MENU
klinika

Mega-operacioni 'Vol-vo 4'

Arrestohet noteri i shitblerjeve fiktive, përfituan deputetët

16.12.2018 - 08:45

Një person i akuzuar për implikim në grupin e strukturuar kriminal në fushën e krimit ekonomik, të goditur nga operacioni “Vol-Vo 4” në tetor të 2018-ës, arrestohet noteri.

Në prangat e Policisë ka rënë noteri Emanuel Gjura, banues në Lezhë.

Për 32-vjeçarin që ishte në kërkim, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Grup të strukturuar kriminal”, “Falsifikim të dokumenteve, vulave, stampave e formularëve” si dhe për “Shpërdorim toke”.

Gjura u prangos mëngjesin e së premtes teksa po lëvizte me automjetin e tij në autostradën Lezhë-Laç, ndërsa mësohet se në momentin e ndalimit nuk i ka bërë rezistencë Policisë.

Megaoperacioni “Vol-Vo 4”, i shtrirë në 12 qytete të vendit, çoi në pranga në muajin tetor 34 persona, midis të cilëve edhe dy ish-deputetët e Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe Arben Çuko.

Gjithashtu, në pranga ra edhe kreu i grupit kriminal të Shijakut, Astrit Avdylaj, për akuzën e trafikut të drogës dhe të krijimit të grupit kriminal.

Nga përgjimet doli se me këtë grup bashkëpunonin vëllezërit Ndoka nga Lezha me fisin Bajri në Shkodër si dhe familjen Sulejmani në Fier, si dhe me një grup tjetër në Delvinë.

Në këtë bashkim të madh të familjeve, grupet kishin të ndarë rolet e tyre në trafikimin e drogës, e cila kryhej në dy linja, nga Greqia dhe Italia, në drejtim të vendeve të tjera të Bashkimit Europian.

Pikërisht nga përgjimet për trafikun e drogës u zbuluan dhe dy çështje të tjera korrupsioni, që çuan në pranga dy ish-deputetë të PS-së.

Arben Ndoka rezultoi se kishte përfituar tokë në zonën bregdetare të Shëngjinit përmes dokumenteve të falsifikuara bashkë me vëllain e tij. Gjithashtu u zbulua se ish-drejtori i Burgjeve, Arben Çuko, kishte marrë para dhe një makinë për transferimin e një të burgosuri, i cili kishte lidhje me grupin “Avdylaj” nga Shijaku.

Pikërisht për përfitimin e tokës nga familja Ndoka, akuzohet dhe noteri Emanuel Gjura, i cili ka kryer tjetërsimin përmes shitblerjeve fiktive në zyrën e tij noteriale.