MENU
klinika

5 vjet në përndjekje

Dokumentat sekrete për Mid’hat Frashërin

19.11.2018 - 15:36

Nuk u deshën shumë ditë që nga riatdhesimi i Mid’hat Frashërit në tokën shqiptare, që Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të publikojë listën e dokumenteve arkivorë të përndjekjes së Sigurimit ndaj personalitetit të shquar të kulturës dhe letrave shqipe.

Materialet pretendohet se janë shumë faqe dhe do të vihen në dispozicion të të interesuarve, studiuesve dhe kërkuesve shkencorë, shoqërisë civile dhe medias në mënyrë që t’u mundësojë njohjen me dokumentat e plota. Këto dokumenta flasin për persekutimin e Mid`hat Frashërit.

Shkrimtari dhe politikani shqiptar duket se ka qenë për pesë vjet objektiv i sigurimit të shtetit që e akuzonte si armik të regjimit të kohës. Lista me 9 dokumente daton që në vitin 1945. Ndër të tjera rezultojnë dy dosje që përshkruajnë veprimtarinë e Mid’hat Frashërit, si një veprimtari tradhtare dhe armiqësore, ndërsa vetë ai, cilësohet kriminel lufte.

dokumenta per mid'hat frasherin

Në këto dokumente gjendet gjithashtu informacion mbi veprimtarinë e Ballit Kombëtar, një historik i aktivitetit së kësaj organizate që daton në vitin 1954, ndërsa në një dokument të vitit 1950 pasqyrohet veprimtaria e Ballit Kombëtar në Shqipëri dhe mërgim.

Konkretisht, janë identifikuar:

Viti 1945, Dosje – fashikull me dokumente mbi veprimtarinë e Mid’hat Frashëri gjatë okupacionit në arrati;

Viti 1945, Dosje – fashikull me dokumente mbi veprimtarinë armiqësore dhe anti kombëtare të Mid’hat Frashërit, gjatë regjimit të Zogut;

Viti 1945, Informacione mbi veprimtarinë e Ballit Kombëtar, promemorie mbi formimin e disa qeverive gjatë luftës, lista e informatorëve në shërbim të Jugosllavisë para lufte e që ndiqeshin nga autoritetet italiane dhe lista emërore e personelit italian në Shqipëri, ndodhet vetëm në origjinal;

Viti 1945, Historiku i ish legatës dhe konsullatës italiane në Shqipëri deri më 1943, skica e vendndodhjes;

Viti 1953, Shënime për Komitetin Shqipëria e Lirë, themeluar dhe kryesuar nga Mid’hat Frashëri;

Viti 1954, Historiku i Ballit Kombëtar, lista sipas qarqeve;

Viti 1954, Historiku i Ballit Kombëtar, para dhe pas vitit 1944;

Viti 1947, Raporte informative mbi gjendjen dhe veprimtarinë armiqësore të emigracionit reaksionar shqiptar në Itali dhe dokumente mbi organizatën “Balli Kombëtar” në mërgim;

Viti 1950, Historiku i organizatës së Ballit Kombëtar dhe veprimtaria e saj në Shqipëri dhe në mërgim. Thirrjet e Kongresit të kësaj organizate dhe polemika mbi organizatat e tjera të emigracionit reaksionar shqiptar në perëndim.

Të gjithë dokumentet vihen në dispozicion të të interesuarve, studiuesve, medias, mbi bazë kërkese dhe konform ligjit në fuqi.

Duke i vënë në dispozicion të publikut këto materiale, AIDSSH krijon mundësi për njohje të thelluar me dokumente, procesverbale, dosje e statistika të periudhës së marrë në shqyrtim, mbi rezistencën dhe përndjekjen, për të hedhur dritë mbi të shkuarën me baza profesionale dhe transparencë, në komunikim të hapur me publikun.

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB