Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Elbasan, janë zbuluar detaje të reja mbi viktimat e atentatit.
Mësohet se shtetasi Endrit Alibej 34 vjeç, një nga viktimat është arrestuar në vitin 2013 si pjesë e një grupi që trafikonte drogë nga Shqipëria drejt Italisë.
Alibej u arrestua në vitin 2013, bashkë me të vëllain e tij, Andrea Alibej dhe ishin kokat e një grupi që trafikonte drogë në veriun e Italisë.
Droga vinte nga Holanda dhe hynte në Itali nëpërmjet kufirit të veriut. Më pas lënda narkotike, e llojit kokainë, tregtohej në Asti, Udine, Brescia, Savona, Xhenova, Piza, Parma dhe Milano.
Personat e përfshirë në atentatin e mirëorganizuar ende janë të paidentitifikuar nga Policia.
Ata sipas policisë u kanë zënë pritë viktimave ndërsa të tre ishin futur në automjet dhe po bëheshin gati të lëviznin drejt Elbasanit me një fuoristradë me targa të huaja pasi kishin darkuar me disa familjarë të tyre.
Në këtë moment është hapur zjarr në drejtim të automjetit ku ndodheshin tre viktimat duke qëlluar me breshëri dhe për pasojë ka humbur jetën në vend Endrit Alibej, 34-vjeç dhe Arben Dylgjeri, 56 vjeç, që të dy banorë të qytetit të Elbasanit si dhe shtetasi Erdal Duranay, 51 vjeç nga Turqia.
Sipas burimeve policore dy elbasanasit e ekzekutuar janë të afërm me njëri-tjetrin, dajë dhe nip. Ndërkohë edhe viktima tjetër që thuhet së është shtetas i huaj nga hetimi paraprak rezulton të ishte i afërm i bashkëshortes së një prej dy viktimave nga Elbasani.
Objektivi kryesor i atentatit të mbrëmshëm nga hetimi i kryer rezulton se ka qenë pikërisht 34-vjeçari Endrit Alibej me të shkuar kriminale jashtë Shqipërisë.
Aktualisht pista kryesore ku është përqendruar hetimi është ajo e prishjes së pazareve të drogës pasi 34-vjeçari elbasanas Alibej ka qenë në vitin 2013 i arrestuar për trafik droge në Itali.
Viktimat jetonin jashtë vendit dhe ishin kthyer vetëm para pak ditësh për të kaluar festat e fundvitit në Shqipëri.
Autorët e masakrës kanë qenë disa dhe dyshohet se janë larguar pas kryerjes së krimit me një makinë në drejtim të rrethrrotullimit të Bradasheshit dhe për të gjetur gjurmët e tyre janë marrë pamje të kamerave të sigurisë si dhe janë shoqëruar dhjetëra persona.
Menjëherë pas ngjarjes Policia ka ngritur postblloqe në të gjitha rrugëkalimet, ndërkohë që RENEA dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë rrethuan zonën në një perimetër të gjerë si dhe kryen kontrolle për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes.
Gjithashtu një grup hetuesish nga Drejtoria e Krimeve të Rënda të Policisë së Shtetit po punojnë për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të masakrës.