MENU
klinika

Postimi i presidentit amerikan në Twitter

Trump i fyer nga Macron…

10.11.2018 - 12:20

Presidenti Donald Trump sulmoi homologun e tij francez, Emmanuel Macron, pasi arriti në Paris për të përkujtuar fundin e Luftës së Parë Botërore. Në Twitter, Trump tha se ishte shumë fyese që presidenti francez kishte bërë thirrje për një ushtri të përbashkët të BE për të përballuar kërcënimet nga SHBA, Kina dhe Rusia. 

Trump shkroi në rrjetet sociale “Presidenti Macron i Francës sapo ka sugjeruar që Evropa të ndërtojë ushtrinë e vet për tu mbrojtur nga SHBA, Kina dhe Rusia. Shumë fyese, por ndoshta Evropa duhet së pari të paguajë pjesën që i takon në NATO, që SHBA e subvencionon shumë!”

Çfarë ka thënë Macron? 

Presidenti Macron ka paralajmëruar se evropianët nuk mund të mbështeten më tek SHBA për sa i përket mbrojtjes të martën gjatë një vizite në ish-Frontin Perëndimor në Verdun. “Ne duhet ta mbrojmë veten nga Kina, Rusia dhe madje edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai për stacionin francez Evropa 1. 

“Kush është viktima kryesore? Evropa dhe siguria e saj. Dua të ndërtoj një dialog të vërtetë me Rusinë, e cila është një vend që e respektoj, një vend evropian, por ne duhet të kemi një Evropë që mund ta mbrojë veten pa u mbështetur vetëm tek Shtetet e Bashkuara”, shtoi më tej ai.

Cilat janë planet e fundjavës? 

Dy presidentët do të takohen për bisedimet e planifikuara përpara ngjarjeve përkujtimore të luftës së viteve 1914-1918.

Rreth 70 udhëheqës botërorë po mblidhen në Paris për ngjarjet që shënojnë armistikat që përfunduan Luftën e Parë Botërore.

Trump dhe Macron kishin planifikuar të bisedonin mbi disa çështje, përfshirë Jemenin, Sirinë dhe Iranin, përpara se bashkëshortet e tyre Melania dhe Brigitte t’u bashkohen atyre për drekë.

Të shtunën pasdite, Macron do të takohet me kancelaren gjermane Angela Merkel në qytetin Compiegne në Francën veriore, ku aleatët dhe Gjermania nënshkruan armistikën.

Trump shkroi në rrjetet sociale “ A ka më mirë se të festosh fundin e një lufte, posaçërisht të kësaj lufte, që ka qenë njëra prej më të përgjakshmeve dhe më e keqja e të gjitha kohërave?”.

Ai dhe Zonja e Parë, Melanie Trump do të vizitojnë sot një varr të ushtrisë amerikane në Belleau të Francës.

Të dielën pasdite Macron dhe Merkel do të marrin pjesë në një konferencë paqeje, Forumi i Paqes i Parisit, ku do të marrin pjesë edhe udhëheqës të tjerë, përfshirë Putin dhe Rexhep Tajip Erdogan të Turqisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


'Makronizmi,' piramidë që mbështetet në majën e saj

Çfarë po ndodh me Presidentin francez?

Kundërshton "Ligjin e më të fortëve"

Edhe Makron kundër Trump…