MENU
klinika

Mosnjohja e simboleve

Serbia humb Botërorin prej Kosovës

21.11.2018 - 22:51

Mospranimi i simboleve të Kosovës nga Serbia ka bërë që Kampionati Botëror i Aeronautikës, që pritej të mbahej në Vrsaç të Serbisë, të anulohet. Kërcënimi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për shtetet që nuk pranojnë sportistët e Kosovës me të drejta të barabarta, ka nisur efektin e saj.

IOC javën e kaluar u shkroi letër të gjitha federatave ndërkombëtare që të mos u japin organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare shteteve që diskriminojnë sportistët, në këtë rast sportistët e Kosovës për shkak të politikës.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Federatës Botërore të Parashutizmit (FAI), të cilët sot kanë pezulluar Kampionatin Botëror, të paraparë për t’u mbajtur në muajin maj të vitit të ardhshëm në Serbi.

“Për shkak të situatës politike mes Serbisë dhe Kosovës dhe politikës së Komitetit Olimpik Ndërkombëtar në lidhje me pjesëmarrjen e delegacioneve sportive dhe atletëve në ngjarjet sportive ndërkombëtare (parimi i autonomisë dhe mosdriskriminimit), Kampionati i 10-të Botëror i Parashutizmit në Vrsaç të Serbisë (15-25 maj 2019) është pezulluar”, – thuhet në njoftimin e presidentit të FAI-it.

“Kam biseduar dje (e martë) në telefon me drejtuesit e FAI-t dhe kanë tentuar që të na bindin të marrim pjesë pa flamur, ose edhe të mos marrim pjesë fare. I kemi thënë që, nëse nuk marrim pjesë të barabartë me shtetet tjera, do t’ju padisim për diskriminim. Në fund, erdhi lajmi për anulimin e Botërorit”, ka thënë kryetari I federatës së parashutizmit të Kosovës, Shkëlqim Krasniqi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Devid Bekam e dëshiron si trajner të Mesit

Silvinjo shfaqet në radarët e Inter Majemit