MENU

Dyndje para ndalimit

40 milionë euro makina të vjetra në një muaj

19.12.2018 - 10:54

Hyrja në fuqi e ndalimit të importit të automjeteve më të vjetra se 10 vite datë prodhimi ka nxitur tregtarët e makinave të përdorura në vend që të importojnë masivisht muajin e kaluar.

Sipas të dhënave të tregtisë së jashtme, të publikuara nga Instituti i Statistikave, zëri i importit të mjeteve të transportit gjatë Nëntorit, muaji i fundit kur mund të importonin makina më të vjetra se 2009-a, ka prekur vlerën më të lartë në histori.

Muajin e kaluar u importuan rreth 5 miliardë lekë (rreth 40 milionë euro) mjete transporti, afro 40% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndër vendet që kanë një treg të madh importi në automjetesh në Shqipëri, rritja më e madhe regjistrohet për Gjermaninë, në rritje me 31% dhe për Italinë, prej nga importet janë rritur me 66%. Në vlerë, importet e makinave nga Gjermania ishin 2.1 miliardë lekë, ndërsa nga Italia 1.1 miliardë lekë.

Edhe Shtetet e tjera si, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Belgjika apo Austria regjistrojnë një rritje të konsiderueshme. Pra, të dhënat tregojnë qartë se tregtarët kanë shfrytëzuar ditët e fundit përpara hyrjes në fuqi të vendimit të qeverisë për të krijuar stok të makinave të vjetra.

Nga data 2 Dhjetor e këtij viti është i pamundur importi i makinave më të vjetra se 10 vjet.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN