MENU
klinika

Dossier

A do të fitojmë nga taksa kosovare për Serbinë?

02.12.2018 - 13:18

Vendosja e taksës doganore 100% për mallrat e importuara nga Serbia (dhe Bosnja) solli tërmet politik dhe acarim të mëtejshëm të marrëdhënieve të vështira mes dy vendeve. Kjo masë ka një efekt dramatik në marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve.

Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, rezulton se gjatë vitit të kaluar, në Kosovë kanë hyrë plot 449 milionë euro produkte nga Serbia, dhe 81 milionë euro nga Bosnje Hercegovina. Me një taksë në 100% mbi produktet e importit, do të thotë se shteti i Kosovës do të fitonte po aq, pra një total prej 530 milionë eurosh.

Në praktikë, me vendosjen e një takse të tillë tregtia do të paralizohet, sepse asnjë mall nuk do të mund jetë konkurrues në tregun kosovar, po të importohet me një kosto të dyfishuar.

Qeveria e Kosovës e ka justifikuar këtë veprim me një logjikë të pastër proteksioniste, por kësaj here jo vetëm në drejtim të tregtisë. Qeveria e Kosovës nuk ndihet e barabartë karshi Serbisë, dhe për të arritur qëllimet e saj po përdor “luftën” tregtare, ku sipas saj nuk ka çfarë të humbasë. Në mes të një debati proteksionist dhe me tipare nacionaliste, Shqipëria edhe mund të korrë përfitime nga ky vendim i qeverisë së Kosovës. Jo më kot, shoqata e biznesit në Shqipëri e përshëndetën vendimin e qeverisë së Kosovës.

A do të fitojë Shqipëria?

Kosova ka importuar 449 milionë euro mallra nga Serbia në 2017 dhe vetëm 151 milionë euro nga Shqipëria, pra thuajse tre herë më pak. Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit do të mundeshin shumë mirë ta zëvendësonin hapësirën e lënë bosh nga Serbia.

Po për eksportet? Edhe këtu, shifrat përligjin vendimin e qeverisë së Kosovës, pasi flasin për vetëm 48 milionë euro eksporte drejt Serbisë dhe 60 milionë euro drejt Shqipërisë. Kjo do të thotë se, deficiti tregtar i Kosovës me Serbinë në vit, fiksohet në 400 milionë euro. Serbia është partneri kryesor tregtar i Kosovës në drejtim të importit.

Shifrat e tregojnë qartë këtë. Pas Serbisë me 449 milionë euro në vit, ndjek Gjermania me 378 milionë euro, Turqia me 292 milionë euro, Kina me 275 milionë euro, Italia me 194 milionë euro, Maqedonia me 156 milionë euro dhe Shqipëria me 151 milionë euro, pra edhe më pak se Maqedonia. Por, tanimë gjërat duket se kanë ndryshuar. Të paktën premtimet, duken premtuese.

Në mbledhjen e përbashkët të 26 nëntorit në Pejë, dy qeveritë vendosën heqjen e të gjitha tarifave doganore mes Shqipërisë dhe Kosovës, brenda një afati kohor prej 6 muajsh.

Eksportet drejt Kosovës, 180 mln euro në 10 muaj

Vitet e fundit, eksportet shqiptare po gjejnë gjithnjë e më shumë tregun e Kosovës. Referuar shifrave tregtisë së jashtme të publikuara nga INSTAT, gjatë 10-mujorit 2018, eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës rezultojnë me rritje të konsiderueshme. Në periudhën janar-tetor 2018, Shqipëria ka eksportuar në total 22.4 miliardë lekë ose 180 milionë euro mallra mallra, duke shënuar një rritje me thuajse 5 miliardë lekë krahasuar me të të njëjtën periudhë të një viti më parë.

E njëjta gjë nuk ka ndodhur me importet kosovare në Shqipëri. Nëse analizojmë të dhënat e INSTAT, rezulton se në muajin tetor importet nga Kosova ishin në nivelin e 934 milionë lekëve, duke shënuar një rritje me 148 milionë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, edhe në rang 10-mujori, rritja e këtij viti rezulton me rreth 400 milionë lekë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rreziqet për Kosovën

Taksa “Haradinaj” mbi produktet e importit nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina ka ngjallur reagime të shumta. Serbia është partneri kryesor tregtar i Kosovës sa i përket importeve, pasi me rreth 450 milionë euro në vit, përfaqëson 15% të importeve në Kosovë. Por, cilat janë produktet kryesore që importin Kosova nga Serbia, mungesa e të cilave në tregun e Kosovës, si rrjedhojë e taksës, mund të sjellë probleme serioze brenda vendit.

