi strategjike raketave ruse,  së dyti sigurojnë mbylljen e Detit Okhotsk që OKB  ja njohu së fundmi  si det të brëndshëm të Rusisë dhe këtu janë të dislokuara  nëndetset  bërthamore ruse të afta të godasin cdo pikë të Paqësorit dhe së treti nëse këta ishuj i kalojnë Japonisë nuk përjashtohet mundësia që SHBA  të vendosë aty sisteme antiraketë  ose baza detare duke rrezikuar sigurinë kombëtare ruse.

Problemi tjetër është Kina. Ajo nuk do ta shikonte me sy të mirë kthimin e Kurileve Japonisë.

 Jo vetëm se ka problemin e saj me  ishujt Senkaku, dhe do t’i shtohej oreksi Japonisë, por në skakierën e re gjeopolitike një afrim i Rusisë me armiken e Kinës dhe aleatja më e madhe e SHBA në Azi  do të kompromentonte marrëdhëniet ruso-kineze për të cilat Rusia i ka prioritet absolut në këto moment, kur marëdhëniet me Perëndimin i ka pothuajse të ngrira.

Kjo po e bën Putinin të matur dhe  është duke i peshuar mirë hapat që po  hedh. Për momentin Rusia  ka pezulluar çdo instalim ushtarak duke synuar demilitarizimin e 4 ishujve të kontestuar,  ka hequr vizat për japonezët që duan t’i vizitojne pasi më përpara rusët i kishin shpallur zona ushtarake  off- limits  dhe ka pranuar që t’i kthejë ishujt në  “joint economic zone” për investime japoneze.

Ç’po ndodh aktualisht?

Fakti që opozita japoneze kërkoi  dje urgjentisht që Abe të raportojë në Parlament; tregon që palët duhet të jenë afruar shume pranë një marrëveshje. Dhe sipas informacioneve të para palët mund të kenë ardhur tek marrëveshja e vitit 1956 ku Rusia t’i japë dy ishujt lindorë dhe për dy të tjerët të gjejnë një kompromis juridik të pranueshëm. Deklarata e djeshme e Abes se Japonia nuk do të lejojë kurrë vendosjen e bazave ushtarake në këta ishuj, flet për garancitë që ai duhet t’i ketë dhënë Putinit.

 Japonia tashmë e ka të qartë se me Rusinë e Putinit  nuk mund të zgjidhësh asnjë problem me forcë, kështu që zgjidhja që dha Hrushovi në 1956 mund të konsiderohet më optimalja dhe  të pranohet.

Sot  Japonia ka një shkallë shumë të lartë pavarësie dhe nuk është ai shteti i sapo dalë nga lufta i shkatërruar  dhe që kushtetutën e saj ia shkruajtën fituesit. Po kështu edhe  marrëdhëniet me SHBA nuk janë më ato të Luftës së Ftohtë  dhe ardhja e Trump duket se i ka dhënë më shumë frymëmarrje Japonisë.

Zhvillimet e vrullshme gjeopolitike që po ndodhin në  Azi, dhe pozicioni jo shumë komod i Japonisë  në kuadrin e ri, mund ta bëjnë atë  më fleksibël  dhe një zgjidhje të pjesshme  ndoshta  mund ta pranojë.

Albert Çaçi

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Albert Çaçi

Gjeopolitika e grurit