MENU

Gjykata Speciale

‘Askush nuk ka të drejtë t’i shmanget drejtësisë’

12.12.2018 - 10:12

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi Gjykata Speciale ditët e fundit ka thirrur për intervistim disa pjesëtarë të UÇK-së.

Haradinaj ka thënë se askush nuk ka të drejtë ta turpërojë Kosovën dhe të fshihet, të pengojë apo t’i shmanget drejtësisë.

Lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe e shenjtë dhe kjo do të dëshmohet fuqishëm gjithnjë e kurdoherë”, shkruan i pari i qeverisë kosovare.

Postimi i plotë i Haradinajt

Sakrifica e popullit të Kosovës deri te liria e pavarësia ishte e pashembullt në historinë e re të Europës. Lufta jonë çlirimtare ishte e drejtë dhe e shenjtë dhe kjo është dëshmuar tashmë. Nga ne, janë kërkuar gjithnjë e më shumë sakrifica e përballje me drejtësinë, ndonëse ne ishim viktima të agresionit. Përgjigjja e qytetarëve të Kosovës dhe ish pjesëtarëve të UÇK-së, filtrave të drejtësisë ndërkombëtare ka qenë e menjëhershme dhe pa hezitim.

Përballja jonë me fortunat e kohës është e vërtetë, e prekshme dhe e qëndrueshme, andaj askush mos të mendojë e besojë, se ky shtet është i destinuar dhe i gatshëm vetëm për përshtatje e akomodim të interesave të atyre që dje e humbën luftën, e sot po e rrezikojnë paqen e stabilitetin ne rajon.

Gjykata Speciale, edhe një dëshmi se sa larg ka shkuar sakrifica jonë për një shtet të së drejtës, është edhe një sfidë në rrugën tonë përpara, të cilën së bashku do ta tejkalojmë dhe nga ajo do të dalim më unikë dhe më të fortë.

Siç kemi kaluar shumë vështirësi për të arritur këtu ku jemi, të gjithë duhet ta kuptojnë se si shtet e shoqëri edhe këtë dhembje, pas Tribunalit të Hagës, gjykatave të UNMIK-ut e EULEX-it, do ta kalojmë faqebardhë së bashku, sepse luftëtarët e lirisë gjithmonë ishin të rreshtuar me të drejtën.

Askush nuk ka të drejtë ta turpërojë Kosovën dhe të fshihet, të pengojë apo t’i shmanget drejtësisë. Lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe e shenjtë dhe kjo do të dëshmohet fuqishëm gjithnjë e kurdoherë.

Qeveria e Kosovës do t’iu qëndrojë afër luftëtarëve të lirisë të të gjitha etapave dhe është gatshme në çdo kohë të ofrojë ndihmën e nevojshme për mbrojtje juridike. /Konica.al/

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Përmbledhja ditore e rajonit

Kosovë/ A po funksionalizohet Gjykata Speciale?

Funksionalizimi i Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale fton ish-komandantin e UÇK-së