Në vend të parë qendron energjia elektrike, me rreth 12% peshë në importet e Serbisë, më pas ndjek kategoria e naftës, me rreth 11%, ndërkohë që në vend të tretë janë drithërat, me diçka më pak se 10%. Të treja këto kategori, në rast se taksa prej 100% do të vazhdojë, do të ndalen së futuri në Kosovë nga Serbia e për rrjedhojë mund të shkaktojnë edhe probleme të mëdha në furnizim, sidomos tani që dimri është te dera.

Mungesa e naftës dhe energjisë elektrike në treg do të ishte shumë e rëndë e po ashtu edhe mungesa e drithërave. Më pas, ndjekin pijet dhe metalet, ndërkohë që kategori si sheqernat dhe nënproduktet, hekuri dhe çeliku apo vajrat, zënë një peshë tepër të vogël.

Rama vë në siklet Ahmetajn

Një ndër deklaratat më të bujshme ka qënë pikërisht ajo e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, Arben Ahmetaj, që për hir të së vërtetës u duk si një deklartë aspak e menduar mirë nga një prej ministrave më të rëndësishëm të kabinetit qeveritar. Vendimi i qeverisë së Kosovës për rritjen e taksave ndaj mallrave serbe në 100% është vlerësuar si jo e shëndetshme për ekonominë e dy vendeve, nga ana e ministrit.

Ahmetaj, fillimisht i sugjeroi Kosovës të mos ndërmarrë masa të tilla me asnjë vend, pasi vendosja e tarifave shkon si kosto mbi qytetarët. Vendimi i qeverisë së Kosovës është komentuar në Beograd si një kundërpërgjigje ndaj dështimit për anëtarësim në Interpol dhe një hakmarrje për këtë dështim diplomatik.

“Deutsche Ëelle” shkruante se Beogradi e sheh këtë hap si një masë politike që nuk ka lidhje me ekonominë, ndaj edhe ka kërkuar reagime shumë të ashpra të Bashkimit Europian dhe Uashingtonit. “

Ky çekuilibrim po zgjat me vite të tëra, ndaj shtrohet pyetja pse ky vendim në këtë moment, kur dihet se me ngritjen e taksave do të ngrihen edhe çmimet e mallrave në Kosovë dhe mund të bjerë standardi i jetës? Në Serbi thuhet se këto masa janë një rast i paprecedentë në ekonomi dhe nuk kanë logjikë ekonomike. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u takua menjëherë pas vendimit me ambasadorët e Kinës dhe Rusisë, ata të vendeve të Gjermanisë, SHBA, Francës, Britanisë së Madhe dhe Italisë, si dhe përfaqësuesit e Bashkimit Europian.

Njëkohësisht, ai ka organizuar edhe takimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, pas të cilit tha se Serbia nuk do të përgjigjet me kundërmasa ndaj Kosovës. Presidenti Vuçiç tha se këto masa “e bllokojnë praktikisht tregtinë mes Serbisë dhe Kosovës” dhe se “Prishtina ka për qëllim të dëbojë serbët dhe të detyrojë Beogradin të kapitulojë”.

Reagime mjaft të ashpra ka pasur edhe nga Brukseli zyrtar, me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, e cila ka kërkuar heqjen e menjëhershme të kësaj takse, që duket se për momentin ka bllokuar tërësisht bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës, një investim i kahershëm i Europës.

Ndryshe nga hera e parë, kur Mogherini reagoi nëpërmjet zëdhënëses së saj, Maja Kocijancic, kësaj here ka reguar në vetë të parë. “Vendimi i sotëm (21 Nëntor) i qeverisë së Kosovës për të rritur taksën mbi produktet nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina në 100% është një shkelje e qartë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore, CEFTA, si dhe e shpirtit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Bashkimit Europian dhe Kosovës.

