Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj është shprehur pro studentëve dhe i ka cilësuar kërkesat e tyre më se të natyrshme dhe jo të ekzagjeruara por ka këmbëngulur për dialog.
Ai tha se protesta të tilla ndodhin vetëm në vende demokratike dhe se dialogu i shërben së ardhmes.
“Ajo që ndodh sot ndodh vetëm në vendet demokratike ku studentët dalin në mënyrë paqësore, në mënyrë shumë të bukur. E imagjinoni që ata pastruan edhe rrugën. Është përtej violencës. Ne as nuk duam t’i refuzojmë, as nuk duam t’i keqpërdorim. Ne do vazhdojmë t’u lutemi për dialog në favor të së ardhmes”, u shpreh Ahmetaj.
Ai tha se dialogu duhet që t’i detajojmë së bashku.
“Për 5% e PBB. Studentët janë të mençur dhe janë të thellë në dije se si funksionon trajektorja e financave të një vendi. Nuk po them në detaje por në themel. Në dialog do vendosim që për sa kohë do bëhet.
Unë e kam me vete se ku janë vendet e tjera me gjithë trajektoren për sa i përket PBB-së. Ne vërtetë jemi shumë mbrapa, por edhe Gjermania është 4.2%. Nuk po themi të krahasohemi me Gjermaninë. Duhet ta pranojmë, ne nuk jemi vend i pasur. Ne jemi një vend që po hyjmë në fazën e një zhvillimi të shpejtë ekonomik. Por nga e kemi filluar, 2012 gropa e zezë e ekonomisë”, deklaroi ministri.
Ai tha se studentët nuk kërkojnë shumë. “Mendoj që janë në natyrshmërinë e tyre. Asnjë kërkesë nuk është e ekzagjeruar. Por përballë qeverisë ne i bëjmë pyetje vetes a kemi mundësi ta bëjmë. Është gjëja më normale për të kaluar tek pakti me studentët për Universitetet.
Mbrapa protestës tenton të ketë duar të errëta që duan të frenojnë studentët nga dialogu. Kush ka frikë nga dialogu në këtë botë? Asnjë nuk ka frikë. Frikë studentët kanë nga violenca, nga autokracia, nga mosmbajtja e fjalës. Por të kesh frikë nga dialogu?”, tha Ahmetaj
Ai deklaroi se maxhoranca do dialogun dhe mendon të bëjë më shumë se ato 8 pika për të çuar arsimin ku duhet.
“Ne i kemi bërë. Unë jam pjesë e grupit të punës. Ne duam dialogun. Ne mendojmë që ato 8 pika nuk janë mjaft për ta çuar arsimin aty ku duhet.
Është më dinjitoze të kemi përballë në një tryezë studentët dhe të themi ja çfarë do bëjmë me tarifat, me studentët që vijnë nga familjet me ndihmë ekonomike. Do jetë 0 tarifa për studentët e ekselencës dhe të ekselencës jo vetëm 10 por nga 9. Do marrin 100 mijë lekë të vjetra studentët e ekselencës”, shpjegoi Ahmetaj.