Tenisi e ka mbyllur sezonin e vitit 2018 dhe po bëhet gati për vitin tjetër, ndërkohë që bëhet edhe bilancet. Tenisti serb Novak Djokovic është në vendin e parë të klasifikimit për sa u përket të ardhurave të tenistëve, teksa këtë sezon ka arkëtuar 11.1 milionë euro, në 16 turne që ka marrë pjesë.
Pjesën e “luanit” e ka triumfi në dy grand slam, ato të Wimbledon dhe US Open, nga ku arkëtoi 5 milionë euro. Në gjithë karrierën e tij, Djokovic ka arkëtuar 108 milionë euro.
Në vendin e dytë të tenistëve më të pasur të 2018-ës është spanjolli Rafael Nadal, që këtë sezon ka fituar 7.5 milionë euro. Pesë titujt që fitoi kryesisht në fushat me dhè, kanë bërë që spanjolli të arkëtojë këtë shumë, pasi në pjesën e dytë të 2018-ës ka luajtur dhe fituar shumë pak.
Në vendin e tretë ndodhet tenisti gjerman Alexander Zverev, me 6.8 milionë euro të arkëtuara, duke lënë pas Roger Federer, që gjatë 2018-s ka fituar vetëm 6.7 milionë euro.
Për Zverev, fitorja në finalet e Atp Championship në Londër dy javë më parë i ka dhënë shumën e 2 milionë eurove. Ky është sezoni më i mirë për tenistin e ri gjerman, me 58 ndeshje të fituara, duke triumfuar në 4 turne në total.
Në vendin e pestë ndodhet argjentinasi Juan Martin Del Potro, që ka arkëtuar 5.2 milionë euro, falë fitoreve në disa turne në Amerikë.