MENU
klinika

Rregullim tarifave me pakicë

Autoriteti i Konkurrencës “zhvesh shpatën” ndaj Vodafone

17.12.2018 - 15:35

Autoriteti i Konkurrencës rekomandon vendosjen nën rregullim të tarifave me pakicë të operatorit më të madh të telefonisë celulare, Vodafone Albania.

Përmes një pakete rekomandimesh për Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Autoriteti i Konkurrencës kërkon që pozita dominuese e Vodafone në tregun me pakicë të telefonisë celulare të rregullohet në mënyrë më efikase.

Rekomandimi për të rregulluar tarifat me pakicë kërkon që të adresohet fakti që tarifat standarde jashtë paketave ofertë, janë shumë të larta. Rekomandimet e tjera kërkojnë gjithashtu orientimin drejt kostove të tarifave për shërbimet e terminimit dhe të akses-origjinimit.

Gjithashtu, AKEP i kërkohet që të kryejë testime për “shtrydhje” të çmimeve (price squeeze), me qëllim parandalimin e sjelljeve antikonkurruese, përmes ofrimit të tarifave nën kosto për të nxjerrë jashtë tregut konkurrentët më të vegjël.

Në fillim të këtij viti, AKEP kishte paralajmëruar masa të forta për të vendosur ekuilibra në tregun celular dhe në veçanti për të mos lejuar abuzimin me pozitën dominuese nga Vodafone. Por, për shkak të lobimit të fortë politik nga Vodafone Këshilli Drejtues i AKEP u tërhoq pothuajse nga të gjitha masat e propozuara.

Ndërkohë që beteja duket se, të paktën për momentin, ishte fituar nga Vodafone, në lojë ka hyrë autoriteti i Konkurrencës, që ka dalë me rekomandime shumë të forta, deri në rregullimin e tarifave me pakicë, masë kjo që do ta kthente rregullimin e tregut më shumë se një dekadë mbrapa.

Në vitin 2007, AKEP (në atë kohë ERT) vendosi të rregullonte tarifat me pakicë të thirrjeve celulare, për të frenuar çmimet abusive të vendosura në atë kohë nga AMC dhe Vodafone.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Numri i përdoruesve ulet me 31%

Bie “miti” i Vodafone