MENU
klinika

Atentati ndaj Lulzim Kullës

U arrestua në Kakavijë, lirohet i forti i Shkodrës

28.11.2018 - 10:05

Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër ka lënë të lirë Lulzim Kullën, i cili është arrestuar pak muaj më parë gjatë tentativës së tij për të kaluar kufirin drejt Greqisë.

Kullës në 13 janar të këtij viti iu bë një atentat me tritol në mes të qytetit të Shkodrës, ku mori plagë të rëndë si dhe u plagosën 8 persona të tjerë.

I njohur për atentatin me tritol që iu vu rreth një vit më parë, u ndalua nga Policia pasi tentoi të kalonte drejt Greqisë me një pasaportë false.

Kush është Lulzim Kulla?

Lulzim Kulla është emër i njohur për policinë për shkak të të kaluarës së tij kriminale. Ai njihet si “i forti” i Shkodrës i cili nënshtroi tregtarët e këtij qyteti, duke iu marrë edhe bizneset, ndërsa dyshohet se ka marrë pjesë edhe në torturimin për vdekje të një personi në këtë qytetit, por për ngjarjen nuk është dënuar askush.

Në qershor të vitit të kaluar, Lulzim Kulla është arrestuar nga policia për kultivim kanabisi në zonën e Dukagjinit, në Shkodër. Ai është mbajtur në burg dhe është liruar pas gjashtë muajsh.Lulzim Kulla pas vitit 1997 u kthye në makthin e tregtarëve dhe biznesmenëve në lagjen “Rus” të qytetit verior.

Lulzim Kulla, në bashkëpunim me grupe të tjera kriminale, do vinte nën diktat bizneset e Shkodrës, duke bërë që një pjesë e tyre të largoheshin nga qyteti. Për shumë vite ai mbajti nën kontroll lagjen e famshme të Shkodrës, duke kontrolluar aktivitetin tregtar.