Gjykata e Tiranës ka liruar nga masa e sigurisë “arrest me burg” Geldo Hotin, i dyshuar si një nga autorët e masakrës së ndodhur mbrëmjen e 4 tetorit në zonën e ish-bllokut, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj dhe Eljon Hate.
Gjykata e Tiranës ka liruar në 22 nëntor 37-vjeçarin Geldo Hotin, por lajmi është bërë publik sot. Geldo Hoti u arrestua në pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë në 5 tetor dhe mohoi para gjykatës se tentoi të arratisej nga Shqipëria.
Dëshmia
“Kam dëgjuar krisma dhe menjëherë jam futur poshtë tavolinës i tronditur. Nuk kam qëlluar, kam qenë pa armë. Më pas jam larguar për në Greqi sepse do të merrja një pajisje”, mësohet të ketë thënë Hoti në seancë.
Geldo Hoti mësohet se ka qëlluar me armë gjithashtu, në momentin që dy grupet janë takuar për të sqaruar një mosmarrëveshje. Hoti, sipas burimeve, është mik me komandon Meviol Bilo dhe ka qëlluar me armë, duke i ardhur në ndihmë këtij të fundit gjatë konfliktit me Fabian Gaxhën.
Akuzat
Ndaj Hotit rëndojnë veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim” si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Geldo Hoti ishte në të njëjtën tavolinë me komandon Merviol Bilo, me të dashurin e këngëtares Ervin Mata si dhe Fabiol Alushin.