Në fundin e intervistës së tij dhënë për emisionin “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja, analisti Mentor Nazarko foli edhe për deklaratën e ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kotzias, sipas të cilit “ushtria greke nuk e njeh kufirin me Shqipërinë”. Edhe kjo, sikurse ajo “Gruevski”, një çështje që lidhet me sigurinë kombëtare.
I pyetur se ç’është kjo lloj deklarate, apo ky lloj qëndrimi nga një politikan, i cili ka negociuar me Shqipërinë pakte e marrëveshje të pritshme, që mund të ndryshojnë të ardhmen e marrëdhënieve dypalëshe, Nazarko tha se “dalja e Kotziasit është produkt i luftës së brendshme në qeverinë greke, që solli largimin e tij”.
“Është pikërisht lufta midis ministrit të Mbrojtjes, Kammenos, drejtues i një partie nacionaliste, dhe Kotziasit; i pari prorus dhe i dyti properëndimor e proamerikan. Absolutisht që ai ka thënë një të vërtetë të madhe, sepse në komisionet negociatore ka një përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, të Ministrisë së Jashtme, një hartograf a gjeograf; e me siguri ai ka thënë diçka që është shumë e rëndë. Madje ai tha disa gjëra shumë të rënda përveç kësaj”, deklaroi Nazarko.
Por, përse Tirana zyrtare nuk ka reaguar ndaj këtyre gjërave shumë të rënda? Apo vonon shumë për të reaguar…?
“Unë imagjinoj që Tirana ka folur në kanale diplomatike, por ai ka dashur që të krijojë tymnajë dhe zhurmë në mjedisin grek, me një gjë të cilën ne e kemi ndierë me ngjarjen e Peshkëpisë, me ngjarjen e fundit në Bularat. Njerëz të lidhur me uniformën i kemi ndierë e parë në ato parakalimet ushtarake, shoqëruar me shprehjet ‘do t’i rrjepim shqiptarët’, e po ashtu edhe me futjen ilegale në kufi, siç erdhën një pjesë e tyre”, tha Nazarko.
Por sipas tij, ka edhe një problematikë tjetër, që duhet të krijojë një reagim të fortë të Shqipërisë edhe brenda NATO-s, edhe brenda Bashkimit Europian.
“Është pikërisht ekzistenca e të ashtuquajturës Gardë Kombëtare në Greqinë e veriut. Çfarë është kjo Gardë Kombëtare? Ësht një strukturë paraushtarake apo e lidhur me politikën, pasi kështu e kuptova nga intervista e tij, e financuar edhe me fonde të dyshimta. Ky është një shqetësim më i madh, që unë mendoj se Shqipërisë i lind e drejta pas kësaj deklarate, që çështjen e njohjes së kufijve tokësorë ta shtrojë në NATO, sepse bëhet fjalë për mosnjohje nga Ministria e Mbrojtjes së një shteti të NATO-s. Në këtë kuptim, pres që kjo të jetë lëvizja e radhës e Shqipërisë në forumet ndërkombëtare”, u shpreh Nazarko.