Për më tepër, përshkallëzon situatën pas propozimit fillestar për një rritje të taksës së propozuar fillimisht në 10%. Qeveria e Kosovës duhet ta tërheqë këtë vendim menjëherë”, deklaroi Federica Mogherini, përfaqësuese e lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë.

Haradinaj nuk tërhiqet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duket se nuk ka ndërmend ti përgjigjet këtyre apeleve, e madje e ka sqaruar gjerë e gjatë vendimin e qeverisë të cilën ai drejton, në një letër dërguar ambasadorëve dhe faktorit ndërkombëtar.

“Më 21 nëntor 2018, Kosova vendosi 100% tarifë doganore për të gjitha mallrat që importohen nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina. Ky vendim është marrë në pajtim me nenin 18 të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA). Vendimi është një përgjigje ndaj veprimeve të vazhdueshme destruktive të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, që kërkojnë të minojnë sovranitetin e Kosovës.

Republika e Kosovës beson fuqimisht se dialogu i bazuar në vullnetin e mirë, respektin e ndërsjellë dhe besimin e mirë është e vetmja mënyrë për të ndërtuar besimin midis shteteve dhe popujve, duke nxitur paqen afatgjatë, forcimin e stabilitetit rajonal dhe rritjen e prosperitetit.

Prandaj, qeveria e Kosovës është e përkushtuar fuqimisht për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse afatgjate të paqes me Serbinë, e cila adreson të gjitha çështjet politike, të sigurisë, ekonomike, tregtare dhe kulturore. Kosova ka zbatuar vazhdimisht dhe vendosmërisht dhe ka respektuar të gjitha detyrimet e saj ndërkombëtare, duke përfshirë CEFTA-n dhe SAA-në e saj – dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë.

Qeveria e Kosovës u bën thirrje përfaqësuesve të BE-së, si ndërmjetësues në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që të detyrojnë Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën të përmbushin angazhimet e tyre sipas CEFTA-s dhe marrëveshjeve të tjera.

Neni 18 i CEFTA-s u lejon anëtarëve të saj të ndërmarrin çdo veprim të nevojshëm për “mbrojtjen e interesave thelbësore të sigurisë ose për zbatimin e detyrimeve ndërkombëtare ose politikave të brendshme”.

Serbia, e mbështetur nga Bosnje Hercegovina, vazhdimisht dhe në mënyrë aktive përpiqet të minojë sigurinë, sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Veprimet e saj shkelin zotimet e detyrueshme ligjore dhe politike, duke përfshirë Marrëveshjen e Brukselit mbi Normalizimin e Marrëdhënieve. Këto veprime kërcënuan interesat thelbësore të sigurisë së Republikës së Kosovës”, thotë Haradinaj në letrën e tij.

Vendimi i qeverisë së Kosovës mori përkrahjen maksimale edhe të Odës Ekonomike të Kosovës, që deklaron: “Bazuar në supozimin që tregtia e lirë ka kuptim vetëm kur zhvillohet në kushte të barabarta dhe me respekt reciprok; bazuar në interesin shtetëror për fuqizim të subjektivitetit ndërkombëtar, si një ndër parakushtet për stabilitet politik dhe ekonomik, OEK përkrah vendimin për masa të politikës tregtare ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina, si mjet i pashmangshëm për zbatim të marrëveshjes së CEFTA-s, zbatim të marrëveshjeve bilaterale me Serbine dhe respektim të lirive themelore, përfshire lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.

Kryeministri i Shqipërisë, ndërkohë, i cili shpreh edhe bindjen e të gjithë qeverisë shqiptare, deklaroi se qeveria që ai drejton e mbështet në masën 100% këtë vendim të qeverisë së Kosovës, pasi sipas Ramës, shqiptarët në rajon kërkojnë dinjitet. Madje, Rama ka reaguar mjaft ashpër edhe ndaj organeve më të larta të Bashkimit Europian, që sipas tij nuk po i trajtojnë aspak njësoj serbët dhe shqiptarët. Nga ana tjetër, presidenti serb, Alaksandar Vuçiç e ka quajtur një hipokrizi mbledhjen e dy qeverive shqiptare në Pejë.