MENU
klinika

Anullohet udhëzimi i vitit të kaluar

Ulen tarifat përmbarimore

08.11.2018 - 10:55

Tarifat e shërbimit përmbarimor privat janë ulur. Pas një beteje që zgjati më shumë se një vit, ministria e Financave dhe ajo e Drejtësisë kanë rishikuar udhëzimin e shumëdebatuar të vitit 2017, që rriti në përmasa marramendëse tarifat e shërbimit.

Udhëzimi në fjalë u kundërshtua ashpër sidomos nga Shoqata Shqiptare e Bankave, e mbështetur edhe nga Banka e Shqipërisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Sipas tyre, rritja e tarifave ishte e pajustifikuar dhe e pambështetur në argumente ekonomikë.

Në varësi të shumës së pasurisë që do të ekzekutohet, udhëzimi i ri i ul tarifat fikse të shërbimit përmbarimor nga dy deri në katër herë. Megjithatë, beteja ligjore është ende e hapur, sepse tani janë përmbaruesit që i kundërshtojnë tarifat e reja. Ata e kanë çuar çështjen në Gjykatën Administrative, që ka pezulluar hyrjen në fuqi të udhëzimit të ri.

Sipas Shoqatës së Bankave, edhe me udhëzimin e ri tarifat janë relativisht të larta dhe të pakrahasueshme me me praktikat më të mira ndërkombëtare, sidomos për pjesën e tarifave fikse. Megjithatë, Shoqata e Bankave pranon se udhëzimi i ri sjell përmirësime të mëdhja krahasuar me atë të vitit 2017. Bankat kërkojnë  një reformë tërësore në fushën e përmbarimit, për të sjellë eksperiencat më të mira dhe standardet më të përparuara.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN