MENU
klinika

Mbi 400 milionë euro gjithë vitin

Banka e Shqipërisë bleu 130 mln euro në tremujorin III

29.12.2018 - 14:09

Gjatë 3-mujorit të tretë të vitit 2018, Banka e Shqipërisë ka blerë afro 130 milionë euro në tregun e brendshëm valutor.

Sipas informacionit zyrtar, janë saktësisht 129.85 milionë euro, prej të cilave 114.55 milionë euro të blera me objektiv moslejimin e forcimit të kursit të këmbimit, sipas vendimit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të datës 6 qershor 2018.

Pjesa tjetër prej 15.30 milionë euro janë blerë nëpërmjet ankandeve për ndërhyrje me objektiv rritjen e rezervës valutore.

Siç u bë e ditur në fillim të kësaj jave nga Guvernatori Gent Sejko, gjatë vitit 2018 Banka e Shqipërisë ka blerë mbi 400 milionë euro në tregun valutor. Pjesa dërrmuese e kësaj shume është blerë në funksion të stabilizimit të kursit të këmbimit euro-lek, ndërsa diferenca me qëllim rritjen e rezervës valutore të vendit.

Por, pavarësisht blerjeve masive të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e katërt euro ka rënë sërish, duke prekur një minimum prej 122.7 lekësh para Krishtlindjeve. Ndërsa të enjten dhe të premten euro ka rifituar pjesërisht pikë dhe e mbylli këtë javë në vlerën e 123.4 lekëve.

Sipas operatorëve të tregut, rënia e euros lidhet me ofertën e lartë të valutës europiane në tregun valutor. Shtimi i ofertës i detyrohet faktorëve të ndryshëm, si përmirësimit të bilancit të llogarisë korrente të vendit, falë rritjes së eksporteve dhe turizmit, vlerave të larta të investimeve të huaja direkte, si edhe kthimit të rritjes së remitancave.

Megjithatë, sipas operatorve të tregut, një faktor me ndikim janë edhe paratë nga aktivitetet e jashtëligjshme, ndonëse pesha reale e tyre në ecurinë e kursit është e pamundur për t’u kuantifikuar.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN