Policia e Elbasanit ka dhënë informacionet zyrtare për operacionin antidrogë të koduar “Uraka 2” që u zhvillua dje dhe u kap një furgon me 578 kg kanabis.
Sipas njoftimit të Policisë, operacioni antidrogë ‘Uraka 2’, pati si synim goditjen e një grupi të mirëstrukturuar kriminal në fushën e trafikut të lëndëve narkotike.
Njoftimi i plotë:
Operacion antidrogë i koduar “Uraka 2”.
Operacioni në kuadër të kontrollit të territorit për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Goditet një grup i strukturuar kriminal në fushën e trafikut të lëndëve narkotike.
Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP
Elbasan në bashkëpunim me Forcën Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Arrestohen në flagrancë 8 persona, si dhe shpallet në kërkim një tjetër.
Sekuestrohen 578 kilogramë Cannabis Sativa, tre automjete , si dhe 14 aparate celular.
Në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit në Territor”, në vijim të kontrolleve të shumta të kryera në ambiente dhe automjete në akset rrugore, si dhe mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për një sasi lënde narkotike që po transportohej me një automjet furgon në drejtim të Korçës, nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Elbasan në bashkëpunim me Forcën Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, më datë 21.11.2018, rreth orës 10:00 në fshatin Urakë, Njësia Administrative Rrajcë, bashkia Prrenjas, në aksin rrugor Prrenjas -Pogradec është ndërhyrë dhe është bllokuar një automjet furgon “Iveco” me drejtues mjeti shtetasin A.B.
Nga kontrolli i ushtruar në brendësi të furgonit “Iveco” u gjetën dhe u sekestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike prej 578 kilogramë kanabis.
Gjithashtu u bllokuan dhe dy automjete të marra me qera nga këta shtetas në Fier, automjete të cilat shoqëronin automjetin me lëndë narkotike, konkretisht mjeti tip “Ford Focus” me drejtues shtetasin A. C., si dhe mjeti tip
“Toyota Corola” me drejtues mjeti E.H.
U sekuestruan gjithashtu 14 aparate celularë dhe 5800 euro.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
• E. M., 27 vjeç, banues në Fier.
• A. C. (T.), 39 vjeç, banues në Fier.
• A. B., 42 vjeç, banues në Levan, Fier.
• E. H., 43 vjeç, banues në Elbasan.
• G. R., 42 vjeç, banues në Elbasan.
• E. Gj., 42 vjeç, banues në Pogradec.
• A. Q., 24 vjeç, banues në Korçë.
• L. D., 34 vjeç, banues në Tiranë.
Si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. M., banues në Elbasan.
Lënda narkotike po transportohej në drejtim të Pogradecit dhe Korçës, ku do pritej nga shtetasit A.Q. dhe E.Gj.
Për arsye hetimi nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtij grupi të strukturuar kriminal.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës për Krimet e Rënda Tiranë për veprën penale të ”Trafikimit të narkotikëve”, ’’Grup i strukturuar kriminal’’, parashikuar nga nenet 283/a /2 dhe 333/a të Kodit Penal.