Ekspertët mendojnë se Shqipëria duhet të aplikojë tatim mbi të ardhurat familjare dhe jo ato personale. Ilir Binaj, ekspert kontabël, thotë se shkalla tatimore 23% që Shqipëria aplikon për pagat mbi 130 mijë lekë është e lartë.
Rritja e pragut në 150 mijë lekë, sipas tij, nuk sjell ndonjë ndryshim thelbësor. Sipas tij, Shqipëria duhet të aplikojë një sistem tatimi mbështetur në të ardhurat e familjes, siç bëjnë shumë vende të zhvilluara. Në alternativë, ai mendon që të paktën sistemi i tatimit për të ardhurat duhet përshkallëzuar më tej dhe një normë kaq e lartë tatimi mund të jetë e pranueshme për pagat vërtet të larta. Por, sipas tij, një tatim kaq i lartë godet ndjeshëm shtresën e mesme dhe sidomos inteligjencën.
Shkalla e lartë tatimore për pagat është bërë shkak që në vitet e fundit shumë profesionistë shërbimesh ta shmangin atë duke u regjistruar si subjekte biznesi.
Zoti Binaj shprehet ndërkohë se vendimi për të ulur tatimin mbi dividendin është pozitiv dhe do të ketë një lloj efekti në shpërndarjen e fitimeve të akumuluara nga bizneset. Ulja e tatimit mbi dividendin në 8% e çon në 23% tatimin total që paguajnë aksionerët për fitimin e shpërndarë të biznesit të tyre.
Kjo shkallë është megjithatë e barabartë me atë që paguajnë edhe individët me të ardhura nga paga mbi 130 mijë lekë në muaj. Kjo nënkupton se sistemi tatimor takson njëlloj individët që kanë vetëm të ardhura nga pagat me ata që mund të përfitojnë edhe miliarda lekë nga biznesi i tyre.