Nga Artan Hasani
Një ditë prej ditësh, në fillim të viteve ‘60-të, ndërsa atdheu rropatej për ndërtimin e socializmit, në kinemanë e qytetit të Peshkopisë u shfaq një dokumentar për turneun Ansamblit të Këngëve e Valleve në Egjipt.
Në ekranin e madh, njerëzit panë se si një shqiptar i shquar i Kajros, njëherazi kryetar i Kolonisë së Shqiptarëve të Misirit (para tij këtë post e kish mbajtur Çajupi i famshëm) kish mikpritur në vilën e tij për dy javë rresht të gjithë ansamblin dhe dokumentari ishte prodhuar nga vetë ai si dhuratë për bashkëkombasit.
Nga ekrani ai përshëndeste atdheun e tij dhe veçanërisht gruan dhe vajzën e tij të vetme që jetonin në atë qytet verilindor të Atdheut…
Ishte ai. Musa Shehaj, “armiku i popullit” dhe ato dy gra të reja që qanin në fund të sallës ishin gruaja dhe vajza e tij e vetme…
Po kush ishte ky “armik i popullit”?
Musa Daut Shehu u lind në vitin 1913 në Dukat.
Në vitin 1933 mbaroi studimet fetare në Medresenë e Tiranës. Po këtë vit fillon studimet për Teologji dhe Kulturë Arabe në Kajro të Egjiptit.
Në vitin 1936 kthehet në Shqipëri dhe martohet me Hatixhe Habilaliaj nga Dukati. Për herë të fundit kthehet në Atdhe në vitin 1938.
Në vitin 1939 i lind vajza e vetme e cila nuk e pa kurrë të atin. Lufta e II Botërore dhe më pas instalimi i regjimit komunist ia bënë të pamundur kthimin në atdhe.
I vëllai i tij Isufi, i diplomuar në Shkollën Teknike të Fultzit dhe më pas në Akademinë Ushtarake në Firence të Italisë, gjatë luftës kthehet në atdhe dhe lufton përkrah nacionalistëve. Burgoset dhe dënohet me 101 vjet burg nga gjykatat komuniste si një nga krerët e Ballit Kombëtar për zonën e Tragjas-Dukatit.
I pari i shtëpisë se Shehajve, Mulla Azem Shehu, një nga figurat intelektuale dhe nacionaliste më me peshë të asaj treve, në vitin 1946 arratiset në Perëndim për t’i shpëtuar dënimit më vdekje dhe vendoset në Detroit, Miçigan.
(Rikthehet ne Shqipëri vetëm pas përmbysjes së diktaturës komuniste, ku për kontributin e tij intelektual dhe atdhetar nderohet me titullin “Mësues i Popullit”. Fëmijët e tij vuajtën kalvarin e tmershëm të internimeve për 50 vjet me rradhë.)
Shtëpia e Shehajve që shërbente edhe si Teqe e Dukatit u shkatërrua dhe u bë depo drithi. Gruaja dhe e bija e tij dëbohen drejt skajeve verilindore të Shqipërisë, pa pasur të drejtë kthimi në Vlorë…
Në vitin 1940, Musa Shehu arrestohet në Kajro pas grisjes së flamurit italian në ambasadën italiane, në shenjë proteste në përvjetorin e parë të pushtimit fashist të atdheut. Lirohet pas protestave të komunitetit shqiptar të Kajros.
Në vitin 1944, karriera profesionale e Musa Shehut ndryshon drejtim. Nis studimet në Akademinë e Arteve të Bukura të Kajros dega Regjizurë.
Në vitin 1950 për kontributin e tij atdhetar zgjidhet kryetar i Kolonisë Shqiptare të Misirit (Egjiptit), Është kjo koha kur bashkë me miq të tij inicion hapjen e një sistemi shkollash shqipe në Kajro.
Në vitin 1953 mbreti me origjinë shqiptare – Faruk, i dhuron bibliotekën e tij personale pak javë para abdikimit.
Në vitin 1954 e gjen në Tunizi si drejtor ekzekutiv në xhirimet e filmit “Fatma”, një prodhim frankoegjiptian i shfaqur edhe në Shqipëri.
Po këtë vit, Musa Shehu bëhet drejtor ekzekutiv i “Al Ahram”, e vetmja kinostudio shtetërore e Egjiptit, post që e mbajti deri në vitin1968.
Gjatë viteve 1969 -1978, Musa Shehu punon si pedagog dhe më vonë shef i katedrës së gjuhës frënge në Universitetin Shtetëror të Kajros.
Për jetën dhe kontributin atdhetar të Musa Shehut në Egjipt shkruhet edhe në librin “Shqiptarët e Egjiptit” të studiuesve Emin Azemi dhe Shkëlzen Halimi,(Maqedoni), si dhe në monografinë e Mustafa Dednikës – “Patrioti i madh nga Dukati”. Sipas tyre dhe njerëzve jo të pakët që patën rastin ta njohin nga afër, Musai ishte njeri me kulturë shumë të gjërë, poliglot, njeri me influencë dhe njohje në shtresat e larta të shoqërisë egjiptiane.
Në vitin 1962 bëhet sponsori kryesor mediatik i publicitetit të Ansamblit të Këngëve e Valleve të Shqipërisë në Festivalin Ndërkombëtar të Kairos. Gjithashtu pjesëtarë të ansamblit akomodohen gjatë dy javëve në shtëpitë e tij në Kajro dhe Aleksandri.
Shërben si ciceron i ansamblit gjatë vizitave së tyre në qytetet egjiptiane, buzë Nilit dhe në Piramidat, gjëra që i pasqyroi gjerësisht edhe një dokumentar të tij që u shfaq në kinematë shqiptare të kohës. Vizita e ansamblit përsëritet dy vjet më vonë, në 1964. Përsëri një dokumentar i cili shfaqet në Shqipëri.
Në vitin 1978 shtrohet në spitalin greko-amerikan të Kajros ku lëngon nga gangrena diabetike deri sa vdes në vitin 1998. Sipas autorëve të lartpërmendur dhoma e tij në spital priste e përcillte figura të njohura të artit dhe kulturës të Kajros, kolegë, studentë të tij dhe bashkëatdhetarë.
U varros në varrezat e Gizës, në lagjen pranë piramidave, ku jetoi pothuajse tërë jetës.
Për kontributin e tij intelektual dhe atdhetar, në vitin 2006 nderohet pas vdekjes me titullin “Qytetar Nderi i Orikumit” dhe një rrugë e atij qyteti mban emrin e tij.