MENU
klinika

Msc. Ema Skeja

Vështirësitë prindër-fëmijë!

06.11.2018 - 12:07

Një prej pyetjeve me të cilën përballem shpesh në punën me prindërit dhe fëmijët, të cilët i takoj në zyrën time, është pikërisht e natyrës së tillë: ‘Pse nuk mund të jem mësues i mirë për të ndihmuar në të nxënë fëmijën tim?’

Disa prindër ankohen se nuk mund të jenë mësues shumë të mirë për fëmijët e tyre edhe pse mundohen të përdorin çdo metodë bashkëkohore të të nxënit.

Përgjigjja lidhet me shumë arsye. Ndër arsyet bazike është lidhshmëria emocionale në mes prindit dhe fëmijës. Pritshmëritë që fëmija juaj të japë maksimumin e forcës për të mësuar pa marrë për bazë mundësinë dhe strategjinë e nevojshme për fëmijën.

Ky është sinjali i parë problematik në aktivitetet e të nxënit prind-fëmijë.

Zakonisht kur prindi mundohet të ndihmojë fëmijën e tij në detyra, aktivizohet egoja e tij për pritshmëritë ndaj fëmijës së tij në saktësi, shpejtësi dhe pastërti të detyrave, në kërkim të vazhdueshëm për superioritet.

Ky nuk është një veprim i gabuar i prindit, është një aktivizim natyral i dashurisë, përkujdesjes, e aq më shumë i kërkesës për ta parë fëmijën e tij si më të mirin. Ky është një stimul prindëror i pashmangshëm.

Kur punoni me fëmijën tuaj e keni të vështirë të ruani ekuilibrin mes të qenit udhëzues dhe sundues. Pra, emocionet ndikojnë në metodën mësimdhënëse që ndiqni me fëmijën tuaj, duke u ndikuar nga lidhshmëria emocionale dhe pritshmëria juaj ndaj tyre.

Prandaj është vështirë të jetë prindi udhëzues pa bërë presion te fëmija. Ejani të mbrojmë ekuilibrin më të rëndësishëm në raportet prind fëmijë, të bëhemi udhëzues dhe jo sundues të fëmijëve tanë.

Që të jeni udhëzues të mirë me fëmijën tuaj duhet të sfidoni veten duke ulur kërkesat dhe pritshmëritë tuaja, e të gjeni kohë për t’i zëvendësuar me bashkëndjenjën që po përjeton fëmija juaj në pranim të informatave të reja të të nxënit.

Fëmijët nuk ndihen mirë nëse përballen me zhgënjimin apo zemërimin e prindërve në gabimet që bëjnë gjatë procesit të nxënit, ata preken në vetëvlerësim në situata të tilla.

Është shumë e rëndësishme që prindërit të mësojnë shprehjen e ndjenjave të krenarisë dhe lumturisë në prani të fëmijëve e sa më pak të shprehin zhgënjimin.