MENU
klinika

Apeli ‘rrëzon’ shkallën e parë

Vlorë/Gjykata e Apelit shpall të pafajshëm Shpëtim Gjikën

14.11.2018 - 13:13

Gjykata e Apelit të qarkut të Vlorës, ka shpallur të pafajshëm nga akuzat ish-kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjikën. Gjika akuzohej për 4 akuza, për “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim dokumentash”, “Fshehje të provave të krimit” dhe “Ndërtim të paligjshëm”, e për këto akuza ishin kërkuar ndaj tij 9 vite burg.

Kryesuesja e trupit gjykues që e liroi Gjikën nga çdo akuzë ishte Alma Liçaj, që vetëm një ditë më parë doli para KPK-së në kuadër të Vettingut. Ndërkohë që gjyqtarë ishin Petrit Aliaj dhe Iliba Bezati.

Së bashku me Shpëtim Gjikën, edhe ish-shefja e urbanistikës në bashkinë e Vlorës, Doriana Beharaj u shpall e pafajshme.

Biznesmeni Artur Haxhi, i përfshirë në këtë çështje, si dhe pronar i subjektit ndërtues “Turi&MZB” është dënuar me 3 vite burg, konvertuar në tre vite shërbim prove për akuzën e falsifikimit të dokumenteve zyrtar më shumë se një herë.

Ndërkohë që Ridvan Mersini, i cili është dënuar nga gjykata me një vit burg të konvertuara në dy vite shërbim prove, u shpall po ashtu i pafajshem.

Gjykata e shkallës së parë të Vlorës e kishte dënuar me 4 vite burgim të konvertuara në 2 vite shërbim prove si dhe ndalimin për tre vite të ushtrimit të funksioneve publike por me vendimin e Apelit ky dënim u rrëzua.