Vitin e kaluar, përdoruesit aktivë të telefonisë celulare paguan mesatarisht 3.12 lekë për minutë thirrje të kryer. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) çdo përdorues shpenzoi mesatarisht 509 lekë në muaj për komunikimin me celular.
Përgjithësisht, komunikimi me celular bëhet përmes paketave që përfshijnë një sasi të caktuar njësish komunikimi kundrejt një pagese fikse. Zakonisht, njësitë e komunikimit në paketa nuk shpenzohen të gjitha, sidomos kur bëhet fjalë për thirrje apo mesazhe të shkruara.
Çdo përdorues kryen mesatarisht 160 minuta thirrje dalëse në muaj, ndërsa paketat e zakonshme mujore përfshijnë deri në 1 mijë minuta thirrje. Nëse njësitë e komunikimit në paketa do të konsumoheshin të plota, çmimi mesatar do të rezultonte edhe më i ulët.
Vlerësohet se çdo përdorues aktiv vitin e kaluar përdori rreth 160 minuta thirrje dalëse, 34 mesazhe të shkruara dhe 2 Gb internet në muaj. Të dhënat krahasuese të AKEP tregojnë se shqiptarët kanë shpenzime mesatare për telefonin celular shumë më të ulëta krahasuar me Bashkimin Europian. Statistika më e fundit për BE-në i takon vitit 2016, kur një përdorues i telefonisë celulare shpenzonte mesatarisht 162 euro në vit.
Në Shqipëri, shpenzimi mesatar është rreth 47 euro në vit, ose në pak se një e treta e mesatares së BE. Forcimi i konkurrencës dhe i rregullimit të tregut ka bërë që në dekadën e fundit kostot e komunikimit me celular të bien vazhdimisht. Shpenzimi mesatar për një minutë thirrje vitin e kaluar ishte 60% më i ulët krahasuar me vitin 2